Emini: Kërkoj nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga MAPL të ndërhyjnë menjëherë dhe të vendosin rend dhe ligjshmëri
Gjilan – Nuk e pranoj që konstituimi i Kuvendit të Komunës së Kllokotit të zhvillohet në objektin e Shtëpisë së Kulturës, një ndërtesë e ndërtuar nga Serbia, mbi të cilën ende funksionojnë zyrat e strukturave paralele. Gjithashtu, nuk e pranoj as futjen e kryetarit të ri të komunës në objektin që prej vitesh është uzurpuar nga Lista Serbe ka shkruar Arbër Emini, përfaqësues legjitim i shqiptarëve në Kllokot.
Postimi i plotë:
Në këtë ditë ku nderojmë gjakun, sakrificën dhe qëndresën e kombit tonë, unë ngre zërin me vendosmëri:
Nuk e pranoj që konstituimi i Kuvendit të Komunës së Kllokotit të zhvillohet në objektin e Shtëpisë së Kulturës, një ndërtesë e ndërtuar nga Serbia, mbi të cilën ende funksionojnë zyrat e strukturave paralele.
Gjithashtu, nuk e pranoj as futjen e kryetarit të ri të komunës në objektin që prej vitesh është uzurpuar nga Lista Serbe.
Ai objekt është ndërtuar për komunitetin nga organizatat ndërkombëtare jo për t’u përdorur si zyrë nga kryetari i komunës.
-Kërkoj nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga MAPL të ndërhyjnë menjëherë dhe të vendosin rend dhe ligjshmëri.
-Kërkoj nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga MAPL që çdo objekt zyrtarë i Kosovës në Kllokot, në çdo hyrje të objekteve para se të bëhet konstituimi të vendoset mbishkrimi me simbolet Shtetërore të Republikës Kosovës.
Nëse institucionet heshtin, nga sot u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kllokotit që të jemi të bashkuar dhe të ngremë zërin tonë, përmes pranisë sonë paqësore dhe qytetare, pranë këtyre dy objekteve, për të penguar konstituimin e kuvendit komunal në objektet që nuk janë zyrtare të Republikës Kosovës dhe Komunës Kllokotit, dhe për t’iu kujtuar institucioneve të Republikës Kosovës se:
Ne kërkojmë që konstituimi i Kuvendit të Komunës së Kllokotit të zhvillohet vetëm në objektin zyrtarë të Komunës Kllokotit.
Ne kërkojmë shërbime vetëm në ndërtesat legjitime të Republikës së Kosovës.
Ne kërkojmë funksionim normal të institucioneve tona.
Ne kërkojmë t’i japim fund pranisë së strukturave paralele serbe dhe uzurpimeve.
Qëndrimi ynë është i vendosur, por gjithmonë i ligjshëm, qytetar dhe sovran.
Çdo veprim tjetër;
Është poshtërim institucional.
Është fyerje për qytetarët shqiptarë të Kllokotit.
Është precedent i rrezikshëm dhe nuk do të lejoj që të vazhdohet në Kllokot.
Seanca konstituive DUHET të mbahet në objektin e ri të Komunës së Kllokotit, në institucionet tona legjitime, të ndërtuara për qytetarët e Kosovës dhe jo në hije të strukturave paralele.
Në këtë ditë madhështore kombëtare, kërkoj nga MAPL dhe të gjithë përfaqësuesit shqiptarë:
Mos u përkulni para listës serbe dhe strukturave ilegale.
Mos pranoni vendime që cenojnë sovranitetin.
Qëndroni në anën e drejtë të historisë.
Arbër Emini
Përfaqësues legjitim i shqiptarëve në Kllokot



