Hidromorava

Edhe, Kishnapole pritet të bëhet me shkollë të re

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Bujar Nevzati, drejtor komunal për Arsim, në mbledhjen e Komitetit për Arsim, ka thënë se sivjet do të fillojnë më herët edhe përgatitjet e shkollave, në mënyrë që ato të jenë të gatshme për t`i hapur dyert më një shtator.

Viti tjetër shkollor në Gjilan do të fillojë me dy shkolla më shumë, pasi që në përfundim e sipër janë objektet e reja në lagjen e dytë dhe te “Zabeli i Sahit Agës”, njëra fillore dhe tjetra e mesme, derisa gjimnazi i ri nuk besohet se do të përfundojë deri në shtator ka thënë Bujar Nevzati.

Shkollat i kanë paraqitur kërkesat e tyre për rinovime dhe ato po vlerësohen nga një ekip komunal, i cili është formuar për këtë qëllim, ka thënë Nevzati, duke nënvizuar faktin se nevojat për intervenime, sivjet janë shumë më të vogla dhe kjo flet për një mirëmbajtje të mirë të objekteve.

Ndërkohë, sivjet pritet të fillojë ndërtimi i objektit të ri edhe në fshatin Kishnapole, pasi që është fituar një donacion nga Karitasi i Luksemburgut, i cili do të financojë 70 për qind të vlerës së projektit prej gjithsej 400 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër e siguron komuna.

Nevzati pret që shumë shpejt të bëhet zgjidhja sa i përket objektit edhe për shkollën e Muzikës dhe të Arteve Pamore, meqenëse MASHT-i është shprehur i gatshëm ta financojë këtë projekt, që parashihet të realizohet prapa Konviktit, përkatësisht brenda kompleksit të shkollave të mesme, që po ashtu është i gatshëm si projekt.

Aktualisht është rihapur debati në Komitetin për Politikë dhe Financa edhe emërtimin e disa shkollave në Gjilan, të cilat janë ndërtuar të reja, ose janë në ndërtim e sipër, ku do merren parasysh edhe propozimet e bëra nga Këshillat e Shkollave.

Fundamenti

“Ne do t`i dërgojmë në MASHT propozimet për emërtimin e katër shkollave, duke përfshirë këtu edhe shkollën në lagjen e dytë dhe gjimnazin e ri, që ende nuk kanë filluar punën, bashkë me dy shkollat tjera fillore që tashmë janë duke punuar, në “Zabel…” dhe lagjen e tetë”, ka thënë Nevzati, i bindur se në shtator këto shkolla do të jenë të emërtuara.

Po ashtu në Drejtorinë e Arsimit po diskutohet edhe për regjistrimin e nxënësve në shkollimin fillor dhe siç ka thënë Nevzati, asnjë mësimdhënës nuk do të ketë më mundësi t`i përzgjedhë nxënësit, ndërkohë që në shkollimin e mesëm pritet të hapen drejtime të reja në Mjekësi dhe Bujqësi, ndërkohë që do të ketë reduktime të drejtimeve më pak të nevojshme.

Sa u përket kurseve private me nxënës, që është ngritur si shqetësim në Komitetin e Arsimit, për shkak se ka informacione që nxënësit po kushtëzohen që t`i vijojnë ato për të marrë notë të mirë, Nevzati i ka inkurajuar prindërit që t`i paraqesin rastet në Drejtorinë e Arsimit, nëse ka të tilla dhe premtoi se do të merren masa.

Disa prej anëtarëve të Komitetit të Arsimit janë shprehur të pakënaqur me pastërtinë në disa shkolla, për çka Nevzati nuk e ka përjashtuar mundësinë që Komuna ta shkëpus kontratën me kompaninë e kontraktuar, nëse ajo nuk e kryen punën si duhet.

Shkëlqim Latifi, kryesues i Komitetit të Arsimit u shpreh i kënaqur me rrjedhat në arsim, i bindur se në vitin tjetër, kur do të zgjerohet akoma hapësira shkollore, procesi mësimor do të avancohet edhe më shumë.

Në emër të KA ai ka përshëndetur edhe nismën për emërtimin e katër shkollave sikurse edhe kriteret për regjistrim në shkollë, ndërkaq sa i përket suksesit në testin e maturës u shpreh optimist se nxënësit e komunës së Gjilanit do të dalin të suksesshëm, ashtu siç kanë qenë edhe më parë, gjeneratat tjera ka thënë Latifi./rajonipress/