Energjia pengesë për investime

Kosova nuk është vend i përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, si pasojë e moskompletimit të skemës së tarifave nxitëse dhe procedurave tejet të komplikuara për të investuar në këtë sektor. Kjo është gjetja kryesore e studimit “Tarifat nxitëse dhe rëndësia e tyre për investime në Kosovë” të botuar të dielën nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).
Studimi përfshinë një analizë të politikave publike të sektorit të energjisë, analizë krahasimore të skemës së tarifave nxitëse mes Kosovës, rajonit dhe vendeve të BE-së, si dhe vë në pah hapat që Kosova duhet marrë në promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Për Kosovën, si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, sasia e energjisë nga burimet e ripërtërishme në konsumin përfundimtar bruto të energjisë deri në vitin 2020 duhet të jetë 25%. Për të arritur këtë cak, si dhe për shkak të efikasitetit të tarifave nxitëse në stimulimin dhe sigurimin e prodhimit të energjisë së pastër, implementimi i tyre është tejet i rëndësishëm.