RCCOLA

Edhe një temë studimore për trazirat e marsit 2004

/ 11 minuta lexim
Eco Higjiena

Prishtinë – Komisioni i përbërë nga dr. Bajram Kosumi, dr. Milazim Krasniqi dhe dr. Sadete Beqaj e kanë dhënë vlerësimin pozitiv që kandidati Musa Sabedini të merr diplomën e masterit në degën e gazetarisë në Universitetin Publik të Prishtinës.”

Kryetari i Komisionit dr. Milazim Krasniqi fillimisht e ka arsyetuar punimin e kandidatit Musa Sabedini duke thënë se është një punim studimor që i plotëson kriteret akademike.

Kurse , mentori Bajram Kosumi duke dhënë arsyetimin për rëndësinë e temës dhe vlerësimin e tij rreth punimit tha se kandidati Musa Sabedini në punimin e tij të masterit të titulluar “Ligjërimi gazetaresk në periudha të jashtëzakonshme “(rasti i ngjarjeve të vitit 2004 në Kosovë), e ka përcaktuar dhe konceptuar duke u nisur nga fakti se është me interes jo vetëm për publikun kosovar, por, në përgjithësi, edhe për zhvillimet tjera mediatike, që ndërlidhen rreth trazirave të 24 marsit 2004.

Kandidati punimin e tij e ka orientuar në katër kapituj kryesorë. Secili kapitull përmban shtjellime, analiza, përmbajtje të teksteve kuptimore e stilistike të natyrave të ndryshme, por që lidhen me anën stilistike dhe semantike të teksteve , raporteve duke përfshirë këtu edhe diskursin e tyre .

Në punimin e tij, Musa Sabedini është munduar maksimalisht, që të jap kontributin e tij duke shfrytëzuar materiale dhe literaturë të nevojshme, që flasin dhe argumentojnë se në çfarë rrethanash u raportua për trazirat e marsit ka thënë Kosumi.

Një fokusim të veçantë tek punimi i kandidatit janë edhe shtypi vendor dhe ai ndërkombëtar, me një fokus të veçantë shtypi ditor i Kosovës, i përfaqësuar nga gazetat: “Koha Ditore”, “Zëri” dhe “Epoka e re” dhe tri televizionet nacionale: RTK, KTV dhe RTV-21.

Një fokus kryesor kandidati e ka bazuar në faktin se nëse mediet kosovare kanë raportuar drejt, profesionalisht dhe në mënyrë objektive për trazirat e marsit 2004.

Nga punimi i kandidatit shihet se dilema kryesore mbetet në kontekstin nëse mediet kosovare ishin të nxitura, të emocionuara, të paanshme për tragjedinë dhe nëse mediet kosovare e kanë shfrytëzuar situatën e tensionuar për të çuar popullin në revoltë etj.
Këtu padyshim që autori është fokusuar edhe në çështjet kryesore rreth raportimeve, për të parë nëse shtypi dhe televizioni i është përmbajtur etikës gazetareske, që parashihet edhe me ligjet ndërkombëtare.

Tutje Kosumi tha se kandidati punimin e tij e ka ndërtuar duke marrë shembuj dhe duke bërë krahasime profesionale dhe duke trajtuar ndershmërisht relacionin kohor, për të parë nëse gjatë raportimeve ka pasur nxitje të urrejtjes, nëse gjatë këtyre raportimeve ka pasur heshtje të gazetarisë kosovare, nëse në këto zhvillime ka pasur anim gjuhësor dhe mjegullim të trazirave ose edhe fjalë të ashpra.

Metodën e studimit kandidati e ka bazuar tek shkrimet dhe raportimet e medieve kosovare rreth ngjarjeve të marsit 2004. Me theks të veçantë është analizuar ana stilistike dhe semantike e teksteve apo raporteve duke përfshirë këtu edhe diskursin e tyre.

Duke e ndarë temën në kapituj kandidati në kapitullin e parë ka folur për ideologjinë e tekstit gazetar, propagandën dhe dezinformimin. Në këtë kapitull gjithashtu ka marrë shembuj më eklatantë të mashtrimit dhe dezinformatës, ka analizuar ankesat për raportimet jo të drejta, gjatë trazirave të marsit 2004, ka analizuar deklaratat emocionale të liderëve politikë dhe ndikimin e tyre në ngjarjet e marsit si dhe ka hulumtuar motivin etnik, emocional – pasojat e trazirave të marsit 2004.

Nga analizat e teksteve të medieve të shkruara për ngjarjet e marsit janë hasur edhe shumë kontraste duke e shndërruar tekstin-lajmin e zakonshëm në tekst ideologjizues dhe propagandues.

Këtu autori ka dhënë shumë shembuj të gazetave “Koha Ditore”, “Zëri”, “Epoka e re”. Nga tekstet e veçuara kandidati ka analizuar anën stilistike, semantike, diskursin e lajmit.

