Fundamenti

E shkelin n`zebra

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Sokol Bashota është përfshirë në një aksident trafiku. Vetura që po e bartte Kryetarin e Klinës e ka shkelur një plak 80-vjeçar teksa po kalonte zebrat në fshatin Vragoli afër Prishtinës. Policia e ka marrë në pyetje Bashotën dhe shoferin e tij.

Sokol Bashota, kryetar i Komunës së Klinës, derisa po udhëtonte me veturën e tij zyrtare, ka aksidentuar një qytetar rasti.

Bashota nuk ka qenë duke vozitur veturën e tij, por ka qëlluar vetëm si pasagjer.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vragoli në magjistralen Prishtinë-Pejë, ku si pasojë e goditjes me veturën zyrtare, lëndime të rënda ka pësuar një 80 vjeçar, që besohet se është nga komuna e Klinës.

“Ai është goditur derisa po kalonte zebrat në këtë fshat”, ka thënë një dëshmitar i rastit për gazetën Express.

Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin duke shtuar se Sokol Bashota dhe ngasësi i veturës tashmë janë intervistuar nga Policia e Kosovës.

“Janë dy persona që janë marrë në pyetje nga policia. Njëri nga ta është kryetari i Komunës së Klinës”, ka thënë për Express Flora Ahmeti, zyrtare për informim e Policisë së Kosovës.

RCCOLA

Gjendja e të aksidentuarit, sipas mjekëve në Qendrën Klinike Universitare, është jashtë rrezikut për jetë.

Basri Lenjani, shefi i Emergjencës, ka thënë se pacienti është sjellë në këtë qendër dhe se atij i janë ofruar të gjitha shërbimet mjekësore.

“I janë bërë të gjitha ekzaminimet mjekësore. I janë bërë rëntgen, CT fotografime dhe se gjendja e pacientit është stabile”, ka thënë shefi i Emergjencës.

Sipas tij, pacienti është i shtrirë në qendër e diagnostifikimit dhe ka disa lëndime.

“Ai ka disa lëndime në gjoks, kokë etj, por gjendja e tij është stabile”, ka thënë ai.

E policia e Kosovës ka thënë se pas marrjes së deklaratave nga vozitësi i veturës dhe kryetari i komunës së Klinës të dy janë liruar.

“Pas marrjes së deklaratave nga ana e policisë edhe kryetari i komunës edhe ngasësi i veturës janë liruar”, ka thënë Flora Ahmeti zyrtare për media në policinë e Kosovës.