Edhe LDK-ja e shkeli marrëveshjen
Dokumente relevante tregojnë se edhe lideri I LDK-së, Isa Mustafa, është dakorduar që të mos respektohet afati për zgjedhjet e para presidenciale, i paraparë në Marrëveshjen politike të arritur në prillin e vjetëm nga ai dhe kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Mustafa ishte pajtuar të ndryshonte formulimi në një amandament kushtetues, i cili fliste për kohën kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet.
Në pikën ë dytë të marrëveshjes politike, nga e cila rrodhi të bëhej Atifete Jahjaga, presidente, Thaçi, Mustafa e Pacolli ishin pajtuar që “zgjedhjet e para presidenciale në Republikën e Kosovës do të mbahen jo më vonë se 6 muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hyjnë në fuqi”.
Siç shkruan Koha Ditore, marrëveshja precizonte se menjëherë duhej të formohej një komision për reformën e zgjedhjeve presidenciale, që do të hartonte amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe çfarëdo legjislacioni të ndërlidhur të nevojshëm, në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Komisioni ishte formuar. Ai kishte hartuar amendamentin e dhjetë në frymën e asaj që parashihte marrëveshja.
“Zgjedhjet për presidentin e Republikës së Kosovës, në përputhje me nenin 86 të kushtetutës, mbahen Brenda 6 (gjashtë) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese dhe ligjeve relevante”, thuhej në këtë amandament.
Por, derisa ky amendament dhe të tjerët që ishin propozuar nga komisioni gjendeshin në Gjykatën Kushtetuese, nga ku do të nxirrej verdikti nëse ndryshimet kufizonin ose jot ë drejtat e njeriut të shprehura në kapitullin e dytë të Kushtetutës, në gjykatë ishin deponuar amendamente të reja.
Gjykata kishte kërkuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi të dijë se cilën pako amendamentesh duhej shqyrtuar, dhe ai kishte kthyer përgjigjen se duhet këtyre të fundit. Amendamentet e Komisionit parlamentar për amendamentin e kushtetutës tashmë kishin pësuar disa ndryshime, të cilat ishin prodhim i një dakordimi i liderëve të subjekteve kryesore parlamentare, e që ishin edhe nënshkruese të marrëveshjes.
Ndryshim kishte pësuar edhe amendamenti i dhjetë. Atij i ishte dhënë ky formulim: “Zgjedhjet e para për presidentin e Republikës së Kosovës, në përputhje me nenin 86 të Kushtetutës, mbahen pas 6 (gjashtë) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese dhe nga nxjerrja e ligjeve relevante.