Fundamenti

E kush s`ka qejf , Ramush?

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Nga qindra-mijëra të papunë në Kosovë, nuk është Ramush Haradinaj i vetmi që ka vullnet të punojë. As i vetmi që ka qejf të bëhet Kryeministër.

Po të dëgjohej Melihate Tërmkolli, Ramush Haradinaj nuk do të shkonte së pari ta vizitojë familjen, atë ditë që u kthye nga Haga. Ai do të duhej të dërgohej direkt në Zyrën e Kryeministrit dhe t’i jepeshin përgjegjësitë për ta udhëhequr vendin. Sepse, ai tashmë është shfaqur njëfarë shpëtimtari i këtij vendi, i këtij populli.

Sipas logjikës së Tërmkollit dhe AAK’së, lideri i tyre, thjesht, e meriton të vihet në atë pozitë. Vetë Haradinaj ka javë që kërkon t’ia fillojë punës “menjëherë”, thua se Hashim Thaçi e ka pritur me padurim kthimin e tij për t’ia liruar karrigen.

Absurde deri në banalitet është kjo kërkesë, të cilën Haradinaj vazhdon ta përsërisë çdo ditë t’lume, duke habitur të gjithë ata që kanë shpresuar se kur të kthehet nga Haga, ai do të provojë të marrë rolin e një lideri të opozitës, në përpjekje për të hequr nga pushteti keqqeverisjen e Hashim Thaçit. E jo të provojë të vijë në pushtet nëpërmjet Hashim Thaçit – me Hashim Thaçin.

Kur dëgjon tash tek flasin zyrtarë të AAK’së, të krijohet përshtypja se nuk janë ata që kritikonin e shanin qeverinë, gjatë kohës sa lideri i tyre ishte në Hagë. Tash përnjëherë njerëzit e PDK’së më nuk janë të këqij, njerëzit e SHIK’ut janë të pranueshëm si partnerë.

Përnjëherë askush nga AAK nuk kërkon përgjgjësi për të këqijat që kanë ndodhur në Kosovë.

Madje, vetë Haradinaj me dëshirën që t’ia nisë punës “menjëherë” thotë se nuk ia vlen të bëhet lista e të këqijave dhe të gjenden fajtorët për to.

Kjo i bie që Haradinaj dhe AAK nuk e kanë dert – po që se i mbushet mendja Thaçit – që të qeverisin me njerëz të dyshuar për hajni, krim e korrupsion, me njerëz të korruptuar e të kriminalizuar. Nuk e kanë dert që t’i gjejnë fajorët e përgjegjësit për gjithçka të keqe që ka ndodhur, por do të vazhdojnë tutje thuajse krejt është OK. Sepse, po kanë qejf me qeverisë, me punu. Madje edhe duke vënë kushte – ose kryeministër, ose hiç.

Paramendoni: partia e cila në zgjedhjet e fundit nuk ka fituar më shumë se rreth 12 për qind të votave vë kushte për partinë që ka fituar gati edhe dy herë aq. Çfarë modestie!

* * *

E dëmtuar nga mungesa e liderit për një kohë të gjatë, AAK kishte mbetur me pak fuqi politike, e lodhur, e dërmuar. Ishte menduar se me kthimin e Haradinajt ajo do të fuqizohej, ndërkaq lideri i saj do të mund t’ia dilte të mbledh rreth vetes kolegët e bllokut opozitar, me të cilit do të merrej vesh për marrjen e pushtetit. Një rrugë e vështirë kjo, por jo e pamundshme.

Hidromorava

Megjithatë, Haradinaj zgjodhi rrugën më të lehtë. I vetëdishëm se me fuqinë politike që ka, mundësia për të marrë postin e Kryeministrit pas zgjedhjeve është thuajse zero – përveç si rezultat i ndonjë kompromisi, si në kohën e Ibrahim Rugovës – ai shfaqi dëshirën që t’ia marrë postin Thaçit. Ose së paku, siç është e mundshme dhe mund të ndodh shpejt, AAK të bëhet pjesë e qeverisë pa postin e Kryeministrit.

Në vitin 2007, Hashim Thaçi dhe PDK erdhën në pushtet për shkak të keqqeverisjes së koalicionit LDK-AAK, ku postin e Kryeministrit e mbante AAK. Nuk harrohen lehtë skandalet e qeverive Kosumi dhe Çeku, pavarësisht se njerëzit e AAK’së nuk flasin me shumë qejf për to. Ata kanë dëshirë të përmendin 100 ditëshin e Haradinajt kryeministër dhe njëfarë “shkolle të qeverisjes” së kësaj partie. Një periudhë kjo e shkurtër për të praktikuar çfarëdo shkolle dhe për të dhënë shembuj të mirë qeverisjeje.

Tash, “shkolla” AAK’iste e qeverisjes është harruar dhe partia me shpejtësi po lëviz drejt koalicionit me “shkollën” e PDK’së, me qëllim që “të ndihmojë dhe çojë përpara proceset”.

Nëse “shkollë” të qeverisjes së vet AAK e pranon edhe atë të viteve 2004-2007, atëherë më me dëshirë do të ngeleshim të gjithë analfabetë të qeverisjes. Paramendojeni tash qeverisjen nga “shkolla e bashkuar” PDK-AAK.

Është legjitime që secili subjekt dhe lider politik të ketë ambicie për të marrë pushtetin, por jo me çdo kusht dhe jo në mënyrën siç po ka qejf AAK’ja. Ekziston një proces se si fitohen votat dhe besimi i qytetarëve.

Por, nëse dikush ka vendosur që kreditet e fituara nga një proces gjyqësor të mos i shfrytëzojë si duhet, atëherë askush s’i ka faj. As Hashim Thaçi.

* * *

Melihate Tërmkolli mund të jetë pjesë e qeverisë. Ka qejf. Edhe të tjerë kolegë të saj mezi po presin të ulen në kolltukët qeveritarë. Kanë qejf. E morali politik? Çka është ai?

Edhe Ramush Haradinaj po pret me padurim të nisë punën. Ka qejf.

E kush s’ka qejf të bëhet kryeministër?