Nga shumica e teksteve të analizuara shihet se tekstet nuk kanë si synim informimin, por krijimin e opinionit përmes lajmit. Duke përdorur përcaktorët e përmendur dhe duke keqinformuar për gjendjen, gazetarët në tekstet e tyre kanë kërkuar nxitjen, vazhdimin e protestave.

Kandidati ka vlerësuar në punimin e tij edhe ankesat e shumta që atë kohë ishin dhënë nga faktorët relevantë ndërkombëtarë si OSBE, KPM,KFOR-i,UNMIK-u, Grupi Ndërkombëtarë i krizave ICG, Ombudspersoni i Kosovës, KMDLNJ.

Sloganet: “hordhitë çetnike”, termi: “i shkujdesur”, “sulm”, “banditët serbë”,”dhunë në Prishtinë”, ishin cilësuar nga OSBE-ja, si gjuhë emocionuese dhe provokative e përdorur nga mediet.

Në kapitullin e dytë kandidati ka trajtuar profesionalisht Lajmin e jashtëzakonshëm, raportimin e medieve për ngjarjet e marsit 2004 (RTK, RTV 21, Zëri, Epoka e re, Koha Ditore), mbulimin e ngjarjeve të marsit nga RTK, RTV 21 dhe KTV etj.

Tek kapitulli i tretë kandidati ka trajtuar elemente stilistike të ligjërimit gazetar në raportimin për ngjarjet e marsit 2004,shprehjen gjuhësore të gazetës “Zëri”,”Koha Ditore” dhe “Epoka e re” duke përfshirë këtu edhe figuracionin dhe shprehjen figurative, funksionin shprehës të pjesëve të ligjëratës dhe të gjymtyrëve të fjalisë, formulimet sintaksore.

Edhe tek kapitulli i fundit kandidati ka dhënë përfundimet dhe rekomandimet e tij të bazuara në punimin shumë dimenzional dhe kuptimplotë. Në të gjitha rastet ka analizuar fjalësit, fjalitë e paragrafëve, analizat e titujve, analizat e figurshmërisë.

Gjithashtu, me raste konkrete, ka analizuar edhe tekstet me përmbajtje ideologjike e propagandistike. Nga këto analiza ka arritur në përfundimin se :gjatë trazirave të marsit gati në të gjitha mediet e shkruara dhe ato elektronike ka pasur gjuhë të urrejtjes, nxitje emocionale përmes shkrimeve,gazetari patriotike e cila u përdor madje edhe në fushën stilistike dhe semantike.

Në një përfundim të dytë kandidati ka arritur të kuptojë se termat që më së shumti zënë hapësirë për t`i studiuar janë: keqinformimi, improvizimi, manipulimi i pavetëdijshëm dhe spontaniteti.

Pasi janë analizuar shprehjet gjuhësore të gazetave, për ngjarjet e marsit të vitit 2004, fjalori ose leksiku, figuracioni e shprehja figurative e shkrimeve dhe ngarkesa e tyre kuptimore e emocionale, njësitë dhe format e ndryshme morfologjike, njësitë sintaksore, struktura dhe funksioni i tyre shprehës etj, kandidati ka ardhur në përfundimin se mediet nëpërmjet shkrimeve për ngjarjet e marsit 2004, nuk kanë dhënë vetëm një pasqyrë të ftohtë të realitetit, por kanë sjellë edhe gjithë disponimin dhe reagimin emocional njerëzor.

Të tri televizionet nacionale: RTK, RTV 21 dhe KTV, nuk i kanë shfrytëzuar profesionalisht burimet zyrtare, dhe nuk i dhanë hapësirë të mjaftueshme faktorit kohë dhe faktorit hetues.

Kandidati nga punimi i tij faktmbledhës ka ofruar edhe rekomandime që do të jenë të nevojshme për gjeneratat e reja.

Eco Higjiena

S`i rekomandim të dytë profesional kandidati e ka vlerësuar lajmin e jashtëzakonshëm në rastet e trazirave civile, që duhet të jetë tepër i balancuar, i bazuar në fakte dhe gjithëpërfshirës dhe kurrsesi emocional dhe i politizuar.

Nga të gjitha analizat dhe vlerësimet, pro et contra, kandidati ka rekomanduar që në të ardhmen, gazetarët e televizioneve ,po edhe të medieve të tjera të shtypura, duhet urgjentisht të ndjekin kurse e trajnime praktike, për raportimet gjatë konflikteve.

Rekomandimi i fundit ka të bëjë me gazetarët kosovarë të cilët duhet të lexojnë,e, të mësojnë nga përvojat e kolegëve të tyre, që raportojnë nga tytat e armëve dhe nga gazi lotsjellës. Mitrovica vazhdon të mbetet me një status të padefinuar, gjë që mund të jetë sërish eksperiment për trazira të ndryshme, e ku mediet do ta kenë rolin e tyre historik.

Kandidati ka shfrytëzuar një literaturë të bollshme, argumentuese bazuar në prova, dëshmi dhe analiza profesionale ka thënë mentori Bajram Kosumi.

