E pritën me protestë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Drejtuesve të rinj të UP’së nuk u ka shkuar mirë ceremonia e marrjes së posteve të reja. Studentë të Universitetit publik, të indinjuar me emërimin e Nuri Bexhetit si prorektor, kanë protestuar para dyerve të Rektoratit. Kur kanë tentuar të hyjnë në ndërtesë, Policia përdori gaz lotsjellës dhe arrestoi disa protestues. Studentët u kundërpërgjigjen me vezë.

E pritën keq. Dita e parë e punës si rektor i Universitetit të Prishtinës, nuk ishte ndër ditët më të mira të Ibrahim Gashit. Në vend të nderimeve, studentët e këtij universiteti e pritën atë me protesta. Por jo të gjithë. Ishin vetëm afër 40 studentë që ditën kur Gashi mori detyrën e re, bllokuan hyrjet e vendit ku u bë plan të mbahet ceremonia solemne për vitin e ri akademik dhe për menaxhmentin e ri të UP’së.

Si fillim, ish-rektori Mujë Rugova mendoi që të organizojë një ceremoni solemne për fillimin e vitit të ri akademik 2012/2013, dhe fillimit të mandatit të menaxhmentit të ri, në sallën e kuqe të Fakultetit të Filologjisë. Por një plan i tillë dështoi, kur studentët u mblodhën e nisën protestën kundër zgjedhjeve siç thonë ata politike të menaxhmentit të UP’së.

Prandaj, zyrtarë të UP’së u detyruan të ndërrojnë lokacion duke u nisur kështu në zyrat e Rektoratit. Ishte pikërisht ky vend, ku plasi sherri. Studentët që po protestonin u munduan që me dhunë të futen brenda zyrave. E nuk mungoi as intervenimi i policisë. Si rezultat, disa nga protestuesit u lënduan nga gazi lotsjellës që u përdor nga policia për të shpërndarë turmën. Derisa studentët vazhdimisht gjuanin policinë dhe dyert e rektoratit me vezë. Policia e Kosovës ka arrestuar nëntë protestues.

Krejt kjo u zhvillua në kohën kur brenda rektoratit po mbahej ceremonia solemne e vitit të ri akademik në Universitetin e Prishtinës dhe në kohën kur u bë pranim-dorëzimi i detyrës nga rektori i ri, Ibrahim Gashi, prej atij që shkoi, Mujë Rugova. Sidoqoftë, protesta nuk u mbajt me këtë qëllim. Studentët protestuan duke kundërshtuar fuqishëm emërimin e Nuri Bexhetit për prorektor në UP.

Musa Preteni, nga Parlamenti i Studentëve, ka thënë se i sapoemëruari si prorektor për arsim, Nuri Bexheti është i njohur për keqpërdorime dhe mashtrime. Sipas Pretenit, Nuri Bexheti është shkelës i ligjit, duke qenë ligjërues i rregullt në tri fakultete – në Filozofik, Juridik, në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe në disa fakultete private.

“Ne e kemi paralajmëruar një protestë që do të jetë simbolike e Parlamentit Studentor, mirëpo nuk kemi bërë ndonjë ftesë publike, por spontanisht. Jemi kundër emërimit të Nuri Bexhetit si prorektor”, ka thënë ai.

Kjo situatë nuk la pa u komentuar nga tashmë rektori i ri i UP’së, Ibrahim Gashi.

“Natyrisht nuk ishte situatë e mirë, por ne shpresojmë se e drejta e protestës është e drejtë legjitime dhe ne jemi këtu për studentët e UP’së, por natyrisht se protestat janë legjitime, por nuk duhet ta pengojnë punën e institucioneve”, ka thënë ai.

KKVITI

Derisa shkarkimi i Nuri Bexhetit thotë se nuk mund të ndodhë, pasi sipas Gashit, që nga fillimi deri tash i tërë procesi ka qenë i bazuar në ligj.

“I tërë procesi zgjedhor, në të gjitha instancat e tij, duke filluar nga zgjedhjet e studentëve e deri te zgjedhja e prorektorëve, ka shkuar konform Ligjit mbi arsimin e lartë, Statutit të Universitetit dhe të rregulloreve në fuqi”, sqaron Gashi, duke shtuar se të gjithë prorektorët i plotësojnë kushtet për ta ushtruar detyrën dhe se nuk ka asnjë konflikt interesi në mes të prorektorëve që i ka zgjedhur Këshilli Drejtues i UP’së.

E derisa Parlamenti Studentor mbante protestë, ishte studentja e UP’së, Rajmonda Ahmetaj ajo që mori rrugë deri në Parlamentin e Kosovës. Kjo studente ua shpërndau deputetëve një letër në emër të të gjithë kolegëve të saj.

Me anë të letrës, Rajmonda ka kërkuar nga deputetët që të mos e votojnë draftstatutin të ri të UP’së, i cili sipas saj, është po ai i vjetri dhe është bërë pa i pyetur fare studentët.

“Ky draftstatut i UP’së i ri, është po ai i vjetri. Sikurse ai i vjetri, draftstatuti i ri vetëm e formalizon gjendjen e keqe ekzistuese në UP. Pasi ky statut, i hartuar nga Këshilli Drejtues dhe Rektorati i UP’së, u hartua tinëzisht pa diskutim brenda UP’së”, u shpreh ajo. Protesta përfundoi në orën 12:00.

Megjithatë, kjo situatë nuk e ndaloi rektorin i deritanishëm të Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugovën, që t’ia dorëzoi detyrën rektorit të ri, Ibrahim Gashi. Në ceremoninë solemne të pranim-dorëzimit të detyrës së rektorit të UP’së ishte prezent edhe ministri i Arsimit, Ramë Buja.

Me rastin fillimit të ri akademik nuk munguan urimet. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Kosovës, ka uruar të gjithë studentet dhe profesorët universitarë për një vit të mbarë, punë efikase, arritje shkencore dhe suksese të shumta.

Sipas kryeministrit Thaçi, ky vit akademik po fillon në kohën kur Kosova ka arritur progres të madhe në planin e brendshëm dhe të jashtëm, si vend i lirë dhe sovran.

“Qeveria e Kosovës ndër prioritetet e saj themelore e ka edukimin e gjeneratave të reja me pikësynim që të rinjtë tanë të jenë konkurrentë në tregun e dijes dhe të punës, ashtu si moshatarët e tyre në Evropë dhe më gjerë”, thuhet në urimin e Thaçit.