ARKATANA

“Epopeja e Zhegocit” periudhë e dhimbjes , krenarisë dhe sakrificës për liri

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Qemajl Mustafa kryetar i Gjilanit duke folur për “Betejën e Zhegocit” tha se kjo ngjarje përherë na bashkon dhe na e shfaq dhe rikujton një periudhë të përkushtimit sublim, një periudhë të dhembjes, por më së shumti na e shfaqë një periudhë të krenarisë e të sakrificës për lirinë, dinjitetin dhe përparimin tonë njerëzor e kombëtar.

Epopeja e Lavdishme e “Betejës së Zhegocit”, është shënuar me dinjitet. Pasi janë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, manifestimi qendror është mbajtur në Zhegoc, ku me fjalimet e tyre janë paraqitur kreu i komunës, Qemajl Mustafa, Ahmet Isufi, ish-komandant i Zonës Operative të Karadakut dhe përfaqësues të OVL të UÇK-së.

Këtë manifestim e ka nderuar edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i cili ka thënë se “Beteja e Zhegocit” dhe ajo e Marecit janë dy beteja dhe luftëra të rëndësishme të UÇK-së. “Këto beteja dhe këta dëshmorë që sot po i përkujtojmë na obligojnë edhe më shumë që të jemi më të angazhuar për t`i quar gjërat përpara” tha Thaçi.

Kurse kreu i komunës Qemajl Mustafa tha se “Beteja e Zhegocit” është njëra nga betejat e shumta të UÇK në hapësirën e Kosovës dhe më gjerë në të cilën sikur edhe kahdo tjetër ranë dëshmorë vajzat e djemtë tanë të cilët e kishin ndarë mendjen esull dhe plotësisht që të luftonin për lirinë e shqiptarëve edhe me çmimin që vetë të mos e përjetonin dhe të mos e gëzonin atë liri. .

Mustafa tha se të tillë ishin dëshmorët Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi e shumë të tjerë që krah për krah e guximshëm ranë në këtë betejë e që e ndoqën shembullin e mirë të të gjithë kolosëve pararendës nëpër historinë tonë të lavdisë e të qëndresës që nga periudha e Skënderbeut nëpër rilindjen tonë kombëtare, nëpër Lidhjen e Prizrenit, nëpër shumë përpjekje sporadike por krenare e deri te lufta e lavdishme dhe më e bashkuara e shqiptarëve gjatë shekullit që shkoi e që ishte lufta e UÇK.

Ishte kjo vazhdimësi e rënieve të njerëzve të shumtë të kësaj ane për një shekull e më shumë e që vazhdoi me rëniet si ajo e Kadri Zekës me vëllezërit Gërvalla, si ajo e Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Zija Shemsiut, si rënia e Agim Ramadanit, Abdullah Tahirit, Muharrem Ibrahimit e shumë e shumë të tjerëve e që në këto vite pat kulmuar me rënien unikate, titanike e të papërsëritshme të familjes legjendare të Adem Jasharit.

Mustafa tha se kjo luftë përfundimisht i tregoi botës që belaja me Serbinë po vazhdonte në një dimension më të madh se kurdoherë dhe kjo po shndërrohej edhe në tragjedi kolektive për shqiptarët dhe për rajonin por, i tregoi gjithashtu po kësaj bote demokratike se shqiptarët e kishin ndarë mendjen që me çfarëdo çmimi dhe përfundimisht ta shporrnin Serbinë nga këto hapësira që përherë ishin tonat për t’i zotëruar dhe ndërtuar sot me dijen, me vullnetin dhe me energjinë e mundin e tyre.

Fundamenti

“Lufta jonë e drejtë dhe dhuna e skajshme që Serbia tashmë e çartur ushtronte mbi ne bëri që përfundimisht bota demokratike e udhëhequr nga SHBA të provokohej rëndë dhe të merrte qëndrim për ta ndihmuar çlirimin tonë. Ky çlirim ndodhi në Qershor të vitit 1999 por, ç’është e vërteta liria jonë ishte liri kompromisi dhe jo e plotë me pasojat e së cilës po merremi edhe sot dhe do të merremi edhe ndonjë muaj në vazhdim.Në fund të fundit duhet pranuar që kështu kanë përfunduar luftërat dhe konfliktet kudo në botë dhe zgjidhjet në tavolinë përherë janë zgjidhje të kompromisit e ato janë të paksa më të dhimbshme përherë për më të dobëtin, por edhe për humbësin. E humbësi i madh këtu është Serbia sepse nuk e ka dhe nuk do ta ketë asnjëherë më Kosovën”.

