E ardhmja e Ballkanit: unionet përballë shteteve shumetnike?
Nga Blerim Reka – Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk po e lejon bashkimin kombëtar, ndërkaq modeli i shteteve shumetnike nuk funksionoi as 20 vjet nga inaugurimi i tij, a mund të pritet të imponohet në dhjetë vjetët e ardhshëm modeli i unioneve rajonale?
Më shumë se dy dekada që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, modeli postjugosllav i shteteve shumetnike në Ballkanin Perëndimor është nën trysninë e mosfunksionimit. Ngritja e këtij modeli dështoi të sillte stabilitet afatgjatë dhe prosperitet rajonal. Referendumi i 25 shtatorit 2016 për pavarësi në Republikën Serbe ishte vetëm një nga ngjarjet e fundit që ngrehën urgjencën e rishikimit të arkitekturës aktuale të Ballkanit. Nëse modeli i shtetit-komb nëpërmjet bashkimit kombëtar nuk lejohet, ndërkohë që ai për shtete shumetnike u pa se nuk funksionon, a mund të pritet që gjatë dekadës së ardhshme të inaugurohet qasja e unioneve rajonale, si stabilizuese për Ballkanin?
Referendumi i “Ditës Kombëtare”, siç është quajtur nga serbët sfidues në Bosnjë e Hercegovinë, në përgjigje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të këtij vendi, kishte vendosur që 9 janari të caktohet si datë për festën e Ditës Kombëtare të Republikës. Kjo ishte ofenduese për qytetarët e tjerë të shtetit federal, pra antikushtetues, sepse më 9 janar 1992 kishte shpërthyer lufta e përgjakshme e shkaktuar kryesisht nga serbët lokalë dhe e ndihmuar nga Ushtria jugosllave. Prandaj, për boshnjakët dhe kroatët nuk ka asgjë për të festuar për këtë datë. Referendumi u dënua nga BE-ja dhe nga Këshilli për Implementimin e Paqes, i cili që nga fundi i luftës ushtron kontroll ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë.
Tri ditë para se të mbaheshin votimet, presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, takoi në Moskë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Ushtria serbe u vë në gjendje të lartë të gatishmërisë shtetërore. Nga 60 për qind e atyre që përfundimisht do ta hedhin votën e tyre në Republikën Serbe, 99.8 për qind favorizuan mbajtjen e datën e diskutueshme për festë. Përtej kufirit, njerëzit festuan rezultatin në rrugët e Beogradit, duke e trajtuar atë si një hap drejt një bashkimi kombëtar të të gjithë serbëve të Ballkanit. E ardhmja gjeopolitike e Ballkanit Perëndimor duket e errët. Skenarët e mundshëm për dekadën e ardhshme renditen nga rikonstruimi i rëndësishëm politik – disi më pak i mundshëm, e deri te skenari më dramatik – luftëra të reja në rajon.
Dështimi i modelit të shteteve shumetnike
Në fund të shekullit 20, pasi ish-Jugosllavia shpërtheu në një seri të konfrontimeve dramatike etnike mbi territoret dhe kufijtë, koncepti i shteteve shumetnike, të avancuar nga bashkësia ndërkombëtare, ndihmoi në ndaljen e gjakderdhjes në rajon. Suksesi i saj fillestar nuk ka çuar në një transformim të thellë. Sot në asnjë vend të Ballkanit nuk funksionojnë shtetet me harmoni shumetnike, aq më pak ato kanë marrëdhënie miqësore me fqinjët e saj.
Kufijtë e vjetër (të përcaktuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-1913, nga gjashtë fuqitë e mëdha të kohës), mbeten ende gjallë në kujtesën kolektive të kombit për ta treguar veten në retorikën gjithnjë e më të rreptë nacionaliste në të gjithë rajonin. Këto hijet e së kaluarës kanë vazhduar t’i bllokojnë vizionet moderne për Ballkanin. Pas një çerekshekulli të pajtimit të pasuksesshëm, në horizont nuk shihet Pax Balcanica.
Fuqitë perëndimore, të shqetësuara sa me luftërat në Lindjen e Mesme, po aq edhe me konfliktin me Rusinë, nuk duan rihapjen e çështjes së kufijve ballkanikë. Me qëllim të shmangies së rrezikut që situata të mos dalë nga kontrolli, nga iniciativat lokale për unifikimin kombëtar, komuniteti ndërkombëtar duket se po përgatit një ide të re, atë të integrimit nënrajonal. Sipas këtij skenari, shtetet do të mbeten sovrane me kufijtë e tyre të paprekur, por pjesët e kombeve të ndara, aktualisht në disa shtete, do të ribashkohen nën ombrellën e “unioneve regjionale”.
