Hidromorava

Është turp për komunitetet nëse ankohen në lirinë e lëvizjes në Gjilan

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Komunitetet në rajonin e Gjilanit janë të kënaqura me gjendjen e sigurisë dhe lirinë e lëvizjes në komunat e këtushme, përfshirë edhe komunat e krijuara nga procesi i decentralizimit.

Kështu është thënë të mërkurën në Gjilan, në një takim të Komitetit për Komunitete, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit nga komuna e Ranillugut, në kuadër të projektit për bashkëpunim ndërkomunal.

Kemal Shahin, kryesues i Komitetit ka thënë se ky është takimi i parë ndërkomunal, ku po merr pjesë edhe komuna e Ranillugut. Ai ka thënë se komiteti në Gjilan ka bërë një punë shumë të mirë në integrimin e komuniteteve dhe tani këtu nuk flitet më për siguri dhe liri të lëvizjes, sepse ajo ekziston për të gjithë, por diskutohet për probleme të përbashkëta, siç janë zhvillimi ekonomik, papunësia dhe çështje tjera.

Tomisllav Naskoviq, anëtar i Komitetit, ka thënë se në Gjilan nuk ka serb ose rom që mund të ankohet në lirinë e lëvizjes. Të gjithë lëvizim nga të duam nëpër Gjilan dhe në çdo kohë dhe askush nuk na provokon. Është turp po të themi se nuk ka liri të lëvizjes, ka thënë ai.

Hidromorava

Ai ka nënvizuar se personalisht i respekton ligjet e Kosovës dhe i kryen obligimet e veta si qytetarë, madje tha se veturën e ka regjistruar me tabela KS qysh para pesë viteve. “Ne jetojmë në Kosovë, prandaj edhe duhet t`i respektojmë ligjet e këtij vendi dhe t`i kryejmë obligimet tona qytetare”, ka thënë Naskoviq.

Kurse Galip Hiseni nga komuniteti rom, i cili po ashtu u shpreh i kënaqur me sigurinë e përgjithshme si dhe lirinë e lëvizjes, e ka ngritur çështjen e shkollimit të fëmijëve në gjuhën serbe, duke thënë se dëshirojnë që të integrohen në sistemin arsimor të Kosovës.

Shkollimi me plan-programe të Kosovës na krijon mundësi për integrim të plotë dhe punësim më të lehtë nesër, ka thënë Hiseni.

Përndryshe, në këtë takim të Komitetit për Komunitete, situata e sigurisë është vlerësuar e mirë, edhe nga përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, rreshteri Arsim Selimi. Një rast i gjuajtjes së një autobusi në fshatin Cërnicë, që ka ndodhur më herët, është konstatuar se është kryer nga të disa të mitur dhe nuk ka qenë i motivuar në baza etnike. /rajonipress/