Edhe 1 milion ta kenë rrogën, drejtësia është e nënshtruar
Edhe pse prokurorët e gjyqtarët e Kosovës i kanë pagat më të mira në rajon, ne akoma nuk e kemi drejtësinë e mirë dhe funksionale, profesionale e të pavarur, e të mos flasim për të qenë më e mira në gjithë rajonin.
Moto: Politika gjithnjë i blen gjyqtarët dhe prokurorët
“Edhe me ua rritur pagat 1 milion euro për muaj, këta prokurorë dhe këta gjyqtarë, shumica, janë të pozicionuar në ato vende pune nga mafia politike e Kosovës, por edhe nga ndërkombëtarë të korruptuar, që kanë ndikim politik në vendin tonë. Problem nuk kanë paraqitur ligjet e Kosovës, por problemi ka qëndruar se zyrtarët që e zbatojnë ligjin janë vetë pjesë e kapjes së shtetit dhe janë vetë të korruptuar”, u shpreh analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”
Edhe pse prokurorët e gjyqtarët e Kosovës i kanë pagat më të mira në rajon, ne akoma nuk e kemi drejtësinë e mirë dhe funksionale, profesionale e të pavarur, e të mos flasim për të qenë më e mira në gjithë rajonin.
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit konsiderojnë se, duke u bazuar në performancën e dobët të prokurorëve dhe gjykatësve, ata realisht po dëshmojnë se punojnë vetëm për paga dhe honorarë, e në anën tjetër kanë perfomancën më të dobët në luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar, prandaj edhe populli, por edhe bashkësia ndërkombëtare e kanë kuptuar qartë se mafia kriminale në Kosove është aq e fuqishme saqë asnjë BOSS i nivelit të lartë, qoftë nga politika apo nga mafio-oligarkia kriminale, nuk ka shanse të arrestohet, e lëre më të dënohet nga gjykata, nga strukturat aktuale të sistemit të drejtësisë.
Kjo për faktin se janë politikanët ata që po e“blejnë” sistemin e drejtësisë edhe me paga të larta, pasi që në këtë mënyrë prokurorët dhe gjyqtarët si kundërshpërblim po e sabotojnë punën në baza ditore, duke injoruar luftën kundër korrupsionin dhe krimin e organizuar, sepse janë të lidhur me politikën edhe mafio-oligarkinë kosovare, që është burimi i krimit të organizuar në vend dhe njëkohësisht i të gjitha të këqijave në këtë shtet.
Të korruptuarit nuk e dënojnë veten
Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, tha për “Kosova Sot” se pagat, të ardhurat personale të ulëta, kurrë nuk kanë qenë problem për sektorin e drejtësisë kosovare, por thjesht ka qenë dhe mbetet ndikimi i politikës në sistem që nuk e lë të funksionojë në mënyrë të pavarur, efektive dhe profesionale. “Dhe, mos pritni kurrë që këta politikanë e zyrtarë shtetërorë të korruptuar se një ditë do ta dërgojnë veten vullnetarisht në burg, kjo nuk do të ndodhë kurrë, prandaj për sa t’i zgjatë popullit tonë gjumi, heshtja dhe nënshtrimit ndaj politikanëve të korruptuar, gjendja do të jetë më vonë akoma më e rëndë. Prandaj, vetëm zgjimi i popullit në revoltë masive do të mund të ndryshojë gjendjen”, tha Miftari për “Kosova Sot”.
Drejtësia e kapur mbetet
Ligjëruesi i së drejtës, Blerim Burjani, konsideron se është e kotë dhe aspak produktive ngritja e pagave në sektorin e sundimit të ligjit.“Kapësit e drejtësisë rrisin paga në këtë sektor, kot ndryshojnë kod, ky sektor nuk zbaton ligje e kode, rastet e kriminalitetit politik nuk trajtohen, parashkruhen lendet, nuk ka dënime të formës së prerë, përplot lëndë nëpër sirtarë, rasti ‘Toka’, rasti ‘Stenta’ ende pa epilog përfundimtar, qindra lëndë priten të parashkruhet, shumica edhe janë parashkruar. Duhet një mbështetje nga ekspertët ndërkombëtarë për rikualifikim të gjyqtarëve dhe prokurorëve kosovarë, në mënyrë që këta të jenë më mirë të përgatitur profesionalisht dhe njëkohësisht nevojitet edhe një VETTING, duhet të ndodhë edhe reforma e thellë. Korrupsioni është i patrajtuar, ose shumë dobët, loja me seanca shumëvjeçare dhe lirimi i personave të politikës që dyshohen për hajni industriale. Pra, me këtë drejtësi as që do të merret dikush për të luftuar dukuritë negative, derisa nuk ndodh një reformë gjithëpërfshirëse”, tha Burjani për “Kosova Sot”.
Mashtrim me shifra
Ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, thotë se është fat i keq që nuk ka vlerësim sipas meritave dhe sipas rezultateve të punës.“Pagat fikse nuk janë dëshmuar askund në botë se sjellin domosdo edhe rezultate. Është dashur që të caktohen pagat bazë, shumë më të vogla se këto, dhe pastaj në bazë të rezultateve-performancës të caktohen shtesat dhe privilegjet. Është dashur gjithashtu që prokurorëve dhe gjyqtarëve t’u ndalohen angazhimet tjera shtesë, kolegjet dhe universitetet private nuk duhet të kenë të punësuar njerëz nga “pushteti i tretë”. Pa llogaridhënie dhe transparencë nuk ka rezultate”, u shpreh ai.
