Elina Dunit, çmimi “Jazz Pott” në Gjermani

Me rastin e ndarjes së çmimit, më 18 tetor në Essen do të mbahet një solemnitet bashkë me koncertin e Elina Dunit dhe grupit

Çmimi „Jazz Pott“ që ndahet në qytetin Essen të Gjermanisë për realizime në fushë të muzikës së xhazit, këtë vit shkon në duart e këngëtares shqiptare, Elina Duni.

“Me një zë të ndjeshëm dhe e shoqëruar nga instrumentistë të shquar, ajo i vesh këngët popullore të Ballkanit me një rrobë bashkëkohore xhazi”, shkruan për Elinën gazeta gjermane “Neue Musik Zeitung”.

Me rastin e ndarjes së çmimit “Jazz Pott”, të pesëmbëdhjetit me radhë, më 18 tetor në Grillo Theater të qytetit Essen do të mbahet një solemnitet bashkë me koncertin e Elina Dunit dhe grupit të saj.

Koncerti i kuartetit Elina Duni bën pjesë në serinë e koncerteve “Jazz in Essen”, ku ai prezanton programin “Balkan Folk goes Vocal jazz”.

“Elina Duni është një talent i jashtëzakonshëm. Si vogëlushe 5 vjeçe, në Tiranë, ajo ka hipur për herë të parë në skenë. Ajo ka mësuar violinën, ka marrë pjesë në festivale të fëmijëve dhe ka kënduar në radio dhe në televizion.

Në vitin 1992, në moshën 11 vjeçare vjen në Zvicër. Në Gjenevë ajo studion pianon klasike por gjatë kësaj kohe zbulon pasionin e saj për xhazin. Në Bernë ka studiuar pastaj muzikën e xhazit, këndimin dhe kompozimin. Aty, në vitin 2004 së bashku me kolegun e studimeve, Colin Vallon themelon kuartetin i cili do të merret me këngët popullore të vendit të saj dhe të vendeve tjera të Ballkanit”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS