“Ecohigjienës” i dalin telashe në start
Gjilan – Punëtorët e Ecohigjienës kanë protestuar të mërkurën kundër suspendimit të dy punëtorëve të saj Muhadin Haziri dhe Hajrush Beqiri. Bajram Isufi mbron punëtorët, bordi arsyeton suspendimin.
Punëtorët e “Ecohigjienës” kanë bllokuar të gjitha hyrje daljet ditën e mërkurë në shenjë pakënaqësie ndaj suspendimit të dy kolegëve të tyre Muhadin Haziri dhe Hajrush Beqiri.
“Ecohigjiena” është njëra nga kompanitë e para e privatizuar nga partneriteti publiko privat ku merr pjesë me aksione edhe Komuna e Gjilanit. Firma nga Austria “Mosser Group” ka mbi 51 % të aksioneve.
Ndonëse e kishin nisur mirë punën, bordi i “Ecohigjienës” ka marrë një vendim për suspendimin e dy punëtorëve, veprim ky që ka nxitur frikë edhe tek punëtorët e tjerë.
Alush Kurteshi në emër të punëtorëve tha se ata nuk do të fillojnë punën derisa nuk shfuqizohet vendimi i bordit. “Së pari shfuqizimi pastaj negociatat” u shpreh Kurteshi para bordit. Madje punëtorët kanë kërkuar largimin e austriakut Gerhard Dunner, të cilin nuk e lanë as të flas.
Edhe Bajram Isufi kryshef ekzekutiv në “Ecohigjiena” ka mbrojtur punëtorët me arsyetimin se bordi nuk është kompetent për këtë punë. Por ndryshe mendon Riad Rashiti anëtar i bordit i caktuar nga Komuna.
Sipas Rashitit vendimi për suspendimin e dy punëtorëve është i arsyeshëm dhe institucionet e komunës janë të obliguara që ta respektojnë atë dhe marrëveshjet tjera që dalin nga partneriteti publiko privat. Rashiti mohoj zërat se janë të rrezikuara kontratat e punëtorëve. “Kontratat e punëtorëve nuk janë të cenuara dhe unë i garantojë të gjithë ata që punojnë në mënyrë të ndershme dhe që nuk bien ndesh me ligjin nuk do të largohen” tha Rashiti.
Rashiti tha se edhe në kontratat e punëtorëve shkruan qartë se atyre mund tu lëvizet apo ndërrohet vendi i punës. Rashiti tha se dy të suspenduarit nuk i kanë implementuar vendimet e bordit. Por, Muhadin Haziri njëri nga të suspenduarit tha se qëllimi kryesor është që të largohet struktura profesionale dhe njerëzit që e dinë mirë punën e kësaj ndërmarrjeje.
Austriaku, Gerhard Dunner me një qetësi të “zakonshme”, vetëm tha se po pret të bisedojë me punëtorët dhe të marrë mendimin e tyre. “S`i mund të përgjigjem për diçka kur nuk më lënë as të flas” tha ai shkurt. Në këto momente punëtorët janë duke biseduar me bordin dhe tërë stafin e “Ecohigjienës” me asistimin edhe të policisë./rajonipress/