RCCOLA

Erzen Rrustemi, një emër i ri në boksin profesionist

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan -Boksieri kosovar nga Zhegra e Gjilanit, pasi mundi hungarezin Atila Toth, në prill, tani pret t`i kryqëzojë dorëzat me serbin Dragan Bajak në Vjenë të Austrisë dhe është shumë optimist se do ta kalojë edhe sfidën e dytë.

Para ngjitjes në ring, motivohet nga tradita e lojërave popullore, folklori dhe krenaria e kullave shqiptare, të cilat nuk njohin mposhtjen.
Zhegrës dhe Gjilanit, një tjetër sportist kosovar po ia rrit namin në arenën ndërkombëtare, krahas Gjerdan Shaqirit, në futboll. Traditën familjare të lojërave të mundjes, boksieri kosovar Erzen Rrustemi e ka avancuar në boks profesionist.

Së bashku me familjen, ai jeton në Bern të Zvicrës, prej moshës 11-vjeçe.
Rrustemi debutoi në boksin profesionist, kategoria deri 91 kg, me një fitore të shkëlqyeshme ndaj hungarezit Atila Toth, të cilin e mundi në rundin e tretë me KO, më 7 prill 2012, në Alzach të Gjermanisë. Rrustemi, i cili karrierën e tij sportive e filloi vite më parë në karate, por më vonë kaloi në boks, dëshmoi se është boksier me perspektivë dhe se kundërshtarët e tij nuk do ta kenë lehtë me të në ring. Përballja e tij e parë, tregoi se di të zotërojë ringun dhe ta mbizotërojë kundërshtarin.

Rrustemi frymëzohet nga tradita shqiptare e mundjes, krenaria e kullave të Kosovës dhe folklori shqiptar në përballjet me kundërshtarë. “Para se të dalë në rinj, gjysmë ore dëgjoj muzikë folklorike” thotë djaloshi shtatlartë nga Zhegra e Gjilanit, që me konstruktin e tij fizik dhe lojën që imponon, i jep bukuri ringut.
Ka krijuar njohuri të mira për boksin, në saje të vëllezërve Seferi dhe Agron Xhillës. Edhe familjarët e tij në Zhegër janë të entuziazmuar me sukseset e tij.

Eco Higjiena

Para duelit me hungarezin Toth i dërguan këtë mesazh “T`i nuk na zhgënjen, Erzen” dhe ashtu ndodhi. Tani e pret ndeshja e dytë në boksin profesionist.
Rrustemi pret që t`i kryqëzojë dorëzat me serbin Dragan Bajak në Vjenë të Austrisë dhe është shumë optimist se do ta kalojë edhe sfidën e dytë, ndonëse thotë se nuk e njeh kundërshtarin. Është i përgatitur fizikisht dhe psikikisht.

Boksi është 50 për qind shkathtësi fizike dhe 50 për qind inteligjencë, thotë ai. Në këtë rrugë ka hyrë me optimizëm të madh boksieri i parë dhe i vetëm shqiptar nga rajoni i Gjilanit në boksin profesionist. Beson se shumë shpejt do të radhitet në TOP 200-shin e parë të boksierëve botërorë. Është i përgatitur që t`i zhvillojë e fitojë tri deri në katër ndeshje brenda vitit.

Erzen Rrustemi është një emër që shumë shpejt do të bëhet i njohur gjithandej botës. Dëshira e tij është që në Kosovë të organizojë një spektakël humanitar në boks, për familjet e dëshmorëve dhe pse jo të zhvillojë këtu edhe ndonjë ndeshje për titull. “Askund nuk do të ndihesha më i fuqishëm se në Kosovë, përballë çdo kundërshtari”, thotë Rrustemi, duke nënvizuar se unë jam i gatshëm ta mbaj këtë premtim, pro varet nëse ka interesim edhe këtu për të organizuar një meç të tillë.

Erzeni është një emër që ka hyrë suksesshëm në rrugën e boksit dhe prej tij do të presin vetëm fitore, deri te titulli i botës në kategorinë ku garon. Seriozitetin e tij do të kemi rastin ta shohim pas pak ditësh. Ai ka trashëguar gjenin e krenarisë në lojërat popullore të mundjes dhe profesionalen në boksin botëror./rajonipress/