Edhe Ushtrinë, edhe mbështetjen ndërkombëtare
Nga Burim Ramadani – Ky është momentum i ri i krijuar për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Por, është momentum për të zhvilluar përpjekje intensive që themelimi i ushtrisë të bëhet në mënyrë të koordinuar me SHBA-në dhe NATO-n. Na duhen të dyja.
Edhe Ushtria e Kosovës, edhe mbështetja ndërkombëtare për të.
Qartësisht, tashmë është krijuar një momentum i ri. Kjo duhet të jetë një platformë nacionale, jo vetëm institcuionale. Kosova e ka të domosdoshme të ketë ushtrinë e saj dhe kjo nuk mund të mbahet e bllokuar në pafundësi.
Porse, ushtria e Kosovës do të ishte joekzistente nëse për të nuk ka mbështetje direkte nga SHBA-ja dhe NATO. Është e kuptueshme, besoj, se duhet pasur mbështetje profesionale, tentike, në pajisje, në trajnime, në doktrinë, sikurse edhe të gjitha elementet tjera të domosdoshme për ushtrinë e Kosovës.
Ushtria e Kosovës nuk guxon të kontestohet nga partnerët strategjikë. Rrjedhimisht, as vendimi i institucioneve të Kosovës nuk duhet të jetë i kontestuar. Për të mos arritur deri në atë pikë, një valë e re dhe intensive e përpjekjeve për bashkërendim me partnerët strategjik është e nevojshme dhe e domosdoshme.
Shumëkush flet për kontestimin që Serbia mund t’i bëjë ushtrisë së Kosovës. Në fakt, ky është problemi i pritur dhe krejtësisht jopërcaktues për vendimin institucional. Serbia, sigurisht, nuk do t’i duartroket formimit të ushtrisë kosovare. Por, nuk ka fare çfarë të bëjë para një vendimi të tillë. Nuk mund të bëjë as më të voglin hap për ta zhbërë vendimin e Kosovës.
Kur jemi te kontestimi, problemi kryesor është ai që ka të bëjë me partnerët strategjikë të Kosovës. Thjesht dhe qartë, po erdhi kontestimi nga SHBA dhe NATO, atëherë as Kosova s’ka çka t’i bëjë një vendimi potencialisht të marrur.
Sepse, ndryshimi i misionit të FSK-së, domosdoshmërisht duhet të përcillet edhe me ndryshimin e vendimit të NATO-s për mbështetjen e mëtutjeshme. Dhe, këtu del problemi praktik. Sepse, NATO-ja në vitin 2008 ka vendosur që të mbështes FSK-në në misionin aktual që e ka. Për ta ndryshuar këtë vendim, NATO duhet të mblidhet sërish në këtë temë dhe të vendos për ta mbështetur FSK-në në misionin ushtarak. Pra, në misionin e ri që e merr FSK-ja.
Për të marrë vendim NATO-ja, duhet që asnjë nga shtetet anëtare të saj të mos përdorë veton praktike që ka. Sepse, kjo organizatë merr vendime në bazë të konsensusit. Madje, janë tepër të rralla rastet kur praktikisht është votuar në NATO. Vendimet aty merren vetëm atëherë kur asnjë shtet anëtar nuk paralajmëron kundërshtimin e vet për vendimin e pritur. Kështu, në një rast të shpejt dhe të pakoordinuar, mund të dalin të paktën disa shtete që mund të paralajmërojnë kundërshtimin. Si për shembull, Spanja, Sllovakia apo të tjera. Në një rast të këtillë, NATO nuk mund të merr vendim për të mbështetur misionin ushtarak të FSK-së dhe, i bie që për NATO-n, FSK-ja nuk e ka ndryshuar fare misionin.
E në rast edhe më të keq, kur SHBA-ja paralajmëron kundërshtimin, atëherë kemi të bëjmë me një situatë shumë më të ndërlikuar.
Prandaj, vendimi për misionin ushtarak të FSK-së është dhe duhet të jetë vendim i bashkërenduar ngusht me partnerët.


