GRANDEMALL

Europeizmi : Nga utopi në projekt dhe mënyrë jetese

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Luçiano Boçi -Libri “Europeizmi si histori mendimi” (botimet “Naimi”, Tiranë 2012), me autor prof. dr. Liman Varoshi, është i treti studim monografik i tij brenda tre vjetësh.

Ai vjen pas monografisë “Ballkani mes tri perandorive”, kushtuar zhvillimeve historike gjeopolitike që ndodhën në gadishullin e vjetër prej gjysmës së dytë të shekullit të 19-të deri në shembjen e perandorisë austro-hungareze, perandorisë otomane dhe perandorisë cariste ruse; vijuar prej monografisë tjetër, titulluar “‟Lufta e ftohtë‟ në Europën e Lindjes”, një argument që në dekadat e fundme është sundues në studimet historiografike në botë, por në vendin tonë është vështruar në mënyrë të njëanshme, jo si histori e shoqërisë së vigjilencës, por si histori raportesh dypalëshe, kryesisht me fqinjët.

Jo vetëm me titullin, por me gjithë përmbajtjen e librit të tij të ri, Liman Varoshi ka identifikuar thelbin e zhvillimeve në Europë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar e në vijim. Kjo është Europa e re, “Europa e europeizmit”, që, siç argumentohet në librin e autorit, është filozofi, mënyrë të menduari, rrjedhë politike dhe ideologjike, organizim politik.

Liman Varoshi, në librin e tij të ri, ka për qëllim të certifikojë procesin se si utopia europeiste, pasi u bë një ide romantike, u kthye në një projekt funksionues, që është Europa e sotme, e cila përbën konfederatën më interesante në histori, një konfederatë të bashkimit vullnetar, “et pluribus in unum”, “shumë në një”; e ngjashme shumë formalisht me perandoritë historike dhe supershtetet e kohës së luftës së ftohtë, por thelbësisht e mbështetur në një mekanizëm tjetër, që është mekanizmi i njëzëshmërisë, i barazimit votë-veto, i zhdukjes së dallimit, i pozitës së barabartë të Luksemburgut me Gjermaninë, siç do të shprehej në vitet 1980 në konfidencë Franz Joseph Strauss në bisedimet e lidershipin e vjetër shqiptar, me shpresë se mund t‟i bindte për një afrim me Europën e re.

Zotësia e autorit të librit “Europeizmi si histori mendimi” është se vepron me një tezë, dhe kjo tezë provohet deri në fund: koha e revolucioneve ka vdekur prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, çështjet europiane nuk zgjidhen më me veprim në rrugë por me lëvizje mendimi; vetë europeizmi është një ide mit, ideja e përjashtimit të urrejtjes, e flijimit të sovranitetit klasik nacional, e bashkimit në ndryshim; është ideja e solidaritetit jo midis individëve, por midis kombeve; një eksperiencë krejt e ndryshme nga ajo atlantike.

I vetmi “revolucion” që njeh autori në periudhën e themelimit të europeizmit e këndej është një revolucion specifik postindustrial, revolucioni multimedial, i cili shembi të gjitha muret që ndajnë botët, kufijtë dhe bunkerët, duke u bërë shkak themelor për një ndërgjegje të re politike, ndërgjegjen e Europës si “little continent”; ndërgjegjen e botës si një “little vilage”. Kjo është një meritë themelore e librit të autorit.

Duke u marrë gjerësisht me idenë europeiste autori ka arritur të argumentojë se një prej faktorëve themelorë të dështimit të botës së Lindjes ish-komuniste është se asaj i mungoi pikërisht çka e propagandonte si vlerë themelore: humanizmi dhe solidariteti.

Përkundrazi, europeizmi përfitoi nga të gjitha vlerat themelore tradiconale, që prej ideve utopiste deri tek kejnsianizmi dhe neokejnsianizmi; liberalizmi e neoliberalizmi, për të krijuar një shoqëri të njerëzve të lirë, të qytetarëve të barabartë.

Europeizmi u ngrit mbi vlerat morale të Europës antifashiste dhe zhvilloi më përpara sloganet e hershme të revolucioneve: sloganet e lirisë, barazisë dhe vëllazërimit. Autori me të drejtë ka argumentuar se europeizmi nuk është një ide armiqësore ndaj nacionalizmave, por, duke u dhënë mundësi shteteve dhe kombeve të zhvillohen në mënyrë vetëvepruese, njëherësh ata duhet të jenë të barabartë dhe në konventën e një bashkësie pa monedha lokale, pa dogana, pa kufij dhe pa pasaporta.
“Europeizmi si histori mendimi” është një monografi emancipuese në shumë kuptime.

Emancipuese, sepse e çliron mendjen e njeriut nga obsesioni i vjetër se bota mund të ndryshojë vetëm prej protestës dhe revolucionit. Emancipuese, sepse e çliron mendjen njerëzore prej tmerrit të diskriminimit prej fqinjit.

Eco Higjiena

Emancipuese, sepse, më në fund, duhet kuptuar e duhet pohuar se pavarësia në kuptimin klasik të fjalës ka vdekur, se vendin e indipendencës e ka zënë interdipendenca, se pavarësi ka kush ka identitet; se vendin e sovranitetit e ka zënë solidariteti, se vendin e urrejtjes e ka zënë dashuria, se vendin e luftës e ka zënë paqja, dhe duhet përsëritur: paqja më e gjatë në Europë.

Kur lexuesi arrin në fundin e këtij libri me të drejtë bashkohet me thirrjen e mendimtarëve europeistë, që disa dekada më parë ankoheshin pse nuk ka një këngë me titullin “God, bless the Europe!”. Tani një këngë e tillë ekziston.

Recensioni është botuar si pjesë hyrëse e librit, botohet me shkurtime

Të dhëna për autorin

Autori i këtij libri, prof. dr. Liman Varoshi, mbaroi studimet universitare në specialitetin “Histori” në vitin 1983. Për disa vite punoi në shkollën e mesme të përgjithshme të Belshit, më pas specialist për lëndët shoqërore në kabinetin pedagogjik të Elbasanit.

Në vitin 1991 u emërua drejtor i muzeut historik të qytetit, kur nisi, gjithashtu, edhe bashkëpunimin me Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, fillimisht si pedagog i ftuar dhe më pas si pjesë e profesoratit të tij.

Në Universitetin e Tiranës mbrojti gradën “Doktor” (1999), ndërsa në Universitetin “A. Xhuvani” fitoi shkallë pas shkalle titujt shkencorë që mban, si dhe realizoi karrierën e punës, deri në detyrën e Rektorit, ku është zgjedhur për një mandat të dytë.

Prof. dr. Liman Varoshi është specialist i historisë bashkëkohore botërore, me një specializim të ngushtë në historinë e “Luftës së Ftohtë” dhe në historinë e Europës. Pjesë e interesimeve të tij shkencore janë, gjithashtu, zhvillimet gjeopolitike të shekullit të 19-të.

Është hartues programesh, syllabus-esh dhe modulesh për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve universitare (Master, Doktoratë). Prof. dr. Liman Varoshi, veç kontributeve në veprimtarinë pedagogjike universitare, është autor i studimeve monografike “Një hapësirë më shumë në formimin historik” (2003), “Ballkanet mes tri perandorive” (2010) dhe “Lufta e ftohtë” në Europën e Lindjes” (2010). Ky është libri i tij i katërt monografik. Është autor i dhjetëra artikujve dhe studimeve të botuara brenda dhe jashtë vendit; pjesëmarrës dhe kontribuues në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare dhe me ndihmesa në mësimdhënie në universitete jashtë vendit. /rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.