Fundamenti

E zeza që po vjen

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Naser Sertolli – “Kur fukaraja ka bërë dasmë, është shqyer tupani”. Kjo thënie popullore t’i futë ethet në bark sa herë ndodh që punët në ndonjë lëmi na shkojnë mirë neve, si individë, apo edhe si shoqëri.

Nëse ka të vërtetë diçka këtu, dhe patjetër duhet të ketë sepse këtë proverb populli “autochthonous” e ka sajuar vetëm nga përvoja e gjatë, nga rropatjet me jetën, atëherë sinqerisht duhet të brengosemi për fatin e Kosovës, e cila duket se, më në fund, ka rënë në duar të sigurta, të njerëzve kompetentë e atdhedashës. Të njerëzve që lokomotivën e përparimit po e vënë në binarë dhe s’do të lejojnë forcë që ta ndalë.

Frikën se mund të na “shqyhet tupani” na e futi deri në palcë veprimi i mrekullueshëm dhe i jashtëzakonshëm i një drejtuesi të një institucioni tepër të rëndësishëm në të mirë të këtij populli, sidomos të një shtrese të pjesës dërrmuese të tij – asaj të këputurës.

Në fakt, zyrtari iu bashkua kauzës së disa patriotëve të tjerë, të cilët po bëjnë gjithçka e nuk po zgjedhin mjet për të realizuar interesat e një kategorie qytetarësh, e cila është lënë pa përkujdesjen e merituar gjatë gjithë këtyre viteve të gjata të pasluftës.

Fjala është për një ministër. Për të na u shtuar frika se mos po na gjen ndonjë e zezë, meqë s’jemi mësuar të gëzohemi dhe të shohim dritë, është një prej atyre që këtyre trojeve e këtij populli i ka munguar gjithmonë – një që flet shqip, një shqipe të pastër. A ka, o Zot, më mirë!

Ministri i Arsimit befas është bërë mbrojtës i interesave. Për të mos u keqkuptuar dhe për sqarim, fjala është për interesat e një pjese të shoqërisë që ka dhënë shumë për Kosovën tonë të dashur – për familjet që ndërlidhen me luftën për çlirim.

Kur është puna për këso kategorie qytetarësh, Ramë Buja, si njeri i popullit dhe që bashkëvuan me hallet e tij, na dëshmoi se është në gjendje të bëjë gjithçka. Edhe të sakrifikohet.

E sa për ligje, për ministrin tonë popullor, ato janë një hiç. Nëse helbete ekzistojnë – janë krijuar për t’u thyer. Sepse, kur bëhet fjalë për qytetarët, për popullin, lideri i vërtetë nuk pyet për këso dokrrash.

Mobi Casa

A kemi pasur ndonjëherë udhëheqës të tillë? – Kurrë! Ja, pra, ëndrra po na bëhet realitet. Tash s’na mbetet tjetër përveçse të lutemi që ajo fjala e urtë popullore të mos jetë e vërtetë. Ose, të paktën, të jetë e ndonjë kombi tjetër. E ne të ecim tutje, të hipur në vagonin e asaj lokomotivës së zhvillimit.

Me vendimin e tij, të cilin ia ka drejtuar për ekzekutim rektorit të UP-së, për të pranuar në fakultete me automatizëm mbi 1.000 kandidatë për studentë – fëmijë të familjeve të prekura nga lufta, ministri Buja po ua bën një favor përfaqësuesve të shoqatave që përfaqësojnë kategoritë e dala nga lufta. Këta të fundit kur kërkonin realizimin e kërkesës – pranimin e këtyre kandidatëve, pa asnjë dyshim nuk kanë pasur asnjë interes tjetër, siç flasin gojëkëqijtë, veç dëshirës për t’i parë edhe ata duke u shkolluar.

Secili duhet t’i mirëkuptojë edhe ultimatumet e tyre, edhe mospërfilljen e ligjeve (të hartuara e miratuara sidomos nga shokët e tyre të luftës), të cilat në mënyrë të qartë dhe të posaçme rregullojnë statutin e të gjitha kategorive në fjalë.

E në krejt këtë mesele, është një individ, i vetëm, që po çon pluhur. Nuk dihet se ç’e pandeh veten rektori Ramadan Zejnullahu, kur në emër të disa të ashtuquajturave ligje, të një autonomie e të zbatimit të ligjit në Universitet, përpiqet të pengojë realizimin e vendimit të ministrit tonë popullor ose ultimatumet e çlirimtarëve për t’u shkolluar të rinjtë tanë.

A e bën mend ai se po hyn në gjynah? Si do të ndihej ai po t’i shfaqej në ëndërr ndonjë dëshmor, e ta pyeste: “Qysh bre ti s’po do që fëmija im të regjistrohet në fakultet?” Ose, sikur të njëjtën pyetje t’ia bëjë ndonjë dëshmor teksa është duke ecur ndonjërës rrugë të kryeqytetit. Mos më thoni se nuk besoni që kjo mund të ngjajë në Kosovën tonë të çudirave!

Në situatën në të cilën gjendet dhe e ka futur veten, me deklarata të pamatura dhe që s’i bëjnë nder, rektori e ka vetëm edhe një mundësi. Të artë, bile. Ta dëshmojë veten se është patriot më i madh se ministri dhe se çlirimtarët që e kërcënonin për këtë armatën prej njëmijë kandidatësh që duhej t’i pranonte, deshi – s’deshi.

Në vend që t’i regjistrojë, Ramadan Zejnullahu do të duhej ta nënshkruante vendimin dhe të gjithë kandidatët në fjalë të pajisen me diploma fakulteti. Secili me diplomën e fakultetit të qejfit. Kështu do t’u ndihmonte atyre që të mos shpenzojnë as financa, as mund, as kohë. Për dije nuk pyet kush.

As ministri e as çlirimtarët nuk janë të interesuar. Sikur të ishin, nuk do të bënin patriotizma duke iu hipur sipër ligjeve.