Fundamenti

Ejupi, mysafir i Dinamo Zagreb

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi, vizitoi sot NK Dinamo nga Zagrebi, me ftesë të presidentit Zdravko Mamiq.

Ejupi në Zagreb u prit nga drejtori sportiv, Zoran Mamiq, dhe zyrtarët e tjerë të klubit, kampion i shumëfishtë i Kroacisë në futboll dhe momentalisht lider në Ligën e parë të Kroacisë, pas disa kontakteve të mëparshme që kishte me krerët e ekipit kroat.

Në takim me përfaqësuesit e “Dinamos” presidenti Ejupi diskutoi rreth modaliteteve të bashkëpunimit mes dy klubeve, derisa hapat e parë të këtij bashkëpunimi pritet të realizohen qysh në pranverën e këtij viti. Në veçanti u arrit pajtimi për fillimin e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Futbollit të NK Dinamo dhe Shkollës së Futbollit të FC Prishtina, e më pas edhe për bashkëpunimin mes stafit teknik dhe trajnues të të dy klubeve, si dhe mundësia që lojtarët e rinj të Prishtinës të përfitojnë nga përvoja e Dinamos.

UBT

Kështu, së shpejti drejtori Mamiq dhe udhëheqësi i Akademisë Futbollistike të Dinamos, Romeo Jozak, do të vizitojnë Prishtinën për të vlerësuar potencialin e futbollistëve të rinj prishtinas. Ndërsa, që nga java e ardhshme talentet e FC Prishtina do të kenë mundësinë të testohen tek klubi i Dinamos. “Ka kohë që jemi duke bashkëbiseduar me Dinamon rreth bashkëpunimit në disa nivele. Dinamo është klubi më i organizuar dhe me rezultate edhe në nivelin e garave evropiane tani për tani në rajon. Ne e kemi përcjellë me kujdes mënyrën e organizimit dhe veprimit të këtij klubi dhe mendojmë se do të jetë partner i rëndësishëm për ngritjen e mëtejme të Prishtinës, si klub që aspiron të garojë në arenat ndërkombëtare”, theksoi presidenti Ejupi.

Po ashtu, Ejupi dhe Mamiq në parim u dakorduan për organizimin e ndeshjeve miqësore në mes të dy klubeve, në Prishtinë dhe në Zagreb, si dhe mundësinë e pjesëmarrjes se FC Prishtina, grupmosha U- 17, në turneun tradicional memorial “Mladen Ramljak”, që organizohet çdo vit që nga viti 2003, e në të cilin marrin pjesë ekipe me renome evropiane.(zeri)