Komuniteti ndërkombëtar nuk po e lejon bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet të integruar shqiptar, sikur as krijimin e një shteti të bashkuar të Serbisë. Por disa zgjidhje afatgjata për të dy kombet më të mëdha në Ballkan duhet të gjenden. Përndryshe, Republika Serbe do të shkëputet nga Bosnjë e Hercegovina dhe do të bashkohet me Serbinë, kurse Kosova rrjedhimisht do të bashkohet me Shqipërinë. Të paktën në teori, zgjidhja “unionet rajonale” mund t’i kënaqë të dyja palët e interesuara: të gjithë shqiptarët, të cilët jetojnë në të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit, si dhe të gjithë serbët, të cilët jetojnë në pesë nga gjashtë shtete, mund të rikyçet pa pasur nevojë për t’i ndryshuar kufijtë nga këto shtete, ose së paku pa luftë. Disa nga modelet e unioneve e kanë origjinën në rajon, të tjerat janë të importuara nga jashtë.
Parandalimi i bashkimeve kombëtare: Unionet ballkanike?
Në vitin 1998 propozova: “BAFTA” (Hapësira Ballkanike e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë) si një model i integrimit rajonal të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Parashikoja tregtinë e lirë, kufij të hapur, pa tarifa doganore dhe lëvizje të lirë të qytetarëve vetëm me letërnjoftime. Si duket, propozimi im ishte i parakohshëm, pasi Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë qenë shtete të pavarura ende dhe Serbia e presidentit Sllobodan Millosheviq ishte ende shumë e fortë dhe agresive. Mirëpo, disa elemente të këtij vizioni, megjithatë, u gjendën më vonë në nismat e mëvonshme rajonale, si: Pakti i Stabilitetit për EJL (1999), Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), së cilës iu bashkuan të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor (2006/2007) dhe “Procesi i Vlorës” – samite vjetore të katër presidentëve të rajonit që u zhvilluan në mes të 2008-s dhe 2014-s. E fundit, por jo më pak e rëndësishme: qytetarët e shteteve të Ballkanit mund të udhëtojnë sot përreth vetëm me letërnjoftimet e tyre. Në vitin 2011, për shkak të ndryshimeve të rrethanave gjeopolitike, e riemërova propozimin BAFTA, në “Beneluksi i Ballkanit”. Këtë herë kjo u refuzua me arsyetimin se ajo promovonte një hapësirë për “dominim shqiptar”.
Në vitin 2014 Mali i Zi lansoi një plan të bashkimit rajonal të quajtur “Ballkani 6+”, me dy shtete të tjera plus, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Plani kishte mbështetjen e Serbisë, por dështoi për shkak të dyshimeve të përhapura që kanë për qëllim rindërtimin e Jugosllavisë së vjetër. Mirëpo, projektet “unionet rajonale” për Ballkanin nuk janë vetëm propozime të Perëndimit; po aq lansohen edhe nga Rusia, si ai për “Unionin Ekonomik Euro-Aziatik”. Në vitin 2015 Serbia ka shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar këtij unioni (EAEU) të presidentit rus Vladimir Putin. Në maj 2016, udhëheqësit e këtij unioni u pajtuan t’i nisin negociatat e anëtarësimit me Beogradin. Ky plan nuk është i ri dhe nuk është shqyrtuar vetëm në Serbi. Kjo u lansua në fund të vitit 2014 si “Aleancë trilaterale” e Rusisë, Serbisë dhe Maqedonisë. Pasi Perëndimi shpalli sanksionet ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë, si Serbia ashtu dhe Maqedonia refuzuan t’iu bashkohen, duke shkelur detyrimin e tyre si shtete kandidate të Bashkimit Evropian.
Beogradi ka vazhduar qëndrimin e tij pro-rus të politikës së jashtme, pasi Serbia ka hyrë në bisedimet e saj të pranimit me BE-në. Me dy shtete kandidate të BE-së, të integruara në unionin doganor të saj, (e cila përfshin shumë ish-Republika të Bashkimit Sovjetik), Rusia këmbëngul për përfitime të rëndësishme ekonomike e po aq politike. Serbia tashmë ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë, Maqedonia pritet të ndjekë këtë shembull shumë shpejt. Shkupi nuk e diskuton, së paku publikisht, asnjë lloj të aleancës politike me Moskën, ndërsa Parlamenti serb ende nuk e ka shfuqizuar Rezolutën e vet të 1999-s për bashkim me Rusinë. “Sot, në Serbi, më shumë se njëqind organizata punojnë në aspekte të ndryshme të marrëdhënieve serbo-ruse dhe rreth 15 për qind të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare i morën partitë pro-ruse. Bosnjë e Hercegovina ka gjasa të jetë shteti i radhës për t’iu bashkuar unionit rus. Referendumi i fundit i diskutueshëm i Republikës Serbska mund të jetë pjesë e ofensivës ‘unioniste’ të Moskës në rajon. Ai u mbajt nën maskën e vëllazërisë sllave, por besohet se qëllimi përfundimtar i presidentit Putin është që rajoni të mbetet në Unionin e tij Euroaziatik dhe larg nga integrimi euroatlantik. Referendumi përçarës i serbëve u mbajt më 25 shtator 2016, vetëm katër ditë pasi Bosnjë e Hercegovina aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE.
