Uji Dea

E vret për vadë

/ 6 minuta lexim
FITORJA

Një problem tejet banal mes dy kushërinjve u bë shkas i një tragjedie të premten në fshatin Ranoc të Klinës. Gjergj Jakaj, 47 vjeçar, mbeti i vdekur në vend, duke mos u rezistuar plagëve që besohet se i mori nga djali i axhës, Ndue Jakaj, 51 vjeçar.

Gjithçka nisi për një vadë uji që po vinte nga mali i fshatit e që Ndue ia kishte hequr digën për ta lëshuar kështu kah dera e viktimës. Ishte ky ujë, që e vërshoi derën e viktimës, fill i zënkave që nisën mes këtyre kushërinjve për të përfunduar më pas në një tragjedi familjare.

Fillimisht dy kushërinjtë u zunë me fjalë, por situata u nxeh shumë kur Ndue Jakaj dyshohet se nxori alltinë dhe qëlloi disa herë djalin e axhës Gjergjin, për ta lënë të vdekur, pikërisht afër digës e cila shkaktoi gjithë këtë tragjedi. Familjarët nuk dinin asgjë. Shumica ishin në punë e disa të tjerë brenda shtëpisë. Menduan se Gjergji kishte shkuar në punë si gjithmonë, derisa një fqinj i tyre ua dha lajmin e hidhur se kishte gjetur trupin e viktimës të mbuluar në gjak e pa shenja jete.

Përveç anëtarëve të tjerë të familjes, i shokuar nga lajmi që mori mëngjesin e së premtes ishte Pjetër Jakaj, vëllai i viktimës Gjergj Jakaj. Ai ishte në orën e mësimit, duke u ligjëruar nxënësve kur dikush erdhi e i tha se vëllanë ia vrau djali i axhës, për të cilin thotë se deri të premten në orën 9 e kishte konsideruar si vëlla. “Akoma nuk po mund të besoj se situata ka arritur deri këtu. Që dikush e vret djalin e axhës, fqinjin dhe vëllanë e tij për shkak se i thotë ta mbyllë digën”, ka rrëfyer të premten Pjetri për Express.

Thotë se kurrë më parë ata nuk kishin pas probleme mes vete deri ditët e fundit kur në fshat nisi të binte shi. “E kemi rregulluar këtë farë pune njëherë. Kemi hap një kanal të ri të vadës. Edhe Ndue e ka mbyll atë të vjetrin me digë, pasi po na shkaktonte shumë telashe para derës…por krejt ranë poshtë të premten”, sqaron Pjetri i cili thotë se akoma nuk po mund ta marrë me mend faktin se vëllai i tij nuk jeton më. “Dhe kush ia morri jetën, njeriu i gjakut, i familjes të cilin e kemi konsideruar si vëlla”, thotë ai.

Megjithëse ky relacion mes dy shtëpive që ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës ka përfunduar të premten me vrasjen e Gjergjit. “Arsyeja që ai ma vrau vllahun është e palogjikshme. Përveç që e mori një jetë njeriu, me këtë akt ai e njollosi edhe familjen Jakaj”, pohon Pjetri, vëllai i tashmë të ndjerit Gjergj Jakajt.

FIDANISHTJA

E pavarësisht dhimbjes që djali i axhës i shkaktoi atij dhe familjarëve të tjerë, Pjetri thotë se nuk e ka ndërmend të bëjë diçka të ngjashme që ai ia bëri mëngjesin e së premtes. “Ai i la katër fëmijë pa baba dhe një grua pa burrë. Me të le të merret drejtësia”. Kjo pavarësisht se pas tragjedisë asnjëri nga familja e dorasit nuk erdhi të paktën për t’i kërkuar falje apo për t’i ngushëlluar për atë çfarë u bëri vaki. “Akoma jemi të mpirë, po e presim trupin e vëllait që ndodhet në Prishtinë për obduksion. Do ta varrosim siç e ka merituar”.

Express është munduar të flasë edhe me familjarët e dorasit Ndue Jakaj, i cili dyshohet se ka vrarë 47 vjeçarin Gjergj Jakajn, njëherësh djalin e axhës. Por, dera e shtëpisë aty ishte e mbyllur për të gjithë. Pas tragjedisë që ndodhi mëngjesin e së premtes, fshatarët thonë se e gjithë familja e dorasit është ngujuar brenda mureve të shtëpisë. “Askush nuk po del nga dera, as që po lëvizin”, thonë ata.

Ky rast është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, saktësisht nga Stacionin policor në Klinë. Sipas një komunikate për media nga kjo zyrë, thuhet se të premten rreth orës 09 e 10 minuta përmes telefonit është njoftuar për një rast të vrasjes në fshatin Ranoc, komuna e Klinës. “Njësitë reaguese të policisë dhe hetuesit kanë arritur në vend të ngjarjes dhe kanë arrestuar edhe personin e dyshuar , shtetasin N.J.(1961), të cilit i është konfiskuar edhe arma e zjarrit, për të cilën dyshohet se e ka përdorur në rast”, thuhet ndër të tjera në raport.

“Viktimë e kësaj vrasjeje është Gjergj J.(1961), të cilin e kishin dërguar të afërmit e tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë, dhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e shkaktuar nga arma e zjarrit”, thuhet në raport. Sipas hetimeve preliminare, dyshohet se deri të incidenti kishte ardhur pas një konflikti verbal dhe fizik në mes të të dyshuarit dhe viktimës.

Vdekja e Gjergj Jakajt është konfirmuar edhe në QKMF “ Nënë Tereza” në Klinë. “ Personi Gj.Jaku ka ardhur pa shenja jete në QKMF, mjekët e kanë konstatuar vdekjen e tij të shkaktuar me armë zjarri. Ka qenë i goditur disa herë në pjesën e përparme”, ka konfirmuar drejtori i QKMF-së në Klinë, Ali Ahmetxhekaj.

Aktualisht njësitë përkatëse kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, përderisa në vendngjarje kanë arrit edhe hetuesit përkatës të Njësitit të Hetimeve Rajonale dhe nën mbikëqyrje të prokurorit të çështjes kanë filluar këqyrjen e vendit për të mbledhur prova dhe dëshmi rreth vrasjes. Trupi i pajetë i viktimës me vendim të prokurorit është dërguar për ekzaminim.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.