Elon Musk në Mars, Edi Rama dhe Albin Kurti luftojnë analfabetizmin

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Tymnajë dhe mjegullnajë në Dardani: Elon Musk është një ndër personat më të pasur në botë. Pasuria e tij aktuale është sa thuaja buxheti i Kosovës për 700 vjetët e ardhshëm, nëse ende do të jemi në planetin Tokë e që do të administrohet nga planeti Mars, përkatësisht nga Elon Musk.

Duke e parë se kjo botë apo planeti Tokë po ikën për lesh, sigurisht edhe me kontributin e madh të këtyre zotëruesve të kapitalit botëror, Elon Musk po kërkon alternativa të tjera ku do të jetojnë fillimisht ata që kanë këtë thesar të botës, pastaj edhe një pjesë e qytetarëve, vdekatarëve të thjeshtë që do t’i shërbejnë këtij moguli financiar si dhe të tjerëve të ngjashëm me këtë. Elon Musk planifikon që deri në vitin 2050 të dërgojë në planetin Mars ekspeditën e parë të banorëve nga Toka me kapsula të qelqit e që pastaj, nëse tregohet se ka sukses, ta bëjë kolonizimin e Marsit, kurse Tokën ta lë si një pushimore ku banorët nga Marsi do të vinin për pushime apo vizita të fundjavës. Për t’i krijuar kushtet për banim pati planifikuar që planetin Mars ta bombardojë me arsenalin bërthamor, mirëpo hoqi dorë për faktin se i tërë arsenali bërthamor që është sot në planetin Tokë është i pamjaftueshëm për arritje të qëllimit.

Për dikë kjo përpjekje e Elonit i ngjan një çmendurie, mirëpo është treguar se vetëm idetë e çmendura japin rezultate të mëdha. Po nuk do të thotë se ne shqiptarët nuk kemi ide, nëse nuk na çojnë drejt të së ardhmes atëherë, së paku na kthejnë nja 100 vjet prapa. Dy rapsodë të folklorit politik ditë më parë u takuan në Elbasan me ç’rast “vergllatën” këngët e vjetra folklorike – patriotike me një rimiks nga mbledhjet paraprake të dy qeverive. Këta janë Edi Rama, Atila i Shqipërisë dhe Albin Kurti, Xhengis Kani i Kosovës, tash në postet e kryeministrave të shteteve respektabile që kultivojnë miqësi të mirë dhe e zbatojnë parimin e mosndërhyrjes në punë të brendshme të këtyre shteteve që e flasin të njëjtën gjuhë, kanë histori të përbashkët, kulturë të njëjtë, përveç rasteve kur këtë ndërhyrje e bëjnë për interesa personale apo politike, por gjithnjë për të mirën e përgjithshme. Në Elbasan, në mbledhjen e dy qeverive, e që nga përmbajtja i paraprinë Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, u nënshkruan një kerr marrëveshje, secila më e mirë se tjetra dhe secila me mundësi dështimi më të madhe se tjetra.

Ishte shumë inkurajuese Marrëveshja për linjën hekurudhore midis Durrësit dhe Prishtinës, ndonëse nga pikëpamja logjistike Kosovës i shkakton shumë probleme për faktin se Kosova e ka portin në Shëngjin ku zbarkohen dhe shkarkohen dhjetëra e qindra kontejnerë në ditë, me mallra nga e tërë bota e të cilat shpejt e shpejt, por me shumë efikasitet, i përthithë tregu në Kosovë. Kosova është kampione e Ballkanit e, mbase, edhe e Evropës për shfrytëzimin aq të madh dhe aq efektiv të portit që e ka në Shëngjin. Pikërisht për këtë arsye, sigurisht për ta shkarkuar pak portin e Shëngjinit, të dy kryeministrat e kanë parë të arsyeshme, mbase edhe të domosdoshme, ta ndërtojnë linjën hekurudhore Durrës – Prishtinë me synime që edhe Durrësi të bëhet port i Kosovës. Largpamës janë të dy kryeministrat, pa asnjë dyshim. Vetëm figurativisht mund të krahasohet vija e Elion Muskut e gjithësisë në relacionin Tokë – Mars me linjën hekurudhore Durrës – Tiranë. Ajo që më bëri përshtypje të jashtëzakonshme e që më lë pa asnjë koment ishte zotimi i dy kryeministrave se në vitin 2022 do ta kemi Abetaren e përbashkët.

