RCCOLA

E bllokojnë PTK dhe KEK-un

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Mbi 20 organizata në krye me BSPK’në janë bashkuar kundër privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Kërcënojnë se të premten punëtorët do ta bllokojnë procesin e punës në PTK dhe KEK. Deri tani janë grumbulluar 50 mijë nënshkrime kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike.

I bashkojnë forcat kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike. Mbi 20 organizata sindikale e joqeveritare, në krye me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nuk e kanë ndërmend të rrinë duarkryq përballë shitjes se ndërmarrjeve publike.

BSPK të dielën do t’i drejtohet me një rezolutë me kërkesat e tyre Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar mënyrën se si po bëhet privatizimi i ndërmarrjeve publike si PTK, KEK dhe Trepça. Ndërkaq, punëtorët e PTK-së dhe distribucionit të KEK-ut të premten për gjysmë ore do të protestojnë në vendet e tyre të punës për të kundërshtuar, siç thonë ata, privatizimin e egër të këtyre ndërmarrjeve.

Haxhi Arifi, kryetar i BSPK-së, në një konferencë për media ka thënë se deri të mërkurën janë grumbulluar 50 mijë nënshkrime kundër formës së privatizimit të ndërmarrjeve publike dhe se ky peticion do t’i dorëzohet presidentes, kryeministrit, kryekuvendarit dhe Ambasadës amerikane.

Sipas tij, peticioni me nënshkrimet e mbledhura në kundërshtim të privatizimit do të vazhdojë deri të dielën dhe se të hënën, sipas informatave që Arifi posedon, do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku do të debatohet mbi privatizimin në Kosovë.

“Ne kemi filluar të grumbullojmë nënshkrimet. Një peticion që do t’ ia dërgojmë një kopje Presidentes, një kryekuvendarit, një kopje kryeministrit dhe Ambasadës amerikane. Deri më datën 12 janë grumbulluar 50 mijë nënshkrime. Ne presim që deri të dielën ta vazhdojmë. Jam i bindur që kjo mund të dyfishohet dhe presim që të hënën, sipas informatave që kemi, se do të mbahet në Kuvend një seancë e jashtëzakonshme dhe si pikë e parë e rendit të ditës, si i kemi informatat, do të jetë privatizimi i ndërmarrjeve publike”, ka thënë Arifi.

Arifi më tej ka pohuar se ata nuk po e kundërshtojnë privatizimin si proces, por formën dhe mënyrën në të cilën ai po bëhet.

Hidromorava

Arifi ka mohuar që BSPK të jetë me ndonjë parti lidhur me këtë çështje, pavarësisht se peticioni kundër privatizimit po realizohet nga aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

“Ne i kemi ftuar në tri tryeza të gjithë. Kushdo me u bashkëngjit, ja urdhëro. Por BSPK është i pavarur dhe me atë pavarësi që e ka, ka ec përpara. Ne kemi forca tek peticioni kush ka dashur t’i bashkëngjitet me i kontribu dhe të gjitha partive politike. Ne nuk kemi asgjë kundër shtetit”, ka thënë ai.

Ndërsa Milazim Alishiqi, kryetar i Sindikatës së pavarur të PTK-së, ka thënë se po e kundërshtojnë privatizimin, pasi që me këtë formë po bëhet nënvlerësim i këtyre ndërmarrjeve.

“Deputetëve të nderuar të Parlamentit të Republikës së Kosovës t’u bëhet me dije në takimin e radhës që e kanë të hënën, që ta thërrasin mendjen e shëndoshë dhe t’i thonë stop këtij privatizimi të egër. Këtij privatizimi, i cili po zhvillohet me një shpejtësi marramendëse”, ka pohuar ai.

Ai u ka bërë apel deputetëve që të bëjnë diçka në këtë drejtim, pasi që pas protestës së paralajmëruar për nesër nga punëtorët e PTK-së do të vazhdojnë dhe me protesta të tjera dhe greva. Edhe Fehmi Pajziti, kryetar i Sindikatës së pavarur të Elektrokosovës ka thënë se mënyra se si po privatizohen këto ndërmarrje është denigruese, injoruese dhe nënçmuese.

“Denigruese, injoruese dhe nënçmuese për shtetin tonë të sapoformuar, është çmimi i ofruar nga ofertuesi. Me 26 milion të shitet aseti i distribucionit në nivel të Kosovës, është ofendues për ne si shtet”, ka thënë ai.

Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, me mbështetjen e 26 organizatave të tjera sindikale dhe jo sindikale, më 6 shtator kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin kundër privatizimit të PTK-së dhe Distribucionit të KEK-ut si dhe likuidimit të Trepçës.(express)