Mobi Casa

ETC – Telekom

/ 4 minuta lexim

Kompania e Ramiz Kelmendit, Elkos Group do të jetë një nga pretendentët për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK’së. Në këtë garë, pronari i rrjetit të supermarketeve ETC do të hyjë bashkë me dy partnerë të tjerë, një kompani amerikane dhe një austriake.

Ramiz Kelmendi ka thënë për Express se nuk frikohet që për konkurrentë do t’i ketë shumë kompani të mëdha ndërkombëtare, si Telekomin Gjerman, Telekomin Francez e Turkcelln e Turqisë.

Logos që tani bart Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), mund t’i shtohet shkurtesa ETC apo Elkos Group. Kështu supozohet të ndodhë nëse pronari i kompanisë Elkos Group, Ramiz Kelmendi i blen 75 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje.

Ai ka konfirmuar për gazetën Express se ka vendosur t’i kthehet profesionit të tij prej inxhinieri të elektronikës. Kelmendi po pretendon ta blejë PTK-në për ta sfiduar veten edhe në këtë zanat që e ka lënë pas dore duke u marrë me tregti. Këtë e ka zyrtarizuar për opinion, të shtunën.

“Pas shqyrtimit të dokumentacioneve tenderuese me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, Bordi i kompanisë “ ELKOS GROUP” mori vendim që së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë të jetë pjesë e procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Ky vendim është marrë duke synuar që të arrihet sukses për kompaninë në fjalë dhe po ashtu për Kosovën”, thuhet në vendimin e lëshuar nga Bordi i kompanisë Elkos.

Mobi Casa

Kelmendi nuk po frikohet se në këtë garë po hyn pa përvojë në telekomunikacion dhe ku do t’i ketë konkurrentë shumë kompani të mëdha ndërkombëtare, si Telekomin Gjerman, France Telecom e Turkcellin e Turqisë.

“Çështja e telekomunikacionit që është operim me vetëm një produkt, s’ka gjë më të lehtë me menaxhu”, shprehet Kelmendi duke treguar se nuk do të jetë i vetëm, por do të ketë partnerë ndërkombëtarë në këtë biznes. Sipas tij, tregu i Kosovës është i vogël për kompanitë e mëdha dhe kjo mund të jetë një përparësi për kompaninë e tij që sivjet thotë të ketë pasur qarkullim mbi 300 milionë euro. Me këtë, vlerëson se do të nxisë një konkurrencë të fortë dhe gara për ta blerë PTK-në do të bëhet më e fortë.

Kelmendi thotë se nëse një kompani vendëse i blen aksionet e postës, atëherë edhe përfitimi i Qeverisë së Kosovës do të jetë më i madh sesa t’i shitet një kompanie ndërkombëtare, e cila pjesën më të madhe të fitimit e nxjerr jashtë. Kreu i Elkos Groupit nuk tregon se cila do të jetë oferta e tij që po e përgatisin t’ia dorëzojnë njësisë që po merret me privatizimin e PTK-së.

E, njeriu që po ia udhëheq krejt këto punë Kelmendit, Bekim Abazi, që dikur ka punuar në Postë, thotë se në këtë projekt janë duke punuar qe dy vjet e gjysmë, por ka qenë e pamundur të jenë pjesë e procesit të privatizimit për shkak të politikës diskriminuese të kompanisë së transaksionit të mëhershëm. Por tani ai thotë se janë krijuar kushtet që edhe një konkurrent vendës t’i shtohet kësaj gare. Ndërkaq, tregon se përkrah do t’i ketë një kompani amerikane dhe një austriake që e kanë përvojën e telekomunikacionit, por që asnjëherë deri më tani nuk kanë qenë të angazhuara në Kosovë.

“Do të konkurrojmë bashkë me dy kompani shumë të fuqishme që nuk kanë qenë të përfshira deri më tani në tregun e Kosovës. Çdo konkurrenti në këtë proces do t’i bëjmë konkurrencë të fuqishme”, thekson Abazi. Ai thotë se të mërkurën do të finalizojnë marrëveshjet me këto kompani për ndarjen e përqindjeve të aksioneve që do të blejnë. Megjithëse tashmë tregon se janë pajtuar që të kenë nga 25 për qind të aksioneve secila palë. Në këtë mënyrë, Qeverisë së Kosovës i mbetet pjesë e barabartë e aksioneve sikur edhe privatizuesve.