E jashtëzakonshme, e pabesueshme dhe e mahnitshme kur dihet në Kongresin e Manastirit, në vitin 1908 ishte hartuar Alfabeti i parë i gjuhës shqipe, me shkronja dhe shenja të alfabetit, si të ishin në një shoqëri aksionare, 50 për qind në gjuhën shqipe e 50 për qind të tjera në gjuhët joshqipe. Në këtë kontekst politikanët dhe intelektualët shqiptarë kanë folur, shkruar dhe vepruar, që nga viti 1908 e deri tash, prandaj “madhështia” e këtij propozimi është se që nga viti 2022 do të pajisen me një Abetare të përbashkët prandaj, nëse i mësojnë të gjitha shkronjat, do ta kenë mundësi të shkruajnë, mendojnë dhe veprojnë në gjuhën shqipe, në përputhje me Abetaren e përbashkët. Çfarë propozimi ky, së paku që mund të thuhet është se i ngjanë një çekuilibrimi të natyrës mendore. Në kohën kur çdo gjë është apo po digjitalizohet dhe kur parashihet që shkollimi të vazhdojë në planetin Mars, të dilni me një propozim të tillë që i ngjanë luftës kundër analfabetizmit siç është puna e Abetares së përbashkët është lojë k…sh me popullin! Asgjë tjetër. Politikanët tanë po veprojnë me logjikën e Alfabetit të Manastirit, por tash me një përqindje tjetër; 80 për qind siç duan të huajt dhe 19.5 për qind sipas interesave personale, ndërsa për shkak të respektit të madh që e kanë për popullin, duke mos dashur ta ngarkojnë me shifra të larta, popullit ia kanë lënë fuqinë vendimmarrëse 0.5 për qind. Në fund të fundit, nuk kanë çfarë të bëjnë politikanët tanë të mjerë, po jetojmë në kohën e inflacionit galopant njerëzor, moral, kombëtar dhe politik!

Kur gjenerali përfundon në rakita – Rakitje: Gjeneralët e vërtetë, në paqe e sidomos në luftë, nuk mashtrohen me shkëlqimin dhe numrin e yjeve që i kanë të qepura në epoletat e uniformës që e bartin. Pamja e jashtme e shkëlqimit shndërrohet në ndryshk nëse nuk është në përputhje me përmbajtjen e brendshme. Është shumë e qartë se titujt ushtarakë fitohen më lehtë në kohë të luftës duke anashkaluar procedurat si shkollimi, profesionalizmi dhe afatet kohore kur arrihet deri te këto grada. Jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet e botës. Mirëpo pas përfundimit të luftës, nëse doni ta keni një ushtri profesionale, atëherë titujt ushtarakë të fituar në luftë më shumë kanë peshë pezhorative apo gradime të nderit dhe përsëri mbizotëron kriteri profesional. Nëse doni ta keni një ushtri profesionale! Në Kosovë ka shumë profesionistë ushtarakë, të rinj që kanë mbaruar shkollimin ushtarak në akademitë më të njohura të botës, mirëpo në Kosovë janë penguar të përparojnë, kanë vendnumëruar pikërisht për shkak të profesionalizmit të tepërt.

