ARKATANA

(Est) etika e komunikimit

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Nga Emin Azemi : A e kemi edhe ne itakën tonë të fjalës publike?. Pesha e fjalës publike ende nuk ka një matës meritor, sepse këtu të gjithë janë të zënë me punët që ata i trajtojnë si personale. Pesha e fjalës nuk u bën përshtypje politikanëve, sepse ata e kanë forcën e pushtetit për ta mbyllur gojën (madje edhe xhirollogarinë). Mbi forcën e politikanëve është vetëm forca e Zotit, por ç’e do kur Zotin nuk e besojnë ata që zot e konsiderojnë liderin dhe dorën e fortë të tij.

Gjallimi njerëzor është varur nga pesha e rëndë e prezencës së njeriut në një vend të caktuar, por edhe nga një peshë tjetër, ajo e fjalës. Nga letërsia kemi shembuj të shumtë në trajtë arketipesh që tipizojnë peshën e qenies dhe të fjalës, si një simbiozë që në brendi krijon motivin për të reaguar ndaj sfiduesve të natyrave të ndryshme.

Homeri na e ka dhënë prototipin më të qëlluar të “vetëdijës” së qenies, duke e ngre peshën e fjalës në piedestalin e supervlerave njerëzore. Uliksi ishte i rrallë tek kërkonte peshën e fjalës, si reagim ndaj lehtësisë së të jetuarit. Marrëdhëniet idilike me Kalipsonë prej shtatë vjetësh, ishin tundimi i së lehtës ndaj peshës së qenies, pesha e qenies si thirrje për kthim në Itakë. Në mbrojtje ndaj thirrjes së sirenave, Uliksi dëgjoi dhe iu dha zërit të qenies, të peshës, kthimit në Itakë. Uliksi është ndoshta personazhi i parë në letërsinë botërore që përçon mesazhin se gjallimi njerëzor është i dënuar nga pesha e rëndë e fjalës së dhënë.

Lufta (e pafilluar) për fjalën publike

Në arealin e trashëgimisë gojore shqiptare kemi gjithashtu prototipa të shumtë fjalëmbajtësish, si Gjergj Elez Alia, Aga Ymeri, Konstandini, të cilët pa emaile dhe sms. arritën të mbajnë të paprishur kohezionin e brendeshëm shpirtëror e moral. Ngjyrimi mitik i kësaj tematike aspak nuk e zbeh rëndësinë e porosisë për ditët e sotme, kur pesha e fjalës as që zë vend në hapësirën tonë të tejmbushur me abuzime etike, sociale, politike, kulturore etj.

Lufta për peshën e fjalës, apo për lirinë e shprehjes, te ne as që ka filluar. Por, në anën tjetër, kemi plot viktima të kësaj lufte, të asaj lufte që e zhvillon politika me jobashkëmendimtarët dhe, këta të fundit, në pamundësi për të ndikuar në opinion, ose tërhiqen nga komunikimi publik, ose vendosin ta braktisin vendin. Nuk do shumë mend për të konstatuar se kush del i fituar në këtë luftë?

Sot, nuk mjafton të jesh as Homer, as Gjergj Elz Ali. Sepse, Uliksi i sotëm e ka vështirë ta arrij Itakën, i vetëm, dhe Gjergj Elez Alia, del i tradhëtuar edhe nga motra e vet, që mund të shitet për një tufë banknotash. Sirenat e Kalipsove të sotme shpërndajnë punëdhënie të lirë në një shoqëri pa valvula kritike.

Fjala publike nuk ka peshë. Duartrokitësit e fshehur pas hijes së tyre, vazhdojnë të këlthasin se i frikohen pasojave, vazhdojnë ta mbajnë mend kohën e diferencimeve. Këtë e kishte hetuar madje edhe berberi që merret me qethjen e kokës time, i cili një ditë, më pyeti se çka ka ndodhur me mua, pse nuk shkruaj. Përgjigja më e denjë drejtuar një berberi do të ishte justifikimi se jam shumë i zënë, se gajlet e përditshme nuk po më lënë të mendoj shlirë për proceset e kohës dhe kapërdhicka të ngjashme.

Por, edhe berberi im, nuk e meriton një përgjigje të tillë. Së paku, përgjigja nuk do të duhej të mbulojë pavendosmërinë tonë për ta thënë arsyen e heshtjes. Dhe sërish, më kujtohet një protagonist i ditëve të sotme. Ai vjen nga koha e mëhershme, e viteve 60-70 kur, bashkë me të tjerët, mbanin në këmbë një sistem që ne i thoshim monizëm. Të gjithë ne i shihnim me sy jo të mirë këta “kullakë të kuqë”, sepse mendonim se ata kishin qenë fatkeqësia jonë me e madhe. Në fakt, ata nuk meritojnë dekorata për babëzitë që i kishin bërë, po ama ata kishin një etikë minimale, që buronte nga doktrina e tyre partiake, që ata i besonin me fanatizëm. Diferencimi i atëhershëm ndodhte midis sistemit dhe njerëzve “të padëgjueshëm”, në mes të shtetit dhe nacionalistëve, në mes të politikës dhe disidentëve.