Pas leximit të vlerësimit të mentorit është zhvilluar një debat i hapur pyetje përgjigje mes komisionit dhe kandidatit.

Në fund anëtarët e komisionit e kanë dhënë vlerësimin pozitiv që kandidati Musa Sabedini të merr diplomën e masterit në degën e gazetarisë në Universitetin Publik të Prishtinës.

Biografia e kandidatit Musa Sabedini

Musa Sabedini është lindur më 08.05.1971 në fshatin Stublinë të Gjilanit ku edhe ka përfunduar shkollën fillore. Shkollimin e mesëm e ka përfunduar në Gjilan në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, drejtimi mjekësi e përgjithshme.

Gjatë kësaj periudhe si maturant është marrë në pyetje disa herë nga ish-sigurimi serb. Ka qenë njëri nga personat kyç që ka ndihmuar të helmuarit dhe ka shkatërruar Lidhjen e Rinisë në të gjitha shkollat e Gjilanit në atë kohë .

Ka marrë pjesë aktive në pajtimin e gjaqeve, ku edhe është ndër themeluesit e kësaj iniciative në Gjilan. Gjithashtu në mënyrë aktive është marrë me aktivitete politike ku edhe është themelues i Partisë Parlamentare , ndryshe ish-parlamenti Rinor në Gjilan.

Në vitin 1990-1991 është regjistruar në Fakultetin e Biologjisë dhe të Gjuhës Frënge, derisa një vit më vonë është regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë ku edhe ka absolvuar.

Gjatë kohës së studimeve është marrë aktivisht me politikë, por edhe me gazetari.
Kështu në vitin 1993 është zgjedhur redaktor i Rubrikës së brendshme në gazetën studentore “Bota e re”, kurse në vitin 1994- 1997 është zgjedhur edhe kryeredaktor i saj.

Në vitet 1990-91 ka shkruar për gazetat “Bujku”, “Shkëndija”, “Kosovarja” etj.
Në këtë periudhë ka qenë edhe nënkryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe anëtar i Këshillit Shkencor Mësimor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Një kohë ka qenë edhe anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës.

Gjatë viteve 1997-1998 ka kryer punën e korrespondentit nga Gjilani në gazetën “Kosova Sot”.

Pas luftës ka vazhduar me gazetari ku edhe ka punuar në të përditshmet “Epoka e re”, “Kosova Live”, “Lajm” etj. Në vitin 2000 ka regjistruar OJQ me emrin Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” të cilën e udhëheq edhe tani.

Në Klubin e Gazetarëve “Beqir Musliu”, ka moderuar mbi 140 debate e tryeza me karakter vendor e ndërkombëtar. Në vitin 2003 ka botuar librin e tij të parë “Vrasja e drejtësisë në Kosovë”, botues KMDLNJ.

Në vitin 2010 ka botuar librin e dytë të titulluar : ”Vrasje dhe dëshmi”, botues KMDLNJ.

Nga viti 2002-2004 ka qenë anëtar i Bordit të Asociacionit Profesionist të Gazetarëve. Në vitin 2007 ka qenë në qytetin Kolumbia Missuri të SHBA ku është trajnuar për gazetari hulumtuese , me theks të veçantë , lufta kundër korrupsionit në kompanitë publike.

Në vitin 2005 i ka regjistruar studimet në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Në vitin akademik 2008/09 ka regjistruar studimet master në Degën e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës ku i ka kryer me kohë të gjitha provimet e parapara me statutin e Fakultetit.

Është fitues i katërfishtë i çmimit “Korrespondenti më i mirë i vitit në Kosovë”, 2003, 2006, 2007 dhe 2008. Këtë çmim e ka fituar nga katër juri të ndryshme dhe profesionale.

Ka shkruar qindra artikuj për jetën politike, arsimore, kulturore, informative, edukative. Ka shkruar edhe tekste që i referohen punës gazetareske dhe rreziqeve të saj.

Gjatë punës së tij në profesionin e gazetarit ka shkruar mijëra tekste, qindra artikuj hulumtues, ka bërë komente të vazhdueshme në ditën botërore të medieve.

Ka dhënë disa intervista në RTK, RTV-21, KTV, Klan Kosova (si analist), është intervistuar disa herë nga Radio Kosova, Radio Dukagjini etj.

Nga profesioni i gazetarit normalisht që ka pasur sfida, probleme e kërcënime të natyrave të ndryshme. Është kërcënuar disa herë nga klanet e nëntokës, të biznesit posaçërisht dhe mafies e krimit politik. Disa raste tashmë veç i ka fituar edhe në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, në cilësinë e palës së dëmtuar.

Ka mbajtur ligjërata rreth gazetarisë hulumtuese me theks të veçantë hetimet nëpër gjykata, prokurori e polici. Ligjërata të ngjashme ka mbajtur edhe me OSBE, me Qendrën e trajnimeve mediale në Prishtinë etj.

Së fundit ka themeluar Agjencinë Rajonale të Lajmeve të quajtur Rajonipress që vlerësohet si ambasador i lajmit për Anamoravë.