RCCOLA

Egzona: Dua ta përfaqësojë Kosovën

/ 3 minuta lexim

Egzona Miroci tashmë një emër i njohur në fushën e modës, mbase fillimi i saj në karrierë brenda një periudhe të shkurtër bëri që modelja të korr suksese të menjëhershme.

Edhe pse jeton në Zvicër Egzona asnjëherë nuk shuan dëshirën për të ushtruar profesionin e saj të modës në Kosovë, ndonëse gjatë periudhës së fundit ajo ka lidhur një bashkëpunim me disa kompani dhe organizator të modës në vend. Edhe Egzona si shumë modele të tjera, synon për një karrierë më të madhe, duke u munduar që një ditë përveç Kosovës të njihet edhe ndërkombëtarisht. Dhe qëllimi i saj i vetëm është përfaqësimi i vendit në pasarela botërore.

“Modelimi më ka pëlqyer gjithmonë, mirëpo tani e disa vjet kam nisur të merrem me të dhe kështu çdo ditë e më shumë po mundohem të përmbushë ëndrrën time fëmijërore. Ajo që më bënë të lumtur është suksesi, ngase në eventet në të cilat kam marrë pjesë këtu në Zvicër, jam vlerësuar shumë nga të pranishmit dhe juria. Andaj dëshira ime aktualisht është që profesionin tim të modës ta ushtroj në Kosovë dhe ta përfaqësoj në ndonjë event jashtë vendit”, është shprehur ajo.

RCCOLA

Egzona gjatë vitit 2014 planifikon të nisë një bashkëpunim në Amerikë, por aktualisht nuk preferon të flasë më shumë për të duke ia lënë kohës. “Jam një tip që nuk preferoj të flas para se t’i arrijë synimet, kështu që pasi t’i përfundoj të gjitha mund të flasë” shton ajo. Egzona krahas modelimit do të merret edhe me studime, ajo aktualisht është duke vijuar mësimet në fushën e ekonomisë. Në të ardhmen ajo shpreson të bëhet edhe një ekonomiste profesionale.

“Në fakt më duket se fusha e ekonomisë përkon me çdo profesion tjetër, kështu që edhe në modelim mund të më hyjë në punë. Prandaj është një profesion që më pëlqen shumë dhe në të ardhmen shpresoj të bëhem një ekonomiste e zonja, i cili profesion mund të më shërbejë edhe në fushën e modës”, thekson ajo. Ndërkaq sa i përket jetës sentimentale, Egzona vazhdon të jetë singël, duke u përqendruar tërësisht në ndërtimin e karrierës./zeri/