Uji Dea

E artë është ajo Qeveri që i trajton njësoj qytetarët e vet

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Nazmi Rapuca- E artë është ajo qeveri që din të bëjë rregulla për t`i trajtuar njësoj të gjithë qytetarët e vet. Edhe më e artë është ajo qeveri që i respekton rregullat që i bën vet?! Kjo është qeveria e tashme e Gjilanit zotëri.

Pajtohem me thënien e Sokratit, por ajo duhet të vlejë për të gjithë. Edhe për ju z. Nuhi Ismajli.

I. Për të vlerësuar drejt dikë apo diçka i domosdoshëm është krahasimi?
Nëse dikush mund të quhet profesionist i arsimit, sepse ka mbaruar gjuhën shqipe, pse nuk është profesionist ai që ka mbaruar biologjinë, bujqësinë apo kiminë etj?!

II. Nuhi Ismajli mundohet të më nënçmojë duke thënë : si mund të krahasohet një pular me një arsimtar”. Ndoshta lexuesi e shtron pyetjen ndryshe: Si mund të krahasohet ky profesionist që përdor këtë zhargon fjalësh me një pular?

Në anën tjetër, sipas Nuhi Ismajlit, në shkollat tona, ka arsimtar dhe ka pular, për ndryshe cila do të ishte arsyeja e zgjedhjes mes tyre?

Ose a do të më quante Nuhi Ismajli jo profesionalist, sikur unë të punoja në arsim, ta zëmë në gjimnaz, dhe të jepja, biologjinë, kiminë ose në shkollën e bujqësisë të jepja ndonjë nga lëndët profesionale. Pra unë kam edhe profesionin e profesorit, sikur edhe z.Nuhiu.

Për mendimin tim nuk ka profesion të mirë apo të keq, vetëm ka njerëz që e ushtrojnë profesionin më mirë apo më keq.

Për ndryshe, unë jam krenar me profesionin tim. Vet e kam zgjedhur. Edhe më krenar jam me mënyrën si e ushtroj atë. Misioni i neve, ekspertëve të bujqësisë, dhe i fermerëve është misioni më human që ekziston.

A ka gjë më humane sesa prodhimi i ushqimit të mjaftueshëm dhe cilësor për të mbuluar të gjitha nevojat e popullsisë. Profesioni dhe puna jonë fiton në peshë çdo ditë e më shumë, kur kihet parasysh fakti që popullsia çdo ditë shtohet (rritet), ndërkaq sipërfaqet bujqësore çdo ditë zvogëlohen (kujto ndërtimet, rrugët, fabrikat, largpërçuesit etj.). deri më sot shkenca nuk ka arritur të prodhojë bukë në tjetër planet. As sipërfaqen e tokës nuk mund ta rrisë askush.

Mobi Casa

E vetmja mundësi mbetët aplikimi i teknologjive të reja në bujqësi me qëllim të rritjes së sasisë dhe cilësisë së prodhimit. Kjo mund të arrihet vetëm me profesionalizëm e përkushtim. Si mund të nënçmohet puna a profesioni i bujkut apo i ekspertit bujqësor, kur dihet fakti që të gjithë, ne, nga mëngjesi i hershëm që e fillojmë ditën me nga një kafe a çaj, e deri në mbrëmje vonë, kur shkojmë në gjumë, konsumojmë vetëm produkte bujqësore. Si nuk jemi të vetëdijshëm për këtë fakt të thjeshtë?!.

Pse ta zëmë, profesioni i mjekut quhet human, kurse eksperti i bujqësisë nënçmohet, kur dihet fakti se: njeriu që konsumon ushqim të mjaftueshëm dhe cilësor nuk i bie shpesh të vizitoj mjekun dhe e kundërta: organizmit që i mungon ushqimi i mjaftueshëm dhe cilësor, nuk mund t`i ndihmojë më mjeku. Ati mund t`i ndihmojë vetëm hoxha apo prifti?!

III. Nuhiu shtron pyetjen: “ pse një pemëtar të merret me problemet e arsimit…”?
Duhet sqaruar për opinionin e gjerë, faktin, se unë as nuk jam marrë e as po merrem me problemet e arsimit. Me ato punë, në mënyrë korrekte e me kompetencë, po merren eprorët e tu z. Ismajli.

Unë vetëm i kam përkrahur reformat e fundit në arsimin gjilanas. Ato reforma nuk kam thënë se i kam bërë unë. Ato i kanë bërë ekspertët e fushave të ndryshme të arsimit. Ata, për të mirën e të gjithëve, janë larg më ekspertë se unë e t`i z. Ismajli.

Si mos të përkrahet një rregull apo ligj apo reformë quaje si të duash, e cila e barazon kryetarin e komunës me cilin do qytetar të thjeshtë të komunës. Që barazon të pasurin me të varfrin. Që barazon pushtetarin me lypsarin. Që barazon atë që njeh gjithë qytetin me atë që nuk njeh askë.

Këto shtresa njerëzish me reformat e këtij viti, për herë të parë, kanë qenë të barabarta në procesin e regjistrimit të fëmijëve të tyre në klasën e parë.

E them pa modesti: E artë është ajo qeveri që din të bëjë rregulla për t`i trajtuar njësoj të gjithë qytetarët e vet. Edhe më e artë është ajo qeveri që i respekton rregullat që i bën vet?! Kjo është qeveria e tashme e Gjilanit zotëri.

Unë e kam shprehur publikisht mbështetjen time për këtë reformë, vetëm pasi jam bindur praktikisht me këto fakte. Nuk e kam pasur për qëllim hapjen e frontit me askë. E kam thënë dhe po e përsëris: „Të mirën duhet përkrahur, nga do e nga kushdo që të vijë ajo dhe e kundërta e keqja duhet luftuar edhe kur ajo vije nga miqtë tanë“.

IV. Më keni quajtur: „Ekzemplar tipik i pushtetit të sotëm“. Të them të drejtën, unë ndihem mirë nëse jam i tillë. Sepse jam shumë i sigurt dhe këtë nuk e them vetëm unë, por e thonë të gjithë ata që kanë sy, për të parë, e veshë, për të dëgjuar, se Gjilani, kurrë, nuk ka pasur një qeverisje më të përgjegjshme, më të përkushtuar e më të suksesshme se kjo e tashmja. Dhashtë zoti e në të ardhmen të kemi ndonjë edhe më të mirë.