RCCOLA

Esad Ajvaz Berisha – veteran i arsimit

/ 7 minuta lexim
KKVITI

Nga Xhavit Kryeziu – Esad Berisha është njëri nga veteranët e arsimit të komunës së Dardanës (ish Kamenicës) që tërë veprimtarinë jetësore ia përkushtoi edukimit e arsimimit të gjeneratave të reja duke u përballur me vështirësi të shumta dhe të ndryshme.

Esadi u lind në Svircë më 20. 10. 1929, ku edhe mori mësimet e para. Svirca është një vendbanimi i lashtë që përmendet në vitin 1434 dhe më 1438 në librin e borxhlinjve të tregtarit, Mikel Llukari, me emrin-Suirci. Në vitin 1455 është i shënuar me emrin- Svudi dhe kishte 2 shtëpi. Sipas regjistrimit të vitit 1981 kishte 43 shtëpi, me 341 banorë dhe vetëm një prej tyre gjendej në punë të përkohshme në shtetet perëndimore, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2011, i cili është njëri ndër regjistrimet më të zbehta të popullsisë, kishte 59 banorë. Svirca shtrihet në një sipërfaqe prej 1.048 ha, 12 ari e 48 metra katrore.

Në verën e vitit 1951 kreu një kurs pedagogjik në Prizren, ndërsa kursin pedagogjik II, III, IV dhe diplomën në Pejë, këto tri të fundit pa shkëputje nga marrëdhënia e punës. Normalen e mbaroi në Gjilan, në vitin 1968, si dhe provimin profesional për mësues e kreu, po në Gjilan që asokohe kërkohej nga organet e arsimit. Pasi mbaroi kursin e parë pedagogjik, në shtator të vitit 1951, u caktua të punojë mësues në shkollën e Kopërnicës.

Aty punoi gjatë vitit shkollor 1951/52, me klasa të kombinuara- me klasën e parë dhe të tretën, së bashku me mësuesin Tefik Kallaba nga Rogaçica. Ishte hera e parë që në këtë shkollë punonin 2 mësues se deri në këto vite nëpër shkollat e kësaj komune punonte, zakonisht, një mësues e që njëherit ishte edhe drejtor shkollës përkatëse. Banonte me një shtëpi private, te Shefki Syla, pasi që lokali shkollor ishte shumë i vogël dhe mësimi mbahej në lokalet e mejtepit të fshatit që gjendej në të njëjtin oborr të xhamisë së fshatit. Rrjedhën e procesit edukativo-arsimor e përcillte inspektori i arsimit të rrethit, Faik Jakupi, nga Podujeva.

Kopërnica njihet si fshat intelektualësh që tani ka afër 20 veta që kanë mbaruar fakultetin e Mjekësisë e sipas regjistrimit të vitit 2011 ka 1258 banorë.
Nga ky vit shkollor ruan edhe kujtime të hidhura, pasi që mësuesi e puna e tij ishte në shënjestër të UDB-së.

Ai ishte mësues, po angazhohej edhe në zbatimin e bindjeve fetare, agjëronte ramazanin. Të gjithë ata me bindje të tilla fetare do të përballeshin me masa ndëshkimi e suspendimi nga puna, prandaj ndodhej para një dileme të madhe. Dikush nga njerëzit dashamirë të arsimit i sugjeroi se më sevap është që këta nxënës mos të ngelin analfabetë, mos të ngelin në terr, mos të mbesin qorra se sa të agjëronte ramazanin dhe të largohej nga puna. Të nesërmen e kishin një tubim me të gjithë punëtorët e arsimit në Kamenicë që agjëronin ramazanin, ku duhet të përballeshin me strukturat udhëheqëse të pushtetit, prandaj kur arriti atje e ndezi cigaren e duhanit në prani të pushtetarëve. Tani u shkaktua një habi se ai kishte hyrë në listën e atyre për suspendim nga puna, po u bindën se nuk paska ramazan. Po atë ditë iu shqiptua masa ndëshkuese e largimit nga puna disa mësuesve, po kategorikë në bindjet e veta ishte Murat Shkodra nga Desivojca, të cilit i thanë se ti me këto bindje nuk do të punosh kurrë mësues. Murati iu tha se as që dua t`i ndryshoj bindjet e mia dhe ashtu veproi, u largua pa iu trembur syri.

