E vërteta dhe marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë
Nga Blerim Shala – E vërteta politike për Kosovën, edhe në format çfarë po publikohet nga ana a e autoriteteve të Beogradit, nuk ka si të mos jetë themel për Marrëveshjen Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
A po përgatitet udhëheqësia e sotme e Serbisë për ta bërë, për të parën herë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, një Marrëveshje të mirëfilltë politike e cila do ta shënonte hapin e parë në një proces afatgjatë të normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Apo, krerët e Serbisë po mundohen njëkohësisht, t’i afrohen sa më shumë që është e mundur, të vërtetës për Kosovën, e cila deri më tash ka pasur karakter privat tek liderët serbë (këtë e kanë pranuar para diplomatëve perëndimorë, por kurrë publikisht), dhe njëkohësisht, përmes pranimit të kësaj të vërtete t’i afrohen synimit të tyre që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, të ketë fuqi ekzekutive?
S’do mend që deklarimet e Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiqit, i cili është në ballë të Delegacionit të Serbisë që shfaqet në Bruksel që prej tetorit të vitit të kaluar e këndej, tash e sa kohë, njohin dinamikën e afrimit kah e vërteta për Kosovën, e cila mori trajtën e një editoriali të saktë, të qëndrueshëm, të vërtetë në javoren ‘NIN’, që përkoi me shënimin e dhjetëvjetorit të vrasjes së Kryeministrit Gjingjiq, në marsin e vitit 2003.
Tash një vit ta zëmë, diç e tillë nuk ka mundur dot të paramendohet në rastin e Presidentit Tadiq, i cili nuk bëri asnjë të vetmin hap në drejtimin e duhur të arritjes së një Marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe të Serbisë.
Shumëkush me të drejtë, nga ana kosovare, do të mund të thotë që diç e tillë është dashtë të bëhet, jo më larg se në vjeshtën e vitit 2000, kur ra regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Shumë kohë është e humbur, në refuzimin e të vërtetës për Kosovën. Kosova është emër i krimit të vazhdueshëm të politikës së Serbisë ndaj Kosovës: të Serbisë monarkiste dhe republikane, të Serbisë moniste dhe shumëpartiake, të Serbisë të të gjithë Presidentëve dhe Kryeministrave.
Kjo është e vërteta historike që prej vitit 1912, e deri më sot.
Daçiqi dhe lidershipi i tashëm i Serbisë, nuk merren me historinë gati njëqind vjeçare e cila fund e krye njeh viktimizimin e shqiptarëve, por, sidoqoftë, për të parën herë, Beogradi zyrtar provon të përshkruajë me saktësinë e duhur, gjendjen faktike në Kosovë, duke iu shmangur, siç edhe mund të pritet, gjendjes de jure, që do të nënkuptonte bërjen e atij hapi aq të duhur në raportet Kosovë – Serbi: Njohjes së shtetit të Kosovës.
E vërteta politike për Kosovën, edhe në format çfarë po publikohet nga ana a e autoriteteve të Beogradit, nuk ka si të mos jetë themel për Marrëveshjen Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Deri dje, qëndrimi i lidershipit serbe ka qenë: Kosova është pjesë e Serbisë, prandaj, Kosova, dhe Perëndimi (gjithsesi), duhet t’i nënshtrohen këtij fakti. Tash, qëndrimi i udhëheqësisë së Serbisë është që Kosova është jashtë Serbisë, prandaj, synimi i Beogradit duhet të jetë forcimi i të drejtave të serbëve në Kosovë.
Me vonesë të madhe, si zakonisht, Beogradi ka mbërritur, në shkurtin, marsin e vitit 2013, atje ku negociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, të mbledhë nga ana e Presidentit Ahtisaari, ishin në shkurtin, marsin e vitit 2006 (shtatë vjet të plota).
Kosova ishte bërë de fakto e pavarur prej Serbisë, duhej të bëhej de jure shtet, me garancat për serbët në Kosovë.
Kjo ishte e vërteta politike për Kosovën e vitit 2006. Këtë të vërtetë tash po e thotë Daçiqi.
Më mirë vonë se kurrë. Më mirë sot se nesër. Më mirë tash, kur në Bruksel po bisedohet për raportet e ardhshme Kosovë – Serbi, se sa pak muaj më pas.
Kështu mund të thuhet, nga prizmi i një pragmatizmi politik.
Por Beogradi zyrtar ende nuk është i gatshëm, siç po shihet, ta bëjë atë kërcimin në drejtimin e duhur: Prej përqafimit të kësaj të vërtete, në formalizimin e saj, në trajtë të Marrëveshjes së mirëfilltë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, qoftë edhe pa njohjen e shtetit të Kosovës, por me respektimin e plotë të rregullimit të brendshëm të Kosovës, çfarë është kodifikuar me Kushtetutën dhe me Ligjet në fuqi.
Duket që aktualisht, prijësit e Serbisë janë aty ku është edhe opinioni publik i Serbisë, në bazë të një hulumtimi interesant që u bë i ditur pikërisht me 4 mars, kur në Bruksel zhvillohej takimi i radhës në mes të Kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë.
63% të atyre që dhanë përgjigjet në këtë hulumtim, pohuan që Kosova është shtet i pavarur dhe që Serbisë i mbetet të mirret me të drejtat e serbëve në Kosovë.
Por kur u pyetën se çka do të zgjidhnin, po ta kishit rastin ta bënin këtë: Hyrjen në BE, apo kthimin e plotë të Kosovës në Serbisë, 65% të respondentëve thanë që Kosovën e zgjedhin para Evropës.
Këto dy përgjigje janë thellësisht kundërshtuese dhe përjashtuese.
Kosova është shtet, dhe Serbia nuk ka çfarë të bëjë tjetër dhe ta pranojë realitetin.
Serbia nuk mund të zgjedhë, prandaj, në mes të Kosovës dhe BE-në. Me Kosovën duhet të krijojë marrëdhënie normale, nëse do të ecën tutje në rrugëtimin kah BE-ja.
Ky paradoks që shfaqet në përgjigjet e të anketuarve në këtë hulumtim të opinionit publik në Serbi, është këmbë e kryq i ulur mbi tavolinën vendimmarrëse të udhëheqësisë së tashme të Serbisë.
Në njërën anë pra, liderët serbë e dinë dhe tash, edhe e thonë të vërtetën për Kosovën. Në anën tjetër, akoma refuzojnë të veprojnë, në Bruksel dhe gjetiu, në bazë të kësaj të vërtete. E koha po ecën. Beogradi është në potez. Mund ta bëjë hapin e duhur, apo sërish të ngecë në vend, tok me të vërtetën për Kosovën, e cila pastaj del që do të jetë e vërteta (e hidhur), për vendnumërimin e Serbisë në udhën kah BE-ja.
(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)


