ARKATANA

E ardhmja do të na gjej në një trup të vetëm

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Nga Sabit Rrustemi – Jemi në Ditën më të madhe të këtij fillim shekulli njëzetenjë, në 28 Nëntorin 2012 -të kur kombi ynë gjithandej ku është, po feston denjësisht njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Për të gjithë neve, kudo që jemi, kjo është ngjarje e veçantë, ngjallë emocione, angazhime dhe, festë të gjithëmbarshme.

Për Kosovën dhe pjesën e këndejshme të Shqipërisë, kjo është, sa e veçantë, sa e dhimbshme por, edhe krenare. Kosova ishte roja, ishte gjaku dhe shtylla kryesore e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar në vitin 1912-të, në Vorë, nga emblema e Nëntorit të Dytë, Ismail Qemalit tonë. Kosova mbeti dhe gjakimi i hershëm në shtegtimin e saj njëshekullor për t’ ju bashkangjitur trupit amë, përmes luftërave dhe flijimeve të vazhdueshme, duke arritur fillimisht hapin e parë drejt kësaj ëndrre, më 17 shkurt 2008 –të.

Dhe, këtë s’kemi çka e fshehim…sepse edhe tjerët rreth nesh e dinë dhe, e thonë !

Prandaj, jemi krenar me krejt atë që e kemi bërë gjatë këtij Njëqindvjetshi për ta arritur këtë ditë, si kalim në ditën tjetër më të madhe, në Nëntorin e Tretë, të cilit që moti kanë nisur t’i thurrin vargje poetët, t’i këndojnë këngëtarët , ta kenë si gjak të përhershëm shqiptarët e , ta përshpejtojnë në përmbushjen e këtij vizioni, edhe prijësit dhe forcat politike të vendit.

Në trendët e reja të integrimeve euro – atlantike, kjo e drejtë jona e natyrshme, parashihet të arrihet hap pas hapi, një formulë e njohur rugoviane kjo, ku po sipas kësaj formule, integrimi i shqiptarëve do ndodh krahas integrimeve evropiane . Dhe, kjo shihet dhe mbetet formula më e arritshme dhe, më e pranueshme. Në një Evropë pa kufij, deshën a s’deshën tjerët, shqiptarët do jenë bashkë.

RCCOLA

Bashkë jemi dhe sot, në këtë Njëqindvejtor, si pjesë e një shoqërie qytetare, vëllazërore, rrënjë e pjesë e një gjaku, përkundër dallimeve normale, në krahina, emra, besime dhe, rreshtime politike.

Madje, në këtë Njëqindvjetësh që po rrumbullakësohet, kurrë më afër e më bashkë nuk kemi qenë. Po, e ardhmja do na gjej në një trup të vetëm, me një emër të vetëm e në një emblemë të vetme. Me atë emblemë që na solli deri këtu e po na vesh gjithnjë e më bukur në Kuq e Zi.

Deri tek ajo ditë që domosdo do të vijë, shqiptarëve që e rrethojnë Shqipërinë, pëllëmbë për pëllëmbë, mund dhe do duhej t’ ju themi pa turp, na falni, u përpoqëm ta bëjmë Një Shqipëri të vetme, po, në këto Njëqind Vjet këtë nuk e arritëm…Dhe, kjo nuk e zbeh ëndrrën tonë, drejt së cilës vazhdojmë të ecim e, nuk do ndalemi derisa ta arrijmë…Gëzuar

Rrëzë Çepurit në Zhegër,
më 28 Nëntor 2012