Ende s’ka riformatim as zvogëlim ministrish – Qeveria thotë se procesi po shkon mbarë

Qeveria e Kosovës po vazhdon të mos e finalizojë procesin e riformatimit të kabinetit qeveritar. Ende nuk ka një plan të qartë se a do të pakësohet numri i ministrive dhe kush do të emërohet në ministritë që po vazhdojnë të jenë bosh, shkruan Gazeta Express
Këshilltari i Kryeministrit, Faton Abdullahu, tha se në këtë fazë nuk mund të përgjigjen me konkretizime.
Megjithatë, sipas tij, çdo gjë po shkon në drejtimin e duhur. “Mund të themi se gjërat janë duke u zhvilluar në drejtimin e duhur dhe kjo pos tjerash është determinues i bashkëpunimit konstruktiv të palëve të koalicionit”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, emërimi i Ramiz Kelmendit në postin e zv.kryeministrit ishte një proces i mbyllur për median nga ana e Qeverisë. Vetëm pasi u emërua Qeveria njoftoi me anë të një komunikate.
Në media ka pasur pretendime se Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, do të emërohet në postin e ministres së Integrimeve Evropiane por kjo e fundit tha për Express se nuk ishte në dijeni këtë çështje.