E rrisin luksin

Për nëntë muaj të këtij viti, Qeveria e Kosovës i ka rritur shpenzimet. Sipas raportit të buxhetit, del se më së shumti ekzekutivi ka shpenzuar për mallra dhe shërbime, që konsiderohet edhe si kategoria e luksit. Gjatë kësaj periudhe janë bërë 992 milionë euro pagesa, ndërsa arka e shtetit është mbushur me 1.2 miliardë euro.
Qeveria e Kosovës po tregohet goxha dorëlirë me paratë e buxhetit.
Për nëntë muaj të këtij viti i ka rritur shpenzimet për të gjitha kategoritë, e më së shumti për atë që konsiderohet si luks, mallra dhe shërbime.
Në total gjatë kësaj periudhe buxheti i Kosovës është mbushur me 1.2 miliardë euro, kryesisht nga Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore.
Ndërkaq, shpenzimet totale kapin shifrën prej 992 milionë eurosh.
Raporti me këto të dhëna është miratuar të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Sipas ministrit të Financave Bedri Hamza, për paga dhe mëditje Qeveria e Kosovës ka shpenzuar 271 milionë euro para të buxhetit. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shihet se ka një rritje për 9 për qind.
Ndërkaq kategoria me më së shumti rritje të shpenzimeve, sipas raportit, del të jetë ajo për mallra dhe shërbime.
Për nëntë muaj të vitit 2012 për këtë kategori janë harxhuar nga institucionet e Kosovës 113 milionë euro.
Në raport me nëntëmujorin e vitit të kaluar shihet se ka një rritje të shpenzimeve për këtë kategori për 21 për qind, kur ishin shpenzuar 93 milionë euro.
Pjesa më e madhe e parave, sipas raportit, thuhet se ka shkuar për furnizime, në të cilën kategori janë shpenzuar 30 milionë euro.
Këtu bëjnë pjesë pagesat për furnizimet për zyre, furnizimet me ushqim dhe pije që kanë të bëjnë me burgjet, spitalet, Policia, Forca e Sigurisë së Kosovës, Universiteti; furnizimet mjekësore, furnizimet e pastrimit, furnizimet me veshmbathje, akomodim, municion dhe armë zjarri , banderolat e bllombat.
Ndërsa rritja më e madhe e shpenzimeve shihet të jetë bërë për kategorinë e shërbimeve, për të cilën janë ndarë nga arka e shtetit gjithsejtë 21 milionë euro apo 8 milionë më shumë se për nëntë muajt e vitit paraprak.
Para të majme janë dhënë edhe për derivate, për udhëtime jashtë vendit e për përfaqësim.
Krahas këtyre pagesave nga buxheti i Kosovës, ministri i Financave, Bedri Hamza ka paraqitur para ekzekutivit se investimet kapitale kanë vazhduar me trend pozitiv.
Ai ka pohuar se për këtë kategori janë shpenzuar 369 milionë euro apo 14 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2011.
Në raport të buxhetit shihet se vetëm për ndërtimin e rrugëve janë dhënë 256 milionë euro. Megjithatë, nuk sqarohet se sa para kanë shkuar për rrugë të reja e sa kanë shkuar vetëm për projektin e autostradës “Ibrahim Rugova”.
Ekzekutivi i vendit gjatë kësaj kohe ka shpenzuar edhe 14 milionë euro në emër të shpenzimeve komunale, që janë për 13 për qind më të larta se vjet.
Ndërkaq, në kategorinë subvencione dhe transfere janë shpenzuar 188 milionë euro, që është për 1 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Hamza është shprehur i kënaqur me realizimin e planit të të hyrave, që, sipas tij, gjatë nëntëmujorit të vitit 2012, duke mos përfshirë grantet nga donatorët si dhe fondet në mirëbesim, janë inkasuar 1.127 milionë euro dhe paraqesin 72 për qind të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara.
Në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2012 të hyrat janë rritur për 21 për qind.
Kësaj rritje i ka kontribuar në masë të madhe mbledhja e taksave kufitare, pasi që Doganat kanë përmbushur 69 për qind të planit vjetor duke realizuar të hyra në shumën 601 milionë euro, apo 2 për qind më shumë se në nëntëmujorin e vitit të kaluar.
Administrata Tatimore e Kosovës ka grumbulluar 203 milionë euro, apo 5 për qind më shumë se vjet duke përmbushur 71 për qind të planit vjetor.(express)