KKVITI

E vërteta do të na çlirojë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Nëse gjenden fajtorë, të gjithë ata që kanë bërë krime në emër të UÇK’së meritojnë përbuzjen tonë dhe dënimin nga ligji. Bashkëjetesa me ta don të thotë bashkëjetesë me krimin. Është koha e fundit që të ballafaqohemi me krimet tona. Gjetja e së vërtetës do të na çlirojë. Ato që i tha prokurori Clint Williamson nuk janë të reja për qytetarët e Kosovës. Pretendime të tilla janë përmendur edhe më herët, por kësaj radhe vijnë të “paketuara” në një raport të veçantë dhe pritet të dëshmohen në gjykatë.

Bëhet fjalë për krime të pretenduara se janë kryer nga zyrtarë të lartë të UÇK’së, ku përfshihen edhe spastrimi etnik, vrasje rivalësh politikë, persekutim e dhunë seksuale. Të gjitha pretendohet se janë kryer nga figura të njohura të ushtrisë që luftoi për çlirimin e Kosovës. Ata kanë keqpërdorur pozitën e tyre për interesa individuale e klanore dhe në emër të luftës kanë kryer krime makabre ndaj të pafuqishmëve që i kanë takuar një etnie tjetër, një gjinie tjetër, një opsioni tjetër politik, duke vendosur kështu se kush nuk e meriton, sipas tyre, të jetojnë më.

Menjëherë pas publkikimit të raportit të prokurorit amerikan, individë, organizata dhe institucione ngarendën të ngushëllohen me faktin se prokurori nuk paska gjetur fakte për trafikim organesh, ndonëse pohon se raste të tilla kanë ndodhur dhe hetimet do të vazhdojnë. Në këtë mënyrë, hija e zezë e vrasjeve me qëllim trafikimin e organeve do të vazhdojë të endet mbi kokat e ish-pjesëtarëve të UÇK’së – tash politikanë, ashtu si dhe mbi imazhin edhe ashtu të stërkequr të Kosovës. Do të vazhdojë të endet mbi kokën e secilit prej nesh.

Krimet janë individuale dhe nëse vërtetohet se dikush nga UÇK’ja ka kryer të tilla, kjo nuk nënkupton njollosjen e gjithë ushtrisë, e cila qëllim kishte çlirimin e vendit. Por, po, i bën përgjegjës të gjithë pjesëtarët e kësaj force të cilët kanë lejuar që bashkëluftëtarë të tyre të devijojnë nga misioni fillestar dhe të cilët kanë heshtur për ato që kanë ndodhur. Për më shumë, na bën përgjegjës ne si qytetarë që tash 15 vjet kemi lejuar të bashkëjetojmë me tipa të tillë, të cilët kanë bërë çmos në emër të luftës, në emër të lirisë, në emër tonin.

Të gjithë ata që kanë vrarë, e ende nuk janë dënuar, me veprimet e tyre kanë vrarë të ardhmen e këtij vendi. Ata kanë mbajtur peng një shoqëri të tërë, e cila për vite me radhë ka bartur mbi vete barrën e përgjegjësisë për krimet e kryera. Sepse, krime janë kryer. Viktimat dikush i ka vrarë, dhunuar, zhdukur. Ata iu mungojnë më të dashurve të tyre. Nëse nuk gjenden dëshmi, kjo nuk don të thotë se krimet nuk kanë ndodhur. Gjetja e së vërtetës për krimet do të na çlirojë.

* * *

Ata që kanë pasur përgjegjësi t’i zbardhin krimet e pretenduara, por që kanë dështuar ta bëjnë një gjë të tillë, po akuzojnë të tjerët kinse po presin me padurim të dënohen njerëzit e luftës, të dënohet UÇK’ja. Në këtë mënyrë, të tillët po përpiqen që për veprimet e tyre të liga, shpëtimin ta gjejnë pas logos së UÇK’së.

Askush që logjikon me mendje të shëndoshë nuk po kërkon që të dënohen njerëzit e luftës por, po, po duan që të dënohen të gjithë ata që mund të kenë bërë krime në emër të luftës. Po duan të çlirohen njëherë e mirë nga përgjegjësia që nuk iu takon, të çlirohen nga imazhi që nuk e meritojnë.

Mobi Casa

Nuk duhet lejuar që ende të jetojnë të pandëshkuar këta individë, që me veprimet e tyre kanë njollosur qindra-mijëra të tjerë të cilët luftuan, u sakrifkiuan dhe u flijuan për një ideal.

Nëse gjenden fajtorë, të gjithë ata që kanë bërë krime në emër të UÇK’së meritojnë përbuzjen tonë dhe dënimin nga ligji. Bashkëjetesa me ta don të thotë bashkëjetesë me krimin. Gjetja e së vërtetës do të na çlirojë.

* * *

Pa u zbardhur krimet dhe pa dënuar kriminelët, shteti i Kosovës do të mbetet peng i të kaluarës së errët dhe kriminale. Pa u zbardhur krimet e së kaluarës, shteti i Kosovës nuk bëhet. Është koha të ballafaqohemi me krimet tona.

E di. Shumë nga ata që nuk pajtohen me një logjikë të tillë, do të mund të thonë se pse po kërkojmë të dënohen kriminelët tonë, përderisa krime monstruoze të kryera në Kosovë gjatë luftës ende nuk janë zbardhur. E vërtetë dhe e dhimbshme.

Por, kjo assesi nuk duhet të na “amnistojë” si shoqëri nga përgjegjësia për t’i gjetur dhe vënë para drejtësisë të gjithë ata që kanë bërë punë të liga, ata që na kanë bërë dhe na bëjmë të ndihemi fajtorë, ata që për tekat dhe interesat e tyre i kanë vënë damkëm e zezë një populli të tërë. Sa më shpejt që ndodh një gjë e tillë, aq më mirë për të gjithë ne.

Vetëm gjetja e së vërtetës do të na çlirojë.