EULEX-i nuk ka tendencë dëmtimin e imazhit të UÇK-së

Ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blomeyer në një intervistë në emisionin “Target” në RTK, duke folur për arrestimet e ish komandantëve të UÇK-së, ka thënë se askush nuk mund ta shmang vetën nga ndjekja penale, dhe të gjithë duhet të presim dhe të shohim, e më pastaj të pranojmë vendimin e gjykatës, pavarësisht a ishin apo jo pjesëtar i UÇK-së, liderë politik, apo yje të estradës. Ai ka thënë se derisa nuk shpallet fajësia e tyre, ata janë të pafajshëm.
EULEX-i sipas tij, është duke bërë punë parimore, e cila nuk është e adresuar kundër askujt. “Është duke u përhapur një opinion se EULEX-i është duke dashur ta dëmtojë vlerën e UÇK-së, gjë që nuk është e sigurt. Ne kemi një numër të madh të pjesëtarëve në EULEX, që në një far forme mund ta quajmë edhe si mision gjerman, dhe se Gjermania nuk është këtu për ta dëmtuar imazhin e UÇK-së”, ka thënë ai, transmeton Reporteri.
Gjermania sipas ambasadorit të saj në Kosovë, është duke tentuar që të jap kontribut në zhvillimin e Kosovës. “Ne kemi marrë pjesë edhe në intervenimin ushtarak në Kosovë, dhe prej atëherë kemi punuar që gjërat t’i ndryshojmë për të mirë në Kosovë”.