E kundërshtojmë shkëmbimin e territoreve

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se Prishtina do të insistojë tek autoritet e Beogradit të heqin dorë nga politika diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Marrëveshja në fjalë padyshim do të reflektohej pozitivisht edhe tek perspektiva dhe përmirësimi i statusit tek minoritet tona, qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi. Veç kësaj, vazhdimisht do të kërkojmë dhe do të insistojmë tek autoritetet e Beogradit të heqin dorë nga politika antishqiptare dhe gjitha format e tjera diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës”, ka thënë Tahiri për agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë”.
Tahiri e ka kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve. “Veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës janë troje shqiptare, prandaj edhe e kundërshtojmë këmbimin e territoreve”, ka thënë Tahiri. Ajo ka folur edhe për marrëveshjen e arritur në Bruksel.
Ajo ka thënë suksesi i marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë është i ndërlidhur me zbatimin e saj të plotë brenda afatit kohor.
Në kuadër të këtij afati kohor, Tahiri ka thënë se pritet edhe zhbërja e strukturave paralele të sigurisë dhe gjykatave në veri.
“Në implementimin e marrëveshjes janë përfshirë domosdo edhe integrimi i serbëve të veriut në institucionet qeverisëse të Republikës së Kosovës duke pranuar realitetin e Kosovës si dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale në komunat veriore të Kosovës me qëllim të krijimit të qeverisjes lokale demokratike. Pra, këta janë hapat që duhen ndërmarrë veriu i Kosovës në kuadër të marrëveshjes, bashkë me të edhe krijimi i një asociacioni të komunave serbe do të jetë me status identik me asociacionin e komunave të tjera të Kosovës që do të funksionojë në bazë të koordinimeve të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës dhe Kartës së BE-së për qeverisje lokale”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se normalizimi i marrëdhënieve në mes dyja vendeve do të kurorëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës.