Eko Higjiena

E zhbinë Kosovën të pamoralshmit

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Skena politike, në pikën më të ulët në dy dekada.

“Çdo gjë në Kosovë trajtohet si plaçkë për shitje e zhvatje. Të pamoralshmit, hajnat, kriminelët e të shiturit kanë uzurpuar çdo institucion, abuzojnë me çdo gjë, vjedhin çdo gjë dhe shesin çdo gjë të shenjtë të Kosovës, përfshirë edhe tokën dhe nderin e saj. Kosova asnjëherë, që nga viti 1999, nuk ka qenë në një gjendje kaq të mjerueshme, asnjëherë nuk ka pasur njerëz më amoralë e më të shitur në krye të saj dhe asnjëherë nuk ka qenë më në rrezik që të gjymtohet e ta humbë shtetësinë e saj” , tha Adem Salihaj për “Kosova Sot”

Njohës të rrethanave politike në vend dhe qytetarët njëzëri pajtohen në vlerësimin e tyre se skena politike kosovare me partitë aktuale, të degraduara edhe të inkriminuara, është bastarduar tej mase. Sipas tyre, kjo klasë me këta politikanë dhe me këto parti politike, qofshin ata në pozitë ashtu edhe në opozitë, e kanë katandisur Kosovën, duke e shndërruar në një shtet pa pikë perspektive dhe shtet tërësisht që ndodhet në sundimin dhe duart e krimit të organizuar.

Sipas analistëve, nuk duhet që të çuditemi fare se përse qytetarët të vetmen shprese po e kanë që të gjejnë mënyra për të ikur sa më shpejt sa më larg Kosovës. Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se gjithë Kosovën e ka përfshirë një dëshpërim i madh, si pasojë e përfshirjes së saj nga amoraliteti i të gjitha strukturave të pushtetit dhe atyre publike. “Asgjë në Kosovë nuk mbeti e shenjtë dhe e papërlyer, asgjë nuk u ruajt e pastër, asgjë nuk mbeti e panjollosur. Amoraliteti dhe çoroditja përfshijnë arsimim e shëndetësinë, ekonominë, policinë, prokurorinë e gjykatat”, u shpreh ai.

Degradim alarmant

Analisti politik, Gani Qarri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Hashim Thaçi & Co jo vetëm se nuk mendojnë më për Kosovën, por ata po duan ta zhbëjnë tërësisht edhe Republikën tonë të krijuar e arritur me aq shumë gjak mund e sakrifica.“Skena aktuale politike e vendit, me partitë e degraduara dhe të inkriminuara deri në fyt, është bastarduar aq shumë, saqë përveç pasurimit marramendës për vete dhe varfërisë së skajshme e mjerimit galopant, me të cilat ka mbërthyer krejt shoqërinë, po detyron qytetarët e saj që edhe në shekullin XXI të vetmen zgjidhje për mbijetesë ta shohin me ikje të serishme, sa më larg vendit të vet.

Kjo kastë e degraduar udhëheqëse, me këta politikanë dhe këto parti politike, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, jo vetëm se e ka kthyer Kosovën në një shtet pa pikë perspektive dhe vend të rënë tërësisht në duart e krimit të organizuar, por është bërë tepër shqetësuese për gjithë vendin, aq sa nga pasojat e politikës së kriminalizuar, as të rinjtë të mos shohin më zgjidhje tjetër përveç ikjes nga Kosova dhe shpërndarjes e përhumbjes së tyre në gjithë botën”, u shpreh ai.

Njohësi i rrethanave politike, Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se skena politike kosovare me partitë aktuale, që janë tërësisht të degraduara dhe të inkriminuara bashkë me nëntokën kriminale, është bastarduar tej mase.“Kjo klasë politike e ka katandisur Kosovën aq keq me këta politikanë dhe me këto subjekte korporative e të inkriminuara, si ato në pozitë ashtu edhe në opozitë, duke e bërë vendin një shtet pa pikë perspektive dhe tërësisht në duart e krimit të organizuar e mafio-oligarkisë kriminale.

