Fidanishtja

E kanë hallin e vet, jo të viktimave

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Kur e nisën dialogun me Serbinë, udhëheqësit shtetërorë nuk i përmendën krimet e Serbisë në Kosovë. Njësoj vepruan edhe kur e votuan Gjykatën Speciale. Por tash, kur duhet se janë në zor pikërisht nga gjykata që vetë e krijuan, kanë nisur të flasin më të madhe për krimet e Beogaradit. Mos iu besoni. E kanë hallin e vet, jo të viktimave.

Tash njëzet vjet Nysrete Kumnova kërkon drejtësi për djalin e vetëm të zhdukur. Tash njëzet vjet Ferdonije Qerkezi i pret në sofrën e zbrazët katër djemtë dhe bashkëshortin, që nuk e di se ku i ka. Tash njëzet vjet kërkojnë drejtësi familjarët e të vrarëve e të masakruarve gjithandej Kosovës. Kërkojnë të sillen para drejtësisë ata që ua shkatërruan jetën përgjithmonë. Izbica, Reçaku, Lybeniqi, Studimja… kërkojnë drejtësi. Por, përgjigje nuk ka.

Institucionet, shoqëria kosovare ka bërë fare pak për të zbardhur gjithë atë që Serbia ka bërë në Kosovë. Madje, qasja e shumicës së liderëve institucionalë ka qenë fyese dhe mospërfillëse ndaj atyre që vazhdimisht kanë kërkuar që krimet të zbardhen, të mos ecet përpara në kurrfarë procesi pa zbardhjen e tyre, pa marrjen e përgjegjësisë shtetërore nga Beogradi.

Kur e nisën dialogun me Serbinë, udhëheqësit shtetërorë nuk i përmendën krimet. Njësoj vepruan edhe kur e votuan themelimin e Gjykatës Speciale. Por tash, kur duhet se janë në zor pikërisht nga gjykata që vetë e krijuan, kanë nisur të flasin më të madhe për krimet e Serbisë.

Në vitin 2011 Kosova pranoi të dialogojë me Serbinë pa kurrfarë kushti. Thua se Serbia ishte një shtet miqësor dhe nuk i kishte asgjë borxh Kosovës. Thua se nuk kishte vrarë e masakruar mijëra vetë, shkatërruar e plaçkitur gjithçka. Madje, pa shfaqur pikën e keqardhjes për atë që ka bërë regjimi i Slobodan Milosheviqit por, përkundrazi, duke e luftuar shtetësinë e Kosovës në çdo formë dhe gjithkund.

Në këtë mënyrë synohej normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Synohej pajtimi ndërmjet agresorit e viktimës.

* * *

Kur njerëzit përgjegjës pyeten pse nuk është bërë më shumë në zbardhjen e krimeve të Serbisë në Kosovë, thonë se deri tash së voni nuk kishin kompetenca në fushën e drejtësië dhe se prokuroritë e gjykatat ishin në kompetencë të ndërkombëtarëve. Kjo mund të jetë e vërtetë. Por, institucionet nuk i ka penguar askush që gjatë dy dekadave të identifikojnë dhe mbledhin dëshmi për ato që kanë ndodhur, nuk ia ka penguar askush që të ofrojnë ndihmë juridike ose në forma të tjera për familjarët e viktimave për t’i dërguar rastet në gjykata, të bëjnë presion për t’i proceduar ato raste, të ofrojnë ndihmë financiare qysh më herët për gratë e dhunuara dhe kategoritë tjera të viktimave.

Askush nuk i ka penguar që të kushtëzojnë çfarëdo procesi me Serbinë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve, me pranimin e fajësisë nga Beogradi, me kompensimin e dëmeve të shkaktuara.

Uji Dea

Askush nuk i ka penguar të themelojnë institute profesionale që do të merreshin vetëm me krimet e luftës.

Këtë nuk e kanë bërë. Nuk e kanë bërë, sepse kanë pasur punë të tjera “më të mençura”. Nuk e kanë bërë, sepse në radhë të parë e kanë pasur interesin personal, përfitimet e privilegjet. Nuk e kanë bërë, sepse nuk kanë dashur.

Dhe tash, kur duket se Gjykata Speciale ka nisur t’i zbatojë seriozisht kompetencat e veta, iu ka rënë ndërmend të flasin për krimet, të flasin për përgjegjësinë e Serbisë. Madje, iu ka rënë ndërmend që të inicojnë edhe themelimin e një tribunali ndërkombëtar që do të gjykonte krimet e Serbisë në Kosovë.

* * *

Edhe do të mund t’iu besohej këtyre njerëzve po që se nuk do të jetonin në Kosovë tash 20 vjet, po që se nuk do ta shihnin Nysrete Kumnovën e mijëra familjarë të tjerë të viktimave e të të pagjeturve duke protestuar e kërkuar vazhdimisht përgjigje për fatin e familjarëve të tyre, drejtësi për ta.

Edhe do të mund t’iu besohej po që se nuk do ta kishin votuar themelimin e një gjykate që ka në fokus vetëm krimet e pretenduara të shqiptarëve.

Edhe do të mund t’iu besohej po që se nuk do të ishin po këta, të njëjtit, që për vite me radhë kanë injoruar kërkesat për drejtësi viktimave, që kanë dialoguar vite me radhë me Beogradin për normalizim marrëdhëniesh pa kurrfarë kushti, madje as pa kushtin e një kërkimfaljeje, si një satisfaksion moral për viktimat.

Iniciativa e fundit për tribunal ndërkombëtar është vetëm edhe një qasje ad hoc, siç veprojnë zakonisht udhëheqësit shtetërorë, madje mund të konsiderohet veç si një kauzë e dikujt që ka mbetur pa një të tillë, në favor të përfitimeve politike. E nuk ka pasur dhe nuk ka kauzë më të madhe se zbardhja e krimeve, se drejtësia për viktimat. Kauzë që u injorua. Ashtu siç u injoruan dhe u fyen për dy dekada viktimat dhe familjarët e tyre.