Hidromorava

Elektoralizmi i kryeministrit

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Artur Zheji-Partitë shqiptare janë partitë e Njëshit dhe sillen rrotull Njëshit. Ky model që përfaqëson sot Partia Demokratike është një lloj modeli që, ose pranohet si është, ose për ta ndryshuar duhet ta copëtosh. Mirëpo po e copëtove, duam s’duam, ke marrë rrugën e pashmangshme të Opozitarizmit.

Lexova me vëmendje intervistën e deputetit demokrat Mark Marku. Brenda respektit për integritetin e personit dhe të mendimeve të tij, të cilin e perceptoj pro një PD-je edhe më të fortë, edhe më elektorale, edhe më demokratike, ngritën krye disa perceptime të tjera, të kahershme dhe më të reja në llojin e tyre. Këto perceptime lidhen me liderin absolut të kësaj partie, Sali Berishën.

Tashmë, Doktori dhe Partia Demokratike, janë një lidhje e pandashme. E tipit, si mishi me kockën. Dhe kocka apo ashti, apo kollona vertebrale e kësaj partie, duam s’duam, është ai, Sali Berisha. Duket emfatike po është realiste dhe konstatim i drejtpërdrejtë.

Sepse kush u shkëput prej tij, u shkëput në fakt nga partia, që mbeti gjithmonë rreth tij. Aq sa mbeti, aq sa qëndroi. Gjithmonë e ‘rrezikshme’ dhe gjithmonë parti e madhe dhe me peshë.Kushe braktisi Berishën, në vitin e zymtë ’97, në fakt braktisi Partinë Demokratike.Kushu kthye te Sali Berisha, u kthye edhe te Partia Demokratike. Pati shumë prova dhe sprova për të vërtetuar të kundërtën. Që ai dhe partia, janë dy entitete të ndryshme dhe të ndashme.
Elektoralizmi i kryeministrit

Pati shumë përpjekje, të respektueshme ose jo, ballore apo tinzare, për të ndarë Berishën nga Partia Demokratike dhe Partinë Demokratike nga Sali Berisha. Mirëpo asnjëra prej tyre nuk funksionoi. Asnjëherë dhe për asnjë çast të vetëm.

Nuk mund të themi nëse ishte apo është mirë apo keq, që ishte apo është kështu. Fakti historik mbi 20 vjeçar dhe i papërgënjeshtrueshëm, është kokëfortë. Me të mirat dhe me të këqijat e veta, me triumfet apo disfatat, me rrokje lartësish apo rrokullisje, me Pushtet apo Opozitë, me konflikt apo paqe, duhet pohuar se kjo Parti Demokratike që njohim sot, pa Sali Berishën, ashtu si ishte dhe ashtu si është, pa virtuozizmat apo defektet e tij, pa Sali Berishën pra, nuk mund të ekzistojë.

Është pra një rast unikal, që kapiteni është edhe konstruktor, edhe bashkëjetues i pandashëm i anijes që e mbart në fitore apo në humbje, në detra të qetë apo në vorbullnaja, në porte ekzotike apo rrugëhumbur në stuhira.

Në këtë këndvështrim, ku preferoj të jem vëzhgues dhe si gazetar kam qenë realisht një vëzhgues 20 vjeçar, Partia Demokratike duket si e derdhur në një kallëp bronxi së bashku me liderin e saj. Partia nuk ‘çlirohet’ dot nga ai, themeluesi dhe kapiteni dhe ai, nuk çlirohet dot nga partia. Anija e sukseseve apo humnerave, e fishekzjarrëve apo e kërcënimeve funerale.

Është kjo një gjë e mirë, e shëndetshme dhe demokratike? Ndoshta po, ndoshta jo. Mirëpo duke llogaritur vitet e mbajtjes së pushtetit dhe numrin e votave, një gjë është e sigurt: ‘në realitetin shqiptar ka rezultuar e suksesshme!’

Duket sikur Berisha është gjithmonë një kat më lart se të tjerët, diku në një majë virtuale dhe i paprekshëm nga psherëtimat apo kontestimet e të pakënaqurve. Kujdes, të pakënaqurit dhe kritikët e të gjitha kohërave, si dhe mendimi i Pakicës, në qerthullin e një Shumice amorfe, janë padyshim të ngjashmit e mi.

Fundamenti

Por me fakte dhe shifra në dorë, duke gjykuar politikisht dhe historikisht, askush nga Partia Demokratike, jashtë, pa apo kundër Berishës, nuk e ka fituar dot betejën e madhe ndaj Berishës. Është ky një frustracion për sfidantët? Sigurisht që po. Është ky, të sfiduarit, një trend që duhet të vazhdojë? Sigurisht që po.

Partia Demokratike nuk është një pronë e Berishës, kjo dihet dhe duhet të dihet. Por pa lidershipin, zgjidhjet, zgjedhjet dhe gabimet e Berishës, kjo parti do të ishte ndryshe. Do të ishte një parti tjetër dhe askush nuk di të thotë nëse do të mund të fitonte dot ndonjë palë zgjedhje, kjo parti tjetër, apo kjo parti e tjetërsuar.

Sepse Berisha kur fiton, vërtet e aklamon i pari fitoren, qarkuar pasurisht me dafinat përkatëse, por edhe kur humb, nuk çohet asnjëherë nga tavolina pa paguar ai vetë faturën dhe kostot politike apo personale, deri në qindarkën e fundit.

Sepse për çdo gjë që ndodh, për faj të zgjedhjeve apo zgjidhjeve të tija, qofshin të gabuara apo të ngutura, Kryeministri përballet vetë dhe drejtpërdrejtë me pasojat. Në të mirë e në të keq dhe pa fshehur kokën si struci. Cilësi të cilën, akoma askush nuk e ka në Partinë Demokratike.

Duke vlerësuar edhe njëherë kriticizmin konstruktiv (me disa përjashtime emrash) të Mark Markut, mendoj se është vërtet koha për një debat në Partinë Demokratike. Një debat të hapur, të përgjegjshëm dhe të ndershëm meritokratik. Por duke e përfshirë dhe jo duke e përjashtuar Sali Berishën. Sepse, detyrohem ta përsëris edhe pse perceptoj reagim mosaprovues, mishi nuk ndahet nga kocka në një organizëm të gjallë.

Nuk mund të ketë një rithemelim të Partisë Demokratike, pa themelin dhe themeluesin Berisha. Sepse Partia Demokratike është sot një parti berishiste, është e kotë të kultivohen iluzione të tjera dhe krejt të ndryshme nga realiteti kokëfortë i fakteve kokëforta dhe me qëndrueshmëri historike.

Është ky modeli më i mirë në konstitucionin e një partie?! Personalisht do të preferoja një strukturë më të moderuar. Por të tilla nuk ka pasur apo ndoshta nuk gjinden më në Shqipëri. Partitë shqiptare janë partitë e Njëshit dhe sillen rrotull Njëshit. Ky model që përfaqëson sot Partia Demokratike është një lloj modeli që, ose pranohet si është, ose për ta ndryshuar duhet ta copëtosh. Mirëpo po e copëtove, duam s’duam, ke marrë rrugën e pashmangshme të Opozitarizmit.

Këtu qëndron edhe sekreti elektoral i Kryeministrit, mbajtja e jetëgjatësisë së Pushtetit, përmes drejtimit të tij. Të vetëm dhe të padiskutueshëm.

Sepse dje, sot apo nesër, ai, i vetëm ka paguar dhe do të paguajë gjithmonë deri në qindarkën e fundit faturat e kostove politike dhe personale. Ekuipazhi i anijes edhe mund të hipë në varkat e shpëtimit, të ndryshme dhe të shumëllojshme. Ndërsa Berisha, nuk ‘çlirohet’ dot nga partia e tij.

Keq apo mirë, kjo është fotografia e këtij realiteti politik.