Andaj, qytetarët të vetmen shpresë për një jetë më të mirë po e kanë të gjejnë mënyra për të ikur sa më shpejt e sa më larg Kosovës, duke ikur nga ky shtet i kapur nga mafio-politikanët sundues e mafio-oligarkët zhvatës të buxhetit dhe aseteve të shtetit”, u shpreh ai.“Realisht me këtë politikë të inkriminuar e të bastarduar Kosova ka mbetur një shtet në letër, ndryshe realiteti jetësor është shumë i disfavorshëm për nga gjendja ekonomike për jetën e shumicës së qytetarëve, skena politike kosovare është bastarduar me partitë politike aktuale, të cilat janë tërësisht të degraduara dhe të inkriminuara bashkë me nëntokën kriminale”, potencoi Hertica.

Eco Higjiena

Bastardimi i skenës

“Skena politike kosovare me partitë aktuale, që janë tërësisht të degraduara dhe të inkriminuara bashkë me nëntokën kriminale, është bastarduar tej mase. Edhe unë si vëzhgues i zhvillimeve në këtë skenë politike do të kisha përçuar mesazhin e fuqishëm që më kurrë të mos votohet asnjë fytyrë e çoroditur e skenës politike, dhe tani t’i themi stop jetës luksoze mbi bazën e vjedhjes dhe të plaçkitjes së shtetit nga ata politikanë për të cilët duhet të vijë në shprehje ndëshkimi me votim, derisa dorëheqja morale para qytetarit dhe përgjegjësia para ligjit janë dy mungesa të mëdha në kulturën akoma të pandërtuar të lidershipit politik kosovar, si rezultat i këtij mjerimi të përgjithshëm, sot çdo i dyti i ri mendon se si ta bëjë një zgjidhje drejt vendeve perëndimore”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”.

Kriminalizimi i shtetit

“Përveç rënies totale të besimit për zhvillim dhe prosperitet nga e gjithë shoqëria në këtë skenë politike të degraduar e të bastarduar deri në fund, qytetarët sot e kanë shumë problem ta veçojnë qoftë edhe një parti të vetme, e cila nuk është e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sa më shumë që të zgjasë qëndrimi i këtyre segmenteve të kriminalizuar në krye të shtetit, aq më e rëndë dhe më e paqartë do të bëhet edhe situata në vend.

Ndaj sot po shihet më qartë se kurrë më parë që Hashim Thaçi me shokë, jo vetëm se janë bërë zëdhënësit më të pështirë të Aleksandër Vuçiqit dhe shndërruar në argatët më besnikë të Serbisë, por përveç gënjimit të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, se do t’i bashkojnë me shtetin tonë të brishtë, ata po punojnë me këmbëngulje natë e ditë, që ta ndajnë dhe zhbëjnë tërësisht edhe Republikën e Kosovës, duke detyruar qytetarët e saj që edhe në shekullin XXI të vetmen zgjidhje për mbijetesë ta shohin me ikje të serishme sa më larg vendit të vet”, u shpreh Gani Qarri për “Kosova Sot”.

Qytetarët, të dëshpëruar e të zhgënjyer

Krahas analistëve politikë edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer tej mase me gjithë spektrin e tashëm politik në Kosovë. Kjo ngase, sipas qytetarëve, kjo klasë politike me këta politikanë dhe me këto parti politike, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, në një shtet pa pikë perspektive dhe shtet tërësisht në duart e krimit të organizuar. Qytetari nga Prishtina, Reshat Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se vërtet është për keqardhje situata në cilën jemi aktualisht sepse i madh e i vogël, i ri dhe i moshuar i shkolluar, e pashkollë, të gjithë fund e krye janë shumë të zhgënjyer tej mase me gjithë spektrin e tashëm politik në Kosovë.

“Kur e them këtë e kam për bazë faktin se kjo klasë politike me këta politikanë dhe me këto parti politike qofshin ata në pozitë apo edhe në opozitë, e kanë shndërruar Kosovën në një shtet pa asnjë pikë perspektivë dhe duke e bërë një shtet tërësisht që ndodhet në duart e krimit të organizuar dhe politikanëve mafiozë”, u shpreh ai. Edhe qytetari tjetër nga Prishtina, Rrahmani Rrahmni, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se këtyre partive politike u ka dalë fala (skaduar afati), si pushkëve të gjata që ishin dikur.“Kjo edhe është arsyeja dhe në asnjë mënyrë nuk dihet që të habitemi se përse qytetarët tanë të vetmen shpresë po e kanë që të gjejnë mënyra për të ikur sa më shpejt dhe sa më larg Kosovës”, ka vlerësuar ai.

(Kosova Sot)