Edhe një kirurg përfundon në pranga

Gjilan – Policia e Gjilanit të premten e ka arrestuar kirurgun Ilaz Poroshtica, mjek në spitalin rajonal të Gjilanit. Lajmin për rajonipress e ka konfirmuar Jetish Maloku. Kirurgu dyshohet për mjekim të pandërgjegjshëm.
Një pacient, palë e dëmtuar ka bërë ankesë në polici dhe prokurori për mjekim të pandërgjegjshëm. Kjo deklaratë i ka mjaftuar policisë dhe prokurorisë për të nisur hetimet kundër kirurgut Ilaz Porsohtica, mjek specialist në Spitalin Rajonal të Gjilanit, raporton rajonipress.
Kryeprokurori Jetish Maloku e ka konfirmuar për rajonipress arrestimin e kirurgut dhe tha se tashmë me vendim të prokurorit të rastit Arben Ismajli, kirurgut i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Maloku tha se sipas kallëzimit penal që e ka përgatitur policia kirurgu dyshohet se për më shumë se një muaj e ka harruar fashën në trupin e pacientit të dëmtuar.
Arrestimi i kirurgut Poroshtica i ka befasuar stafin dhe kolegët e tij pasiqë Ilaz Poroshtica njihet si një kirurg më përvojë dhe karrierë të mirë profesionale.
Ai ka qenë ndër kuadrot e para në spitalin e Gjilanit i cili ka dhënë kontribut të pamohueshëm në zhvillimin e kirurgjisë në Spitalin e Gjilanit.
Megjithatë hetimet e mëtutjeshme mund të tregojnë për përgjegjësin që ka mundur të ketë Poroshtica në rastin konkret./rajonipress/