RCCOLA

Ekspozita/ Zbulohen udhëtimet letrare të Ismail Kadaresë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Libri i parë “Frymëzimet djaloshare” (1954) dhe dorëshkrimi i përkthimit të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në arabisht (1974) nga Abdyl Latif Arnaut, duken si relike të rralla në bibliografinë brilante të Ismail Kadaresë.

Ja dhe një faksimile e gazetës “Drita” të vitit 1990, që mban titullin “Akt i turpshëm i shkrimtarit Ismail Kadare”. Ky dokument tregon përpjekjen e fundit të diktaturës për të mposhtur shkrimtarin, pasi e detyroi të arratisej në Paris. Shumë nga librat e tij të parë, disa edhe të ribotuar pas censurimit, dorëshkrime origjinale, përkthime në gjuhë të huaj janë ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare nga sektori i bibliografisë dje në Tiranë. Biblioteka Kombëtare dhe shtëpia botuese “Pegi” kremtuan ditëlindjen e shkrimtarit përmes një mbrëmjeje të veçantë.

Një kremtim intim dhe jo ceremonial e ka quajtur drejtoresha Persida Asllani aktivitetin “Një mbrëmje me Kadarenë”. “Kjo ekspozitë specifike e konceptuar nga sektori i bibliografisë, kushtuar botimeve të rralla të Ismail Kadaresë vjen si prezantim i “Bibliografisë” më të fundit kushtuar veprës së autorit nga studiuesja e re Jorina Kryeziu”, tha drejtorja e Bibliotekës Kombëtare, duke shtuar se “Përvojat personale dhe profesionale të studiuesve të afirmuar të shkrimtarit, por edhe studiuesve të rinj do të sillen për publikun përmes një bashkëbisedimi të hapur ku ligjërimi letrar dhe ai për letërsinë do të shkrihen në një homazh dhe urimi për ditëlindjen e shkrimtarit”.

KKGJILAN

Ndërsa falënderon për punën e bërë për bibliografinë më të fundit kushtuar veprës së autorit nga studiuesja Jorida Kryeziu, botuar nga “Pegi”, Asllani thotë se ky është fillimi i punës për një bibliografi të plotë, e cila mungon deri më sot për veprat e Ismail Kadaresë. Përmes ekspozitës me materiale që ka ndihmuar edhe autorët në hartimin e bibliografisë, mund të gjeje shumë surpriza dhe fakte të panjohuara, jo vetëm të karrierës së shkrimtarit në diktaturë, por edhe për mënyrën e leximit, peceptimit dhe përhapjen e letërsisë së Ismail Kadaresë gjatë shekullit të kaluar në dhjetëra gjuhë të botës.

Në një kënd të eskpozitës është përkthimi i tij i parë në gjuhë të huaj, “Lirikat” në gjuhën ruse, kur Kadare ishte 24 vjeç. Në vitet ‘50-‘60 Kadare ka qenë nga të rrallët shkrimtarë shqiptarë që gjendej i përkthyer në disa gjuhë të botës; në gjuhën frënge, në gjuhën ruse, në gjuhën rumune, etj. Jashtë kufijve të Shqipërisë Ismail Kadare kishte një lexues tjetër, që e shihte shkrimtarin në rangun e shkrimtarëve më të mirë botërorë. Jo më kot “Gjenerali” gjendet i përkthyer edhe në gjuhën arabe, ndërsa përkthyesi e dhuron me autograf këtë dorëshkrim në vitin 1978. Ishte koha kur shkrimtarët shqiptarë po izoloheshin prej diktaturës komuniste përfundimisht nga bota, transmenton Shqiptarja.com

Por sa janë shënuar në jetën dhe biografinë e shkrimtarit këto udhëtime të ndritshme letrare. Pikërisht, Dr. Lili Sula ka trajtuar më konkretisht sfidën bibliografike të botimit, ndërsa thekson faktin që ende nuk është dëshmuar se në sa gjuhë të botës është përkthyer Ismail Kadareja. Ndërsa Bashkim Kuçuku dhe Viola Isufaj, studiues të Kadaresë, trajtuan marrëdhënien e ngushtë që krijohet mes studiuesit e letërsisë dhe botimeve të Ismail Kadaresë, si dhe për mungesën e studimeve mbi përkthimet e veprave në gjuhë të huaj.