RCCOLA

Eni Koçi: Ja dëshira ime për babagjyshin…

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Eni Koçi, këngëtarja bukuroshe e skenës shqiptare, rrëfen në këtë intervistë projektin e saj më të fundit, “My Papi”, e bashkë me të edhe dëshirat për vitin e ardhshëm…

Ai që na çuditi më së shumti në këtë rrëfim, ishte vendimi i Enit për të vazhduar studimet e larta për Mjekësi. Po nga lindi kjo dëshirë? E zbulojmë bashkë.

Eni, sapo ke publikuar klipin tënd më të ri “My Papi”, për të cilin ke punuar në gjithçka vetë, që nga teksti, tek muzika; pse kjo zgjedhje?

Është e ditur që, si e bën ti punën për veten tënde, nuk e bën askush tjetër, ndaj edhe unë preferoj që t’i kuroj në detaje daljet e mia. Sidoqoftë, nuk jam asnjëherë e vetme në këto sipërmarrje, kam plot njerëz që më ndihmojnë. Edhe këtë herë për videon kam bashkëpunuar me “Urban Graphics”. Është hera e dytë që bashkëpunoj me ta dhe jam e lumtur, pasi kam marrë mjaft komente pozitive.

Ku është xhiruar videoklipi?

Klipi është xhiruar në Kosovë dhe sa herë e them këtë, më kujtohet ai i ftohti i tmerrshëm atje. Ajo që më çon në Kosovë është fakti se ata janë njerëz të mrekullueshëm, punojnë me dashuri, janë të qetë, është kënaqësi të bashkëpunosh me ata njerëz.

Cila ka qenë kënga e parë që ti ke realizuar vetë?

Nuk di ta saktësoj tani, por ka ndodhur vite përpara.

Çne kjo dëshirë për të krijuar muzikë, është diçka që vjen natyrshëm?

Ndonëse kam bashkëpunuar me kompozitorë të mrekullueshëm, gjithmonë kam pasur diçka për të ndryshuar në këngët e tyre… Ndërsa kështu, ndryshimet ia bëj vetes. Sa herë që e dëgjoj, ndryshoj diçka, derisa arrij në versionin final, në atë që unë kam në mendje, në atë që zemra ndjen.

I bën të gjitha vetë?

Jo, jo. Kam ngritur strukturat e duhura në studio dhe që të arrij rezultatin final punoj me djem të talentuar.

Do të krijosh edhe për kolegët e tu?

Nuk besoj se do e zgjeroj kaq shumë aktivitetin, sidoqoftë unë i mirëpres kërkesat e kolegëve të mi. Po sidoqoftë krijoj për Gretën. Meqë ra fjala, ajo është në përgatitje të një hiti të paparë.

Po për veshjet, Eni, vetë vendos?

Jo gjithmonë. Nuk jam kokëfortë në këtë drejtim, pranoj sugjerime, dhe kam disa mikesha të miat që më ndihmojnë në këtë aspekt, sepse ne këngëtaret e kemi shumë të vështirë këtë pjesë, nuk mund të veshim të njëjtën gjë dy herë.

A nuk mendon se është herët për të marrë përgjegjësi kaq të mëdha?

Unë mendoj se kjo është mosha ideale për të punuar, pasi kështu vë energjinë tënde në funksion të produktit final.

RCCOLA

Ke këngë shumë të njohura, por pak koncerte ‘live’ në axhendë… Sikur nuk je shumë e angazhuar në club-e?

Kjo ndodh sepse unë i seleksionoj vendet ku këndoj, por sidoqoftë jam mjaftueshëm e pranishme tek publiku, me ture të një tjetër karakteri. Këtë vit, pas kaq kohësh, do të jem në Tiranë mbrëmjen e ndërrimit të viteve.

Kur do të kesh një bashkëpunim me Gretën?

Ka kaq kohë që e mendoj, por punët nuk po na bëjnë bashkë. Gjatë javës së shkuar, ndërsa po punoja për një baladë, i thashë me gjithë dashurinë prej motre: “Greta, dua që këtë këngë ta realizojmë bashkë”. Mezi po pres ta kap dhe ta fus në studio. Nuk po ulemi dot të dyja, sepse Greta është shumë e angazhuar në parti, aq sa unë e shoh vetëm një herë në javë.

A është ajo, kritike në gjërat që t`i bën?

Edhe pse ajo nuk ka aq shumë kohë, unë nuk finalizoj asgjë pa dhënë Greta mendimin e saj; kam besim absolut tek ajo dhe është pikërisht Greta që jep ‘urdhrin’ për vazhdimin e projektit.

Eni, jemi në mbyllje të 2013-ës, si ka qenë ky vit për ty?

Finalizues për të ardhmen, pasi më në fund vendosa çfarë shkollimi do të zgjedh. Dëshiroj që të vazhdoj universitetin për Mjekësi.

Ç’është kjo zgjedhje?

I jam futur shkencës me themel. E adhuroj dhe jam e gatshme të punoj dhjetëfish që t’i mbaj të dyja paralel. Janë dy profile krejt të kundërta, por shumë të bukura në të njëjtën kohë dhe unë i adhuroj.

Ka ndonjë gjasë ta lësh muzikën?

Unë muzikën e kam parësore, nuk do ta lë kurrë pas dore. Do punoj me mish e me shpirt 24 orë në ditë, që t’i mbaj të dyja në të njëjtin nivel.

Çfarë pret nga 2014-ta?

2014-ta do të jetë viti i surprizave. Kaq mund t’ju them deri tani. Aktualisht unë jam maturante. Shpresoj të më ecë gjithçka si e kam planifikuar. U uroj të gjithë bashkëmoshatarëve të njëjtën gjë!

Sa përfshihesh në festa?

Unë e adhuroj këtë atmosferë, më duket sikur edhe njerëzit janë më të ngrohtë, më të mirë.

Këtë vit na the që do ta presësh vitin e ri jashtë shtëpisë… Si është ta presësh larg familjes?

Është bukur, se gjithsesi datën 1 do e kalojmë bashkë! Për më tepër do jem pranë publikut që dua shumë./bw/