Enver Muja mbetet pjesë e historisë institucionale të Gjilanit
Gjilan – Enver Muja ishte dhe mbetet një emër që lidhet ngushtë me ndërtimin institucional, përkushtimin qytetar dhe profesionalizmin administrativ në Gjilan. Ai ishte një nga figurat kyçe të kohës së formësimit të mekanizmave shtetërorë, njëri prej themeluesve të Arkës së Shtetit, bashkëthemelues i Këshillit për Vetëfinancim dhe, më pas, kryeshef ekzekutiv i Komunës së Gjilanit, një funksion që e ushtroi me përgjegjësi, guxim dhe vizion.
Enver Muja u shqua si kuadër i formuar dhe profesionist i përkushtuar, i cili në çdo detyrë që mori mbi vete, la gjurmë të qëndrueshme. Edhe në pozitën e kryeshefit ekzekutiv, ai u njoh për profesionalizmin e lartë, qasjen institucionale dhe vendosmërinë për ta avancuar administratën komunale, në kohë jo të lehta për vendin dhe për vetë funksionimin e institucioneve lokale.
Enver Muja, ish-kryeshef ekzekutiv i Gjilanit në dy mandate, u nda nga jeta më 7 tetor 2014, por kontributi i tij nuk u shua me ikjen fizike. Nëse njerëzit mund ta harrojnë me kalimin e kohës, historia e re e Gjilanit nuk mund dhe nuk duhet ta harrojë Enver Mujën sepse ai ishte pjesë e saj themelore.
Ai mbetet një nga kuadrot më të suksesshme administrative që ka pasur Gjilani, një drejtues i qetë, i urtë dhe i vendosur, që e dinte se si ndërtohet besimi brenda institucionit dhe si udhëhiqet administrata me etikë, korrektësi dhe ndjenjë përgjegjësie publike.
Në mbledhjen komemorative të mbajtur në nderim të tij, ish kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kishte theksuar se Enver Muja ishte gjithmonë i gatshëm të merrte mbi vete përgjegjësi dhe t’i ndante ato me kolegët, në funksion të realizimit të qëllimeve të përbashkëta institucionale.
“Enveri është shquar për qetësinë dhe urtësinë e tij, por mbi të gjitha për bashkëpunim dhe profesionalizëm. Ka qenë gjithmonë i gatshëm të marrë mbi vete detyra dhe t’i ndajë me kolegët, për t’i realizuar së bashku, me përgjegjësi dhe përkushtim”, kishte deklaruar Haziri.
Gati tri dekada të jetës së tij, Enver Muja i qëndroi pranë lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci, duke bartur detyra të rëndësishme, të përgjegjshme dhe shpeshherë të rrezikshme për kohën. Angazhimi i tij nuk ishte i rastësishëm, por i vazhdueshëm dhe i ndërgjegjshëm, gjithmonë në shërbim të interesit publik dhe të shtetit që po lindte.
Si një nga themeluesit e Arkës së Shtetit, bashkëthemelues i Këshillit për Vetëfinancim dhe më vonë si kryeshef ekzekutiv, Enver Muja la pas një trashëgimi institucionale të respektueshme dhe një shembull të administrimit të ndershëm e profesional.
Emri i tij mbetet i gdhendur në kujtesën institucionale të Gjilanit, si simbol i një administratori të përkushtuar, një qytetari të ndershëm dhe një shërbyesi publik që e pa detyrën jo si privilegj, por si mision./rajonipress/