Ca ditë më herët, (më 16 shtator), kryeministri serb Aleksandar Vuçiq shpalli planin për Unionin Ballkanik, si “një union të lirë doganor dhe tregtar për të gjitha shtetet e rajonit”. Propozimi, gjithashtu, u prit me dyshim, si një përpjekje që ta rivendoste idenë e vjetër të unionit pan-sllav nën tutelën e Serbisë. Shumë ekonomistë gjithashtu paralajmëruan se në një treg të pambrojtur të Ballkanit “peshqit e mëdhenj”, (si Serbia), do ta hanë “peshkun e vogël”, (si, bie fjala, Maqedoninë).
Katër skenarët e mundshëm për dekadën e ardhshme
Në dekadën e ardhshme 2016-2026 secili vend i Ballkanit mund të pritet që ta shtyjë përpara skemën e tij rajonale të integrimit. Fuqitë e jashtme, ShBA-ja dhe BE-ja, por edhe Rusia, ka të ngjarë të dalin me propozimet e tyre dhe fuqive të mëdha për modelet e unionit të tyre, që do të mund të përmblidheshin në katër skenarët e mundshëm.
1. BALLKANI NË BE. Ky mbetet skenari më i mundshëm. Politikisht, BE-ja dhe NATO-ja nuk janë shtete, kështu që këto entitete nuk kanë për qëllim për të marrë ndonjë shtet ballkanik, pastaj nuk kanë as mosmarrëveshje territoriale në rajon. Kjo e bën integrimin euroatlantik të sigurt për vendet e Ballkanit Perëndimor nga pikëpamja e sovranitetit dhe integritetit territorial të tyre. Gjithashtu, vetëm BE-ja dhe ShBA-ja kanë mundësi financiare, politike dhe ushtarake për ta mbrojtur demarkacionin gjeostrategjik në Ballkan nga ndërhyrja lindore apo jugore.
Fillimi në këtë drejtim mund të jetë “Procesi i Berlinit”, që filloi në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel për ta sjellë Ballkanin e lënë pas sa më afër që të kthehet në orbitën euroatlantike. Ndihma e madhe, 65 miliardë euro më shumë se një dekadë, është premtuar për ta përmirësuar infrastrukturën dhe lidhjen energjetike të shteteve të Ballkanit. Mbajtja e rajonit ekonomikisht të qëndrueshëm do të jetë me rëndësi; gjatë 23 vjetëve të fundit të paqes, rreth 20 milionë njerëz e kanë braktisur Ballkanin Perëndimor. Mirëpo, ky skenari më i sigurt për rajonin nuk është edhe më i shpejti: anëtar i parë i ri nga Ballkani Perëndimor nuk do të bashkohet me BE-në përpara vitit 2022. Nëse nuk do të ketë ndonjë shtet të ri të Ballkanit të pranuar në BE, i gjithë ky skenar do të dështojë dhe rajoni do të jetë e mundur të kthehet në modelin e shteteve të bashkuara kombëtarisht, së bashku me pasojat e parashikueshme dhe të paparashikueshme
2. BALLKANI NË EAEU. Ky skenar është mbështetur fort nga Rusia, por mund të realizohet vetëm në qoftë se dështon integrimi në BE. Rusia me mjeshtri po ofron një alternativë me EAEU, i cili mund të fillojë të materializohet, fillimisht bilateralisht (nëpërmjet marrëveshjeve për zonën e tregtisë së lirë me secilin shtet), e më vonë multilateralisht (drejt marrëveshjeve shumëpalëshe për përfshirjen e vendeve të Ballkanit në Unionin Euroaziatik). Serbia e ka përshkuar tashmë fazën e parë të kësaj rruge Në qoftë se mosmarrëveshja e gjatë e Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me emrin e ish-vendit do ta mbajë atë jashtë NATO-s dhe BE-së, Maqedonia mund të jetë kandidatja e ardhshme për t’u bashkuar me klubin rus. E treta mund të jetë Republika Serbe, sidomos nëse, pas referendumit të planifikuar për vitin 2018, ajo zgjedh të shkëputet nga Bosnjë e Hercegovina. Sipas një skenari të tillë, gjysma e Ballkanit do të bjerë në orbitën gjeopolitike ruse dhe Rusia zgjeron praninë e saj strategjike dhe të energjisë afër kufijve të BE-së. EAEU është projektuar për t’i parandaluar ish-republikat sovjetike nga integrimi me BE-në, por ajo mund të funksionojë si fre në tendencën e Ballkanit Perëndimor që të orientohet drejt Perëndimit.
