Mobi Casa

Edi

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Xhemal Ahmeti – Perëndimi nuk ia çmoi artin ashtu siç synonte ai. I kapitur nga ecejaket galerive periferike të Parisit dhe Nju-Jorkut dhe për t’i shpëtuar katitjes Edi Rama u kthye në Tiranë. Dhe u bë politikan.

“Buldozer që shkul anarkinë urbane”. “Inspektor Corrado Cattani i Damiano Damianit” (“La Piovra” – Gjithë kundër mafisë, 1984) që i shpalli luftë mafisë, plehut dhe kalbësisë politike. Ja si portretohet arkivave të mediave perëndimore kryesocialisti shqiptar Edi Rama. Për projektin e tij “Clean and Green” (2002) OKB e nderoi me çmim. Komuniteti virtual “City Mayors” e shpalli World Mayor- in e vitit 2004.

Krahas rrëfimit elozheplotë, për politikanin prototip që do të shpëtojë gadishullin nga feudopatriarkët nxitës e eutanazikë të tij, shumica e portreteve të huaja për Edi Ramën nisin me titullin: “Ata menduan të kem vdekur”. Bisedave me të huajt Edi çdoherë përsërit procesin e mbijetimit, rilindjes së tij. Konturet e dramës duke kështu: Një hordhi banditësh e rrahin (1997) me shufra hekuri aq rëndë sa që besojnë ta kenë vrarë. E zbulojnë ca fqinjë dhe e sjellin në spital. Pas disa javësh, sapo merr këmbët, Edi e braktis vendin. “Më lanë shtrirë duke menduar se më vranë. Jam i sigurt se Sali Berisha donte të më dërgojë në parajsë, mirëpo ja që nuk ia doli”, kështu akti i fundit i tragjedisë me happy end, nga e cila lindin Edi hero dhe Berisha antihero (Tagesspiegel, 28.11.2002). S’ka pikë dyshimi se Rilindja nuk është vetëm programi i tij politik, por edhe Edi Rama vetë.

Ndoshta edhe të privilegjuarit e American Way of Life xhelozojnë kur mësojnë preludin biografik Edit: rininë e kalon vallëzueshëm salloneve moderne me pinjollët e pushtetit. Nga kanalet e huaja (dhe të ndaluara televizive për të rëndomtit e shoqërisë) mëson basketbollisti për botën andej, atë pjesë që jo vetëm deti e ndante nga Durrësi. Ndërsa zjarri i revoltës rrezikonte të flakë vendin dhe pushteti syzohej me varrin që me dekada ia kishte gërmuar vetes, Edi Rama u ligjëronte studentëve të Akademisë së Arteve teknikat e pikturimit. Braktis vendin dhe ikën në Francë. Atje – siç thamë më lart – nuk e presin si vendasin e tij famëmadh Kadare, por e harrojnë bankave të lumit Seine, promenadës portreton macet fidele të zonjave parisiene. Për një njeri që beson të jetë i determinuar si “i madh” pozita e artistit në kacafytje me ekzistencës ishte poshtërimi i radhës, që s’përtypej dot.

Kthehet në shtëpi. Nano e bën ministër kulture. Edi do më shumë. Le shtetin për kryeqytetin. Merr Tiranën bashkë me zemrat e të rinjve, dandive dhe grave. Bëhet anëtar i socialistëve dhe tenton ta eliminojë atë që e bëri ministër dhe i doli krah për të fituar kryeqytetin: Fatos Nanon. Pa sukses. Edi priti deri sa upensionuamentori dhe mori timonin e socializmit me plis në kokë. Këtë radhë pati sukses.

Ndodhet rrugës për t’ia rrëmbyer pushtetin atij që “dikur donte ta vriste”. Këto ditë vizitoi edhe Kosovën. Shpaloi “Rilindjen” e tij. Nga ato që tha në Prishtinë nuk doli gjë sensacionale përveç paragjykimit: kosovarët të jenë të verbëruar kur Sali Berishën e shquajnë si Skënderbeun. Aksioni për çmitizimin e kundërshtarit të tij nuk ndezi. Jo sepse kosovarët janë “trutrashë”, porse te ta Sali Berisha nuk është mit por mik. Rama nuk njeh fare Kosovën dhe padashur si përfaqësoi edhe njëherë më tepër dy tipare qendrore të së majtës shqiptare karshi kosovarëve (duke përjashtuar nga kjo listë Pandeli Majkon): Demagogjinë, mendjemadhësinë, superioritetin e kamufluar karshi shqiptarëve përtej kufirit. Po atij kufiri që Edi donë t’ia heqë doganat pa treguar se nuk është gjetje e tij por politikë dhe vizion i BE-së. Po kështu sa u përket reflektimeve mbi tregun, bashkimin dhe për libraritë panshqiptare.

ANALIZA:

KKVITI

Në çështjet patriotike: Para çdo interesi tjetër lokal, shtetëror vë kërkesat dhe idealet panevropiane.
Në politikë: Pragmatik në favor të një Shqipërie që për nga mirëqenia dhe moderniteti ia kishin ftohur edhe Zvicrës e sidomos Francës.

Jashtë shtetit: Udhëhiqet nga motoja “Po mora pushtetin unë çka të doni”. Taktikë për mbështetje?

Ethosi: Asgjë nuk është tepër nëse shkon në konto të performancës personale.

Diagnoza: Nëse fiton pushtetin do të bëjë – atë që edhe e ka dëshmuar – më shumë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë jashtë. Me çka lidhet shpresa se kjo do të ndikonte në mirëqenien e qytetarëve. Nëse nuk fiton pushtetin, ka gjasa shpejtë të mos jetë më kryesues i socialistëve.

NOTA JONË: Mjaftueshëm!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)