Një gjeneral i vërtetë, Nderin e Gjeneralit e ka mbi të gjitha, madje edhe mbi jetën! Një gjeneral i flakëruar me një shkëlqim të rremë nderin e vendos në bisht të sorrës dhe nuk brengoset që, pas largimit të sorrës, sorra bëhet bartëse dhe pronare e nderit të rremë. Në Kosovë ishte bërë një luftë e jashtëzakonshme dhe e lavdishme e së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Luftë që organizuan dhe e filluan një grup idealistësh kombëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve kaluan në përjetësi, me idealin e panjollosur dhe të virgjër. Në këtë luftë morën pjesë edhe një numër i profesionistëve ushtarakë të armatës nga ish-Jugosllavia. Ata që e bënë këtë luftë, pra këta ushtarakë e që ishin të bindur dhe kombëtarisht të ndërtuar mirë, nuk dallonin asgjë nga idealistët që luftuan pa një përvojë ushtarake. Ndërkaq, disa ushtarakë nga ish-Armata e Jugosllavisë, bartës të gradave të larta, me frikën dhe kalkulimet e tyre, më shumë e penguan luftën se që e ndihmuan, por kjo nuk u pengojë që pas përfundimit të luftës në Kosovë t’i gëzojnë të gjitha privilegjet dhe nderet, në radhë të parë ato materiale sikur që u rehabilituan për gjërat që nuk do t’ua falnin as në ferr.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë isha si monitorues kur nga gjykatësi shovinist serb Llazareviq gjykohej “Grupi i Adem Jasharit, në mesin e të akuzuarve dhe të dënuarve ishin dhe Hashim Thaçi, Rrahman Rama dhe të tjerët” më bëri përshtypje pikërisht rasti i Rrahman Ramës, duke mos e paramenduar që do të vinte dita e ta merrte një pozitë siç e kishte në TMK dhe FSK.

Çdo fillim e ka një përfundim dhe në jo pak raste përfundimi është në shpërputhje të madhe me fillimin apo synimin. Ka më shumë se dy muaj që Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, pati filluar shkarkimin e gjeneral Rrahman Ramës, me propozim të kryeministrit të Kosovës. Ishte një notë e dërguar nga ShBA-ja Qeverisë së Kosovës për tejkalimin e shfrytëzimit të donacioneve ushtarake nga ShBA-ja, nga FSK-ja, në kundërshtim të plotë me kushtet e marrëveshjes ku Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kërkon që Rrahman Rama t’ua ndërrojë “ngjyrën autoblindave” në mënyrë që me to të intervenohet në veri të Kosovës. Kjo kërkesë që konsiderohet si keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe falsifikim, u refuzua nga gjenerali Rama e që u përdor si pretekst për shkarkim të gjeneralit, jo pse e ka shkelur ligjin, por pse e ka mbrojtur ligjin. Në një vend normal, ministri Mehaj nuk do të kishte kohë as t’i mbledhë gjësendet personale nga zyra sepse shkarkimi i tij do të ishte i menjëhershëm sikur edhe thirrja në përgjegjësi penale. Në anën tjetër, presioni për shkarkim të gjeneralit Rrahman Rama sa shkonte e rritej dhe kjo trysni bëri që gjenerali të hyjë në marrëveshje dhe të ofrojë dorëheqje duke përfunduar në Rakitje (Kroaci) në një post social e që nuk ka asgjë të përbashkët me punën që e ka bërë deri tani.

Pra, lëkura profesionale dhe uniforma e gjeneralit Rama tash e tutje do të kacavirret në rakitat e fshatit Rakitje. Për lexuesit dua ta jap një sqarim se rakitat janë një lloj thuprash që rriten buzë lumenjve e që janë shumë të lakueshme. Më kujtohet se si fëmijë në Podujevë laheshim në lumin Llap, “te rakitat e Vojës..”, që shumë herë na ndiqte nga aty dhe, nëse na zinte, i fshikullonte rakitat në b….t tona që bëheshin sikur të ishim ulur në hitha. Një gjeneral i vërtetë asnjëherë nuk do të pranonte këtë dorëzim të formuluar si: “një angazhim në një mision tjetër, me shumë rëndësi për rajonin …përqeshje e paturpshme”. Rrahman Rama nuk ishte dorëhequr, por ishte dorëzuar para një shkarkimi të mundshëm të një komandanteje të përgjithshme të “Ushtrisë së Kosovës”, që po e konsiderojnë si vazhdimësi të UÇK-së e që nuk është aspak e vërtetë dhe e cila ka lidhje me luftën e lavdishme të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës për qa sa unë kam lidhje me kryengritjen e meksikanëve nën udhëheqje të Panço Vilas dhe Emiliano Zapatas. Sa poshtë ka rënë Kosova!

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS