Elbasan, 43-vjeçarja masakrohet me thikë nga bashkëshorti

Elbasan- Një krim i rëndë brenda familjes është regjistruar në orët e para të kësaj të hëne në qytetin e Elbasanit.
Në një lagje të këtij qyteti rreth orës 04:40 minuta burri ka qëlluar për vdekje me thikë bashkëshorten e tij, 43 vjeçe pasi e kishte dhunuar për disa orë në banesën ku ata jetonin prej kohësh.
Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bënë të ditur se shtetasja V.Hasani, nënë e dy fëmijëve humbi jetën rrugës për në spital, për shkak të hemarrogjisë së shkaktuar nga plagët.
Pas krimit autori ka tentuar të largohej nga banesa, por është kapur nga policia e cila ishte sinjalizuar nga fqinjët e familjes ku ndodhi krimi. Viktima sipas policisë, dyshohet se është dhunuar për disa orë nga bashkëshorti i saj dhe në agimin e kësaj fillimjave ai e ka vrarë atë duke e qëlluar me thikë në gjoks e në pjesë të tjera të trupit.
Nga hetimet paraprake të policisë ka rezultuar se mes burrit dhe viktimës prej kohësh kishte mosmarrëveshje dhe se mbi 43-vjeçaren ushtrohej dhunë nga bashkëshorti në mënyrë sistematike.
Ndërkaq po punohet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarje, e cila shënoi krimin e radhës brenda familjes. (BW)