3. UNIONI I DANUBIT PËRBALLË UNIONIT ADRIATIK. Sipas këtij skenari, Ballkani Perëndimor do të mbetet jashtë BE-së dhe jashtë EAEU-s, duke krijuar një union rajonal doganor, me një treg të vetëm, në njëlloj të një konfederate të shteteve të Ballkanit. Një skenar i tillë rajonal do të jetë shumë vështirë të arrihet duke pasur parasysh mosbesimin e madh të ndërsjellë dhe interesat e kundërta të këtyre vendeve. Kështu, brenda rajonit, dy nënunionet ka të ngjarë të konkurrojnë për supremaci.
I pari do të dominohet nga Serbia; do mund të quhet Unioni i Danubit dhe, po ashtu, përfshin Republikën Serbe dhe Maqedoninë. Rusia do ta mbikëqyrë atë si pjesë e “triumvirat sllavo-ortodoks”. Pas referendumit të fundit në Republikën Serbe, lëvizja serbe “Dveri” tashmë njoftoi fillimin e punës për krijimin e një “shteti të përbashkët të Serbisë’, ose të paktën një “Union serb”, integrimin e “të gjitha shteteve serbe”, si alternativë e Serbisë në integrimet euro-atlantike.
I dyti, i quajtur këtu Union i Adriatikut, do të synojë për ta bashkuar rajonin nën udhëheqjen shqiptare, me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën, me një orientim perëndimor. Konkurrenca e pashmangshme mes dy projekteve, të udhëhequra nga dy kombet më të fuqishme të Ballkanit, ndoshta nuk do të prodhojë asnjë fitues të qartë. Vetëm si dy kombe më të mëdha dhe vetëm si të barabarta plotësisht, në një model të kompromisit, me mekanizmin e vendimmarrjes konsensuale dhe përfaqësimin politik me rotacion, i shoqëruar me një zonë të tregtisë së lirë, ndoshta edhe do mund të funksiononte për të gjithë kombet në rajon.
4. BALLKANI KAOTIK. Skenari më i fundit është i zymtë. Kjo e lë Ballkanin jashtë të gjitha skemave të mundshme të integrimit dhe në kaos. Në mungesë të investimeve të huaja, i rrënuar nga papunësia e lartë, të ngarkuar me elita të korruptuara politike, me administratë joefektive e të partizuar, dhe rajon gati të zbrazët – shkaku i migrimit masiv të popullsive të vet, rajoni në prag të shpërthimit do të krijonte vakum “të përsosur” gjeostrategjik, joshës për lojtarët e ri për të hyrë në atë. Sipas këtij skenari, Rusia gradualisht do ta rivendosë ndikimin e saj në rajon të cilin e ka dominuar një shekull më parë, ashtu siç edhe Turqinë – pesë shekuj me radhë, kur kontrollonte deri para një shekulli “Rumelinë”, (term i Perandorisë Osmane për këtë rajon). Të dyja shtetet shfrytëzojnë ndjenjat historike: Rusia përmes formulës cariste të “vëllazërisë sllavo-ortodokse”; Turqia përmes trashëgimisë osmane tek popullata e besimit Islam. Së fundi vërehet një afrim i fuqive, sidomos pasi në shtator të vitit 2016 kompania ruse “Gazprom” ka marrë lejet e para për ndërtimin e rrjedhës turke të gazsjellësit në territorin e Turqisë, një projekt me interes të përbashkët të energjisë që avancon interesat strategjike të partnerëve dhe që parashihet të kalojë nëpër Ballkan.
BE-ja dhe ShBA-ja, megjithatë, kanë investuar shumë financiarisht dhe ushtarakisht në Ballkan, për të pritur duarkryq për një skenar të tillë që të materializohet. NATO-ja ka njoftuar krijimin e një baze të re ushtarake në veri të Shqipërisë, në afërsi të kufirit me Kosovën dhe Malin e Zi. Së bashku me Forcën ekzistuese të Kosovës dhe KFOR-in në Kampin Bondsteel, që të dyja reduktojnë mundësinë e skenarit të tillë kaotik. Por gjatë 150 vjetëve të fundit në Ballkan, historia e trazuar sikur paralajmëron: në rajon, gjërat pothuajse të pamundshme, mund të bëhen krejt të mundshme.
(Botuar dje në “Geopolitical Information Service”. Përktheu nga anglishtja, Arsim Osmani)