Mustafa tha se e rëndësishme është shumë që të vazhdohet me këmbëngulje nga elitat tona politike që gjatë dizajnimit të kompromiseve të marrim maksimumin e mundshëm për momentin dhe për rrethanat nëpër të cilat po kalojmë. “E kemi bindjen e plotë që kryeministri i vendit dhe elita politike e Kosovës sot po e bën një gjë të tillë me plotë vendosmëri e me dinjitet e guxim” shtoj Mustafa.

Mustafa tha se heronjtë dhe dëshmorët përherë krijojnë rast të veçantë për ndërtimin e shoqërive të mirëfillta në mënyrë që njerëzit, pra qytetarët e këtyre shoqërive të jetojnë, të punojnë e të krijojnë të lirë. “Ky rast i veçantë na është dhënë neve gjithashtu këtu në Malësinë e Zhegocit, në Gjilan e më gjerë në hapësirën shqiptare. Ky rast na është ofruar me investimin e madh që bëmë ne të gjithë bashkë nëpër decenie por veçanërisht me investimin sublime që bënë dëshmorët e lirisë por edhe veteranët e luftës. Ju siguroj të nderuar që ne në Gjilan për këto vite të lirisë e sidomos për këto gjashtë vite të fundit të qeverisjes së komunës kemi dëshmuar që e kemi vullnetin e plotë, kemi dëshmuar që mundemi dhe me bashkimin e të gjitha energjive politike e krijuese të komunës mund t’ia dalim që të ndërtojmë një shoqëri të hapur, të angazhuar e cila krijon vlera jo vetëm për veten e saj por edhe për tërë rrethinën e saj dhe kombin tonë”.

Kemi qenë për këto vite pa u lodhur asnjëherë në radhë të parë pranë sakrificës së dëshmorëve dhe familjeve të tyre, pranë bujkut të mirë, pranë nxënësit, pranë mësuesit, pranë mjekut, pranë shërbyesit në administratë, pranë investitorit të komunës, pranë biznesit, pranë gurbetgjiut tonë, pranë sportit, kulturës e rinisë, me një fjalë kemi qenë përherë pranë qytetarit të kësaj komune për t’i dhënë atij shërbime të bollshme, të shpejta dhe të sakta dhe për t’i hapur mundësi për edukim të mirë e për punësim e që do të rezultonte me idenë themelore të dëshmorëve dhe të luftës e rënies së tyre për liri e që është jeta e lirë dhe e mirë e me plotë dashuri për lagjen, për fshatin, për fushën dhe malin e tij, për komunën e hapësirën kombëtare.

“Qytetari i kësaj malësie vetëm për këto vitet e fundit e ka të qartë se zgjedhjet e njëmendta demokratike prodhojnë pushtet dhe shtet demokratik që është plotësisht në shërbim të interesave dhe të kërkesave të tyre. Qytetari i kësaj malësie tashmë vije lirshëm dhe kurdo që ai mundet e donë në zyrën e kryetarit të komunës dhe të secilit zyrtar në komunë dhe lirshëm i shpreh kërkesat dhe shqetësimet eventuale të tij. Ky qytetar e ka kuptuar përfundimisht që komuna është e tij, krijues i shtetit është ai vet dhe pushtetin e vendos, e ndihmon por edhe e zhvendos prej aty me besimin e tij të lirë çdo katër vite” ka nënvizuar kreu komunal. Qytetari ynë e ka kuptuar përfundimisht që kryetari dhe komuna duhet dhe e kanë për obligim të jetë i të gjithëve pa dallim përkatësie politike, fetare apo etnike e racore” u shpreh Mustafa.

Ndërsa, ish komandanti i Zonës Operative të Karadakut Ahmet Isufi tha se rreshtimi i këtyre të rënëve kundër armikut shekullor, ishte rreshtim për lirin që ne të gjithë sot po e gëzojmë.“ Ideali i tyre kishte qëllimet e veta edhe jashtë kufijve të Kosovës, ngase mjaftë keq janë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Andaj gjaku i derdhur i dëshmorëve të rënë në luftën për liri ka bërë të mundur që ne të jemi këtu ku jemi sot”, ka thënë Isufi.

Ahmet Daku nga Shoqata e veteranëve të UÇK-së tha se gjithnjë ishim të përgatitur që krahas kushteve dhe rregullave demokratike e ndërkombëtare ta mbronim shtetin tonë. “Se është kështu u dëshmua shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe shteti që është duke u ngritur ngadalë krahas shteteve të tjera”, ka thënë Daku. /rajonipress/

Mund të ju interesoj: