RCCOLA

Edhe sa?

/ 5 minuta lexim

Nga Beqë Cufaj – Doni më tema? Sa të duam i keni. Dhe secila prej tyre veç e veç apo edhe krejt së bashku nuk paraqesin gjë tjetër veç këtë tashmë molisje që vendit po i bëhet dhe cenimi që përditshmërisë dhe njerëzve të këtij nënqielli po u shkaktohet. Nga presioni në presion, skandali në skandal, shantazhi në shantazh.

Kosova e sotme, kur po hyn në pesëvjetorin e pavarësisë nuk është ajo që njerëzit që për të dhanë jetën- e merituan. Ata që me djersë dhe ndershmëri punojnë apo kërkojnë punë. Apo s’duam të ballafaqohemi me dhembjen e madhe: që të rejat dhe të rinjtë, fëmijët tanë, do të duhet të zhyten thellë në arkivat e kësaj kohës sonë për të parë ku u gabua dhe si erdhi deri tek ajo që të jenë të vonuarit e dekadave e shekujve që do vijnë.

Sepse janë fryma dhe gjuha, mungesa e vizionit dhe improvizimet e çastit ato që kancelarive të fuqive botërore ua dërgojnë mesazhin: janë larg. Janë askund. S’po munden dhe meqë nuk po munden po bëhen që s’po dinë. Dhe na kërkojnë neve. Herë na implikojnë e herë mashtrojnë. Dhe meqë janë kështu si janë- s’duhet të bëjmë gjë tjetër pos të luajmë lojërat e mëdha.

Ato pra: që në laboratoret e diplomacisë globale nganjëherë japin përshtypjen e hesapeve (kartave e hartave) të moçme të fuqive ku secili shtyhet me secilin- për interesat e dikurshme dhe sferat e ndikimit të ardhshëm. Gjithsesi jo për rëndësinë që si fuqi e kemi, në ndërkohë bile as rrezikun që paraqesim si komb.

I çliruar nga robëruesit dhe maltretuar (ndoshta edhe torturuar?!) nga politka ditore – me politikanë që familjet i kanë firma, bashkëpunëtorët i trajtojnë si qenët kurse kolegët armiqtë e mëdhenj. Ama jo për tema e të mirën e qytetarëve, as ideologjinë dhe vizionet, por thjesht për inate meskine, aty këtu ndonjë tender dhe fare në fund për të fshehur paaftësitë në të folur, në të shkruar, në të menduar.

Kjo vlen për krejt kastat e klasat politike në Ballkan. Me dallimet e pamohueshme rajonale dhe me lidhjet ditore që sërish nuk janë gjë tjetër pos pjesë e improvizimeve të cilat kanë një dhe të vetmin qëllim: mbetjen në politikë me çdo kusht. Cila pjesë e medaljes është në pyetje (pozitë a opozitë!) s’ka rëndësi. Sepse në ndërkohë e kanë kuptuar dhe e zbatojnë që pushteti është një tortë (a lopë!) e cila secilit prej tyre mund t’i mbushë barkun.

Mobi Casa

Duam këtu t’i përmendim me emra? Apo me parti? Apo me ideologji. S’ia vlen sepse secili prej tyre e sheh dhe ndjen veten siç ne i shohim dhe ndjejmë. Secili prej tyre bile edhe e di sa i mbërrin “jorgani”. Prandaj janë kaq paradoksal dhe brutal. Të pamëshirshëm bile. Me njerëzit e tyre. Dhe rrjedhimisht edhe me neve.

Problemi që shqiptarët e kanë sot për sot si komb është: ballafaqimi me veten. Thënë edhe më shkoqur: me politikën e cila vazhdon të jetojë e izoluar më dhe në vete. Sepse prapa saj nuk qëndrojnë qytetarët e zakonshëm. Dhe sepse atë s’do ta shohë as ta ndjejë askush prej shteteve e burrshtetasve normalë të botës pjesë e së cilës duam të jemi (prandaj janë izoluar dhe stërkequr kështu).

S’u hynë në punë as milionat e as makinat e shtrenjta. Aq më pak shtëpitë e vilat gjithandej në botë. Problemi që sidomos Kosova e ka është që politika e saj nuk po mundet ta kuptojë se përditshmëria e njerëzve të këtij vendi nuk po përkon me atë të politikës. Që, qëllimisht a jo, ka mbetur diçka nga mentaliteti pushtues. Dhe kjo d.m.th. që qytetari i zakonshëm i vendit nuk e ka më as forcën dhe as dëshirën: ta shohë, ta dojë dhe ta trajtojë këtë shtet si të vetin.

Të së kaluarës së përgjakshme, tashmes (a)normale dhe ardhmes së qartë. Kjo pra është esenca. Politika në Kosovë dhe Prishtinë për pesë vite arriti atë që s’do ta besonte shumica absolute të ngjajë: partitë të jenë sheshe pazaresh kurse politika të jetë perversiteti i cili nuk mund të mos shikohet veç me pështirje dhe përshpërimën e rëndë: edhe sa do të vazhdojë kështu?!

Unë them jo edhe aq gjatë.