RCCOLA

Ekzekutim mafioz në Tiranë, vritet me 7 plumba 35-vjeçari

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Tiranë – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 22:50 në zonën pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në rrugën drejt liqenit ne Tiranë.

Si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me armë zjarri ka humbur jetën shtetasi Bledar Balliu 35 vjeç. Policia deklaron se viktima ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe është vënë menjëherë në kërkim të autorit të vrasjes. Policia është në kërkim të autorit rreth 50 vjeç, i cili pasi ka kryer vrasjen i maskuar me një kapele është është larguar në këmbë.

Mësohet se policia është vënë në ndjekje të një automjeti tip Audi A4 ngyrë e zezë në drejtim të Kasharit.

Bledar Balliu, i njohur dhe me emrin Arif Shehu u akuzua pak kohë më parë se kishte ekzekutuar Aleksandër Koliçin, pikërisht në zonën e “Petro Ninit” në korrik të 2011-ës. Por, në gjyq Balliu nuk ka pranuar të ketë lidhje me vrasjen e 47-vjeçarit, Aleksandër Koliçi. Balliu doli para trupit gjykues në Gjykatën e Tiranës për të marrë vlerësimin e masës së arrestit.

Fundamenti

Ai dëshmoi se në kohën e vrasjes së Koliçit kishte pirë kafe në një nga lokalet në kryeqytet dhe pasi kishte mbaruar punët e tij kishte shkuar në banesë. Por prokuroria tha se kishte prova të cilat sipas saj, provojnë se Balliu ishte përfshirë në vrasjen e Koliçit. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, gjykata urdhëroi 40 ditë arrest me burg. Balliu u arrestua një ditë pas vrasjes, transmeton BW.

Aleksandër Koliçi u arrestua pak vite më parë së bashku me gjashtë të pandehur të tjerë në kuadër të operacionit të koduar “Poter – Al”. Grupi kriminal ishte përgjuar nga autoritet e huaja gjatë viteve 2003 – 2004, prej nga ishte zbuluar dhe linja e trafikut.

Sipas prokurorisë, bëhej pjesë për një grup të strukturuar kriminal dhe të dyshuarit kryesorë ishin Ilir Koçiaj, Geront Tola, Geront Dedja, Zamir Vadardha, Leonard Çobaj, Bledi Balliu, Aleksandër Koliçi, Aleksandër Gremi dhe Ervin Tavanxhi, ky i fundit djali i një ish – deputeti, të cilët u prangosën në qytetet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë. Me vendimin Nr.15 të datës 10 mars 2008, pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjykatësi Sandër Simoni e dënoi Aleksandër Koliçin me 4 vite burg dhe 500 mijë lekë gjobë burg për akuzën e trafikut të narkotikëve kryer në bashkëpunim.

Koliçi përfitoi ulje të dënimit për shkak të statusit. Gjithashtu, ai përfitoi edhe për shkak se pranoi akuzën dhe u gjykua me procedurë të përshpejtuar. Edhe bashkëpunëtori i tij, Bledar Balliu, u dënua me 8 vite burgim dhe një milion lekë gjobë. Pjesëtarët e tjerë të grupit “Poter-Al”, një prej operacioneve më të suksesshme policore, iu nënshtruan një gjykimi normal. Anëtarëve të grupit kriminal iu janë sekuestruar dhe pasuritë e vëna nga aktiviteti kriminal.