“Nuk mjaftojnë këto shifrat që po i publikojnë e që në të vërtetë nuk dinë askush që t’i kuptojë, edhe ata që i publikojnë vetë nuk i kuptojnë ato. Sa aktakuzat, sa propozimaktakuza. Sa persona dhe në fund nuk dinë askush asgjë. Shifrat duhet të harmonizohen dhe të dihet saktësisht se sa kallëzime penale dhe nga kush janë bërë, sa aktakuza janë ngritur, sa persona janë akuzuar dhe në fund të dihet se sa persona janë dënuar”, vlerësoi më tej Preteni.“Raportimet e ndara po krijojnë huti dhe mosbesim. Raporti i Progresit në vazhdimësi ka evidentuar mungesën e një baze të tillë, janë ndarë dhe mjete për projekte të tilla por kot. E vetmja gjë që është bërë mirë në këtë drejtim është që nuk do të ketë privilegje jetësore pas përfundimit të mandateve”, tha Preteni për “Kosova Sot”.
Ligji legalizon anarki pagash
Sipas profesorit Muhamet Kelmendi, Ligji mbi pagat si tërësi është i pabarabartë.
“Nuk dua të futem në çdo fushë, sepse ka vende dhe dikastere që ka bazë juridike dhe barazi shoqërore e sociale. Por, ka edhe fusha në të cilat del qartë dallimi i madh dhe lidhja e grupeve të interesit nga fusha politike në atë juridike, shoqërore dhe ekonomike; të mekanizmave të rendit etj. Këtu po sjelli disa fusha shumë domethënëse mbi të ardhurat. Është AKI-ja, sistemi komandues në polici, prokurorët dhe gjykatësit. E mbi këta qëndrojnë Gjykata Kushtetuese dhe ajo Supremë. Këta janë privilegjuar shumë. Të ardhurat e tyre shkojnë në 3000 euro në muaj. Pas tyre me paga vijnë deputetët. Shuma bazë është 1989 euro plus të ardhurat e shumta nga komisionet parlamentare me shumë prej 30 euro”, u shpreh ai.“Pra, këtu kemi të ardhura të larta, të garantuara me ligj, në kundërshtim me fushat tjera, si dhe jo në bazë të gjendjes ekonomike që ka vendi, por në bazë të interesave të tjera, të lidhjeve me klanin “PRONTO”.
Kjo ka ndikuar ashpër në pabarazi dhe në dëmtimin e buxhetit të shtetit. Në këtë gjendje u mbrojtën me ligj edhe të punësuarit e të gjithë kursimtarëve në trust. Në grupin e parë bëjnë pjesë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, prokurorët e të gjitha prokurorive, gjykatësit e të gjitha gjykatave dhe KGJK dhe KPK. Në grupin e dytë të të ardhurave më të mëdha bëjnë pjesë qeveritarët dhe deputetët, këshilltarët, sikundër edhe kryetarët e komunave. Në grupin e tretë hyjnë profesorët dhe mjekët e specializuar dhe në grupin e katër hyjnë kategoria nën 600 euro, duke shkuar tek të ardhurat personale me 350 euro. Pra, po shihet se për kategorinë e parë dhe të dytë caktohen të ardhurat me ligj, që po votohet, midis 2000-3000 euro në muaj. Kjo është një padrejtësi dhe çrregullim total i sistemit të pagesave”, tha prof. Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.
Faji kolektiv
Sipas ekspertit të kësaj fushe Skënder Kapiti, për gjendjen katastrofike ku gjendet drejtësia, si në Shqipëri dhe në Kosovë, për këtë faji nuk është vetëm i politikës, i pushtetit dhe i drejtësisë, por këtu kemi të bëjmë edhe me një faj të madh kolektiv.
“Fakti se opinioni politik, diplomatik dhe ai juridik dhe demokratik, perëndimor i SHBA-së dhe i BE-së këmbëngulin dhe i vënë si kusht kryesor integrimit të Shqipërisë dhe të Kosovës në BE ndërtimin e shtetit ligjor dhe rezultatet konkrete të luftës kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit, por kur këtë gjë nuk e zbaton dhe as nuk e dëshiron jo vetëm politika dhe drejtësia, por kur edhe nga ana tjetër qëndrojnë indiferente edhe shoqëria civile, rinia, opozita politike dhe shumica e medieve , pasi as ato nuk preokupohen dhe as nuk shqetësohen seriozisht kundër krimit, korrupsionit dhe kundër tradhtisë e pabesisë së deputetëve, qeveritarëve qendrorë e lokalë dhe nuk reagojnë kundër sistemit gjyqësor të kriminalizuar e të korruptuar, gjë e cila përbën edhe faj kolektiv”, shpjegon më tej Kapiti.
Sipas tij, lind vetvetishëm edhe pyetja se a e duan me të vërtetë shqiptaret drejtësinë, dhe a kanë ndjesi për të, apo janë mësuar me drejtësi te korruptuar dhe me pajtimin e nënshtrimin ndaj fituesve të pushtetit të padrejtësisë, të korrupsionit e krimit dhe me sundimin e antiligjit e të mafio-oligarkisë!?“Shqiptarët nuk duhet të bien pre e manipulimit dhe të degradimit të drejtësisë dhe të demokracisë e t’i bien shkurt e të mos rezistojnë kundër tradhtisë dhe padrejtësisë së politikës dhe të drejtësisë së krimit ,tradhtisë e korrupsionit, duke zgjedhur rrugën trup dhe shkurt : atë të eksodit, të largimit nga atdheu”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