Hidromorava

Diferencimet e sotme brendashqiptare

Po sot, çfarë diferencimi kemi? Perversiteti i diferencimeve të sotme shkon shumë më larg se ai i kohës së monizmit. Sot ka diferencim më të vrazhdë brenda një partie, një kombi, një shoqërie. Sot ka diferencim të shqiptarit nga shqiptari dhe ka gazetar e media që e mbron një parti shqiptare a një politikan shqiptar nga një parti a politikan tjetër shqiptar. Mos e bën zot ta presim atë ditë kur këta diferencues të vendosin se sa metra kub ajër në ditë duhet të konsumojmë.

Një lider i yni (që kishte qenë me vite të tëra nën hijen e një lideri tjetër), vite më parë, në një intervistë për Top Chanelin e Tiranës, thoshte se ‘’shqiptarëve në Maqedoni u mungon një Top Chanel i tyre’’ dhe ai e thoshte këtë publikisht, para miliona shqiptarëve dhe, krejt i habitur e i lajthitur se, fjala e tij, publikisht e thënë, mund të shkaktonte ndonjë qesharakllëk tek ata që e dëgjonin. Dhe qesharakllëku ja ku qëndron: lideri ynë, të cilit aq shumë i digjte zemra për Top Chanelin e Tiranës, paska harruar se çfarë metoda stalinste përdor këtu në Maqedoni për t’ua mbyllë gojën gazetarëve dhe mediave të cilët nuk mendojnë njësoj si ai.

Pesha e fjalës publike tek ne ende nuk ka një matës meritor, sepse këtu të gjithë janë të zënë me punët që ata i trajtojnë si personale. Pesha e fjalës këtu nuk u bën përshtypje politikanëve, sepse ata e kanë forcën e pushtetit për ta mbyllur gojën, madje edhe xhirollogarinë. Mbi forcën e politikanëve është vetëm forca e Zotit, por ç’e do kur Zotin nuk e besojnë ata që zot e konsdierojnë liderin dhe dorën e fortë të tij. Fjala publike ka shumë pak peshë këtu, sepse ka shumë shkolla që prodhojnë analfabetë me diploma e doktoratura, ka shumë parti që janë bërë farkëtare të kuadrove pa kurriz moral e profesional, dhe ka shumë buzëqeshje falce që ta gërdisin edhe artin e mimikërisë.
Pse politikanët i përkulen votës, e jo edhe fjalës publike!
A ja vlen të sakrifokosh edhe më shumë për fjalën që sta dëgjon askush? Këtë pyetje ua kam bërë kohët e fundit shumë njerëzve dhe kam marrë përgjigje nga më të ndryshmet, por asnjëra prej tyre nuk ma shuajti deri në fund ’’urinë’’ e dilemës nëse ia vlen apo jo të thuash atë, çka sinqertisht e mendon, atë që e ndien në zemër mbi pesëdhjetë për qind e popullatës etj. etj.

Pesha e fjalës publike, në raport me votën ende është në situatë inferiore. Sepse vota, qoftë ajo edhe me një përqindje shumë të ulët, formalizon në kuadër politik një person anonim që edhe vetë habitet se si arriti në atë pozitë a funksion. Pra, përderisa gara në mes të fjalës publike dhe votës zhvillohet duke favorizuar një finish që prodhon kuadro poltronë, anonimus, pa kredibilitet moral e profesional, atëherë i kotë është pretendimi se një ditë shpejt do të kemi raporte normale demokratike në jetën tonë shoqërore e publike.

Ja pse politikanët mbështeten aq shumë në votën që ata i bën nga askushi dikushi, ndonëse harrojnë se përqindja e votuesve asnjëherë nuk ka qenë e atij niveli sa ata të ulen me ndërgjegje të pastër në kolltukun e pushtetarit. Thirrjet demagogjike për garantimin e votës së lirë, në njërën anë (sepse vetëm ajo i bën ata me pushtet) dhe lufta e egër kundër fjalës së lirë publike (sepse vetëm ajo mund t’ua merr pushtetin), në anën tjetër, nuk shkojnë bashkë.

Në Maqedoni, vite më parë, u shtresua një surrogat i shoqërisë civile që llafoste me doza shqip nëpër tribunat maqedonase dhe të gjithë kishim menduar se kontributorët e kësaj ‘’shoqërie të ajrosur’’ do të na sjellin një paqë të amshueshme në mes të shqiptarëve dhe maqedoansve. Por, kishte qenë ndryshe. Ata ishin bërë OJËQË-ista jo pse e kishin hallin te raportet shqiptaro-maqedoanse, por xhepat e tyre kishin nevojë për banknota që ata atëherë u thoshin projekte, donacione e broçkulla të ngjashme.

Po e përmendim këtë fakt tani për të përkujtuar opinionin se, si atëherë, si tani, kërcënimi i fjalës publike ka qenë një tendencë permanente e ngushtuesve të lirisë së shpehjes, por tani, për dallim nga atëherë, ojëqëistat e dikurshëm sot mbrojnë politikanin maqedonas nga politikani tjetër shqiptar, kurse qasjen selektive ndaj lirisë së mediave e kanë në gjak, duke menduar se mediat më të rrezikuara janë ato ku ata shkruajnë, e jo edhe të tjerat ku ata panë vetëm konkurrencë dhe nuk i mundën asnjëherë, për të cilat shpifën pa rreshtur tek donatorët e huaj.

Peshës së fjalës nuk ia vendos çmimin ai që e thotë atë. Por, fatkeqësisht çmimin më të lartë po e paguajnë ata që e thonë pa dorëza atë. Duke besuar në Itakën e fjalës publike, urojmë që një ditë të na trokas në derë Uliksi i shumëpritur./rajonipress/