Edi Shukriu, femra e parë akademike
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka rritur numrin e anëtarëve akademikë, si rezultat i Kuvendit Zgjedhor që është mbajtur të mërkurën.
Mirëpo zgjedhjet e fundit kanë qenë më produktive sa i përket numrit të anëtarëve, pasi që, me këto zgjedhje, ky institucion ka rritur numrin e anëtarëve në kategorinë e anëtarëve të rregullt, atyre me korrespodencë dhe anëtarëve akademikë të jashtëm, të cilët numërohen të jenë 19 sish.
Sipas një njoftimi nga ASHAK-u, nga ky kuvend, tre anëtarët e deritanishëm me korrespodencë kanë kaluar në akademikë të rregullt.
Isuf Krasniqi e Fejzullah Krasniqi janë anëtarë të rregullt që deri më tashti kanë qenë në rolin e akademikëve me korrespodencë të cilët vijnë nga seksioni i Shkencave Natyrore, sikurse që është bërë e njëjta lëvizje edhe për Isa Mustafën, që është në seksionin e Shkencave Shoqërore.
Ndërkaq, anëtarë korrespodentë nga ky kuvend janë zgjedhur: Mehmet Halimi e Zejnullah Rrahmani në Seksionin Gjuhë dhe Letërsi, në atë të Shkencave Shoqërore; Jusuf Bajraktari, Edi Shukriu, Arsim Bajrami e Anton K. Berisha, në Seksionin e Shkencave të Natyrës Arsim Morina, Qamil Haxhibeqiri, Ruzhdi Pllana e Sali Gashi, dhe në seksionin e Arteve Xhevdet Xhafa e Luan Mulliqi. Kurse, po sipas këtij njoftimi është thënë se anëtarë të jashtëm nga kuvendi kanë dalë të jenë: Alajdin Abazi, Kolec Topalli, Oliver Schmit e Radoslav Katiçiq.
Edi Shukriu, akademikja e parë në Akademinë e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, vendimin e fundit e ka pritur shumë mirë, sipas të cilës, ky vendim po i hap dyert edhe për femrat. “Edhe pse, kur është bërë fjalë për shkencën kurrë nuk e kam parë veten si femër, por kam punuar pa e dalluar veten në gjini”, ka thënë Shukriu, e cila nuk përjashton mundësinë e asaj që Kosova ka edhe shumë femra të tjera që e meritojnë titullin akademik. “Nuk më vjen mirë për një fakt, që të jem pioniere në një institucion kaq të rëndësishëm kur bëhet fjalë për gjininë”, ka thënë Shukriu. Ndërkohë, për debatet e fundit në adresë të ASHAK-së se ky institucion është duke punuar sipas direktivave politike, Shukriu i ka quajtur më shumë si spekulime, pasi që, sipas saj, ajo njeh shumë anëtarë akademikë që janë anëtarë të denjë të këtij institucioni, por, partitë politike mundohen t’i përdorin emrat e tyre për interesa të tyre.
Ramë Vata, deputet nga radhët e PDK-së në Parlamentin e Kosovës që pat iniciuar krijimin e një komisioni ndërkombëtar pikërisht me zgjedhjen e anëtarëve të rinj akademikë, është shprehur të jetë i zhgënjyer me këtë përbërje. Pa e ditur fare se kush janë emrat e rinj që kanë hyrë në këtë institucion, ai është shprehur se nuk e habit çdo vendim i ASHAK-ut. “Unë e di që njerëzit meritorë nuk janë zgjedhur”, ka thënë Vata, pasi që, sipas tij, për këtë listë është ditur shumë më herët, dhe që njerëzit meritorë janë refuzuar nga kombinimi. “Unë edhe më tutje do të kërkoj debat në Parlamentin e Kosovës mbi ASHAK-un. Dhe nëse arrij që të argumentoj shkeljet që janë bërë me rastin e zgjedhjeve të fundit, kam për të kërkuar edhe anulimin e kësaj liste”, ka thënë Vata.
Ndërkohë, për Agim Vincën i kandiduar për akademik në ASHAK, dhe i cili edhe kësaj here ka mbetur pa këtë titull, këtë institucion e ka quajtur Akademi të turpit. “Ndodhi ajo që pritej. Lista e njerëzve që janë zgjedhur anëtarë korrespondentë dhe të rregullt në ASHAK e vërteton katërcipërisht drejtësinë e kritikave që u shqiptuan në kohë të fundit në adresë të këtij institucioni”, ka thënë Vinca, sipas të cilit këto zgjedhje janë skandaloze. “ASHAK-u po mbushet me analfabetë, që nuk janë në gjendje të shkruajnë as gjysmë faqe tekst në mënyrë korrekte. Por nuk kanë faj ata, pronarët e gishtërinjve, që është mekanizmi i vetëm që vendos për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në ASHAK, në këtë institucion të uzurpuar në mënyrën më të paskrupullt të mundshme nga një grup njerëzish të papërgjegjshëm”, ka thënë Vinca.
Sipas tij, për krejt këto parregullsi në ASHAK nuk e ka fajin ky institucion por fajin e kanë institucionet si: Kuvendi, Qeveria dhe Ministria e Shkencës. ”Këto institucione po lejojnë, në mos edhe e stimulojnë, shndërrimin e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës në shtëpi private të një klani të pacipë dhe të një subjekti të caktuar politik. Tani e tutje për këtë institucion mund të flitet vetëm me përbuzje”, ka përfunduar Vinca.(zeri)