RCCOLA

Në vitin vijues shkollor punoi në shkollën e Zajçecit. Në vitin shkollor 1953/54 punoi në shkollën e Dabishecit, ku angazhua së bashku me këshillin e shkollës dhe prindërit e nxënësve dhe ndërtuan një dhomë mësimi dhe një zyre, të cilën e mbuluan me kashtë thekre. Në vitet 1954-1957 punoi në shkollën e Tygjecit, e cila ishte shkollë e plotë fillore dhe drejtor ishte Ismail Doda. Detyrën e drejtorit e vazhdoi Esad Berisha, pas shkuarjes së tij nga kjo shkollë. Nga koha e punës gjatë këtyre viteve i kanë mbetur shumë kujtime të hidhura, po do ta veçojmë vetëm edhe një- Aksioni i mbledhjes së armëve nga shqiptarët me qëllim të çarmatosjes së tyre, i organizuar nga politika serbomadhe për shkombëtarizimin dhe shpërnguljen e tyre. Në këtë aksion, në nivel të Kosovës, u keqtrajtuan në mënyrë shumë brutale rreth 30.000 shqiptarë dhe nga ato tortura vdiqën mbi 100 veta.

Në muajt e parë të vitit 1956 mbante një mot me borë dhe shumë i ftohtë Zbatuesit e këtij aksioni famëkeq arritën në shkollë, urdhëruan të ndërpritet mësimi dhe aty filluan maltretimet dhe torturat ndaj njerëzve që iu kërkoheshin armët, në të cilat u përfshi edhe mësuesi Esad. Nga se nuk mundi t` i përballojë këto tortura, Behlul Klaiqi nga Tygjeci vari veten në një trup të një qershie. Kjo shkaktoi trauma të thella te nxënësit, mësimdhënësit e mbarë popullata e kësaj ane. Nga pasojat e këtij aksioni famëkeq humbi jetën një person nga Topanica, dy nga Dajkoci e të tjerë.

Esadi në vitet 1957-1959 punoi në shkollën e Meshinës, ku në vitin e parë të punës, punoi me Asllan Zubakun, ndërsa në vitin vijues shkollor punoi vetëm, me katër klasa të kombinuara, prej të cilave dy punonin para, ndërsa dy pas dite. Në vitin shkollor 1958/59, 1959/60 punoi në shkollën e Svircës, ku e ka udhëhequr klasën e dytë dhe e ka mbajtur lëndën e matematikës në klasat e pesta dhe të gjashta. Në mungesë të dyshemeve nëpër klasa (nuk ishin të shtruar me asgjë, por vetë ishin nga dheu i rëndomtë) së bashku me prindërit i meremetuan klasat ku mësonin nxënësit. Në shkollën e Krilevës ka punuar në vitet shkollore 1960/61 dhe 1961/ 62. Në vitin e parë ka punuar aty edhe Sabri Daku nga Laçiqi, ndërsa në vitin e dytë ka punuar i vetëm, me katër klasa, dy para dite e dy klasa pas dite, me 123 nxënës.

Me propozimin e Komitetit të LKJ-s- së Kamenicës përjashtohet nga puna, me motivacion të papërshtatshmërisë për punë në procesin edukativo-arsimor, në korrik të vitit 1962 dhe tetë muaj është i evidentuar në entin për punësim, si i papunë, deri më 28. 2 1963. Nga marsi i vitit 1963 e deri në gusht të këtij viti punoi në detyrën e ekonomatit në Shtëpinë e Shëndetit në Kamenicë.

Në vitin shkollor 1963/64 punoi në shkollën e Svircës që i përket komunës së Medvegjës. Që nga vitin 1964- 1970 punoi në shkollën e Tygjecit, ku ka udhëhequr klasën dhe disa kohë ka mbajtur lëndën e matematikës në ciklin e lartë të fillores. Në vitet 1970- 1973 punoi në shkollën e Svircës së Kamenicës. Në vitin 1973 kalon me punë në shkollën e Meshinës, e cila është paralele e ndarë fizike e shkollës së Tygjecit, ku punoi deri në pension në vitin 1984. Krahas punës në procesin edukativo-arsimor ka udhëhequr edhe kurset për femra, si që janë kurset: për mësimin e shkrim-leximit, shëndetësor e të amvisërisë në Tygjec, Dabishec dhe Svircë.

Esadi, me familje ishte vendosur në Kamenicë, ku I kaloi edhe vitet e fundit të jetës. Ai vdiq më 29 korrik 2008 duke lënë pas 2 vajza e 3 djem, shumë nipa e mbesa. Rruga jetësore e tij në procesin e mësimdhënies e mësimnxënies është e mbushur plot me vështirësi e pengesa të shumta në realizimin e detyrës së punëtorit të arsimit në ato kohë të zymta./rajonipress/