RCCOLA

Dy vite nga themelimi i Rinisë së Shoqatës ”Vatra”

/ 7 minuta lexim

Gjilan – Duke pasur parasysh interesimin dhe kërkesat e qytetarëve të ndjekur nga Kosova Lindore, për një organizëm i cili do të shikonte mundësitë e përkrahjes në forma të ndryshme, disa aktivistë vullnetmirë, në vitin 2005 themeluan shoqatën “Vatra”.

Në punën e saj 7 vjeçare, “Vatra”, në mundësitë që i kishte, zhvilloi aktivitete të ndryshme, si humanitare, sociale, sensibilizuese etj., me banorët e ndjekur të të gjitha moshave në territorin e komunës së Gjilanit e më gjerë.

Probleme të ndryshme, ende të pazgjidhura të këtyre banorëve e posaçërisht të rinjve, shtroi nevojën e zgjerimit të aktiviteteve dhe formimin e sektorit të rinisë në kuadër të shoqatës. Kështu, disa të rinj vullnetmirë vendosën ta themelojnë rininë e shoqatës Vatra.

Vullneti dhe përkrahja që na ofruan kryesia dhe kryetari i “Vatrës”, Njazi Kadriu na dhanë shpresë dhe kurajo që pa hezitim të fillojmë punën me përkushtim me të rinjtë me qëllime fisnike, humanitare, vetëdijesimi, kulturore, shoqërimi, kërkimi e të drejtave tona etj, qëllime, këto që pothuajse, menjëherë pas themelimit të sektorit të rinisë, para 2 viteve më 24 korrik 2010, filluam me ndihmën dhe ofrimin e asistencës e të gjithë atyre qytetarëve, kryesisht të rinjve të cilët kishin nevojë për ndihmë. Në kuadër të kësaj, prioritet kishim : t’u ndihmojmë atyre të rinjve dhe të rejave të qytetit tonë të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme për të cilat nuk gjejnë shërim në Kosovë.

Për këtë kohë relativisht të shkurtër ne kurorëzuam me shumë sukses, shumë aktivitete humanitare dhe aktivitete tjera në dobi të rinisë sonë. Pra, rinia e shoqatës “Vatra”, u bë një adresë përkrahëse për rininë e Gjilanit, për të gjithë ata djem e vashat e qytetit tonë të cilët ishin e janë të gatshëm të bëjnë punë të mira për komunitetin.

Aktivitete e Rinisë së Shoqatës

Disa Koncerte Humanitare në kuadër të këtyre aktiviteteve dhe ndihmave, pas kërkesës së disa familjarëve për ndihmë, gjegjësisht për shërimin e fëmijëve të sëmurë, të cilët, për fat të keq nuk kanë mundësi materiale për shërim, sepse shërimi i tyre bëhet jashtë vendit, ne vendosëm t’u përgjigjemi pozitivisht këtyre kërkesave, duke organizuar koncert humanitar me disa këngëtarë-artistë gjilanas zemërgjerë, dhe me ndihmën e institucioneve relevante komunale të qytetit tonë. Përmes këtij organizimi arritëm t’i sigurojmë barnat e domosdoshme, të cilat kishin një kosto shumë të lartë, për një vajzë të sëmurë, gjë e cila na ka bërë që të ndihemi shumë të lumtur.

Debate

Siç e dimë, në vitin 1999, pas përfundimit të Luftës në Kosovë, policia, ushtria dhe xhandarmëria e Serbisë i dëboi me dhunë shqiptarët nga brezi kufitar administrativ Kosovë – Serbi, dhe si pasojë, një numër i madh u vendosën në komunën e Gjilanit.

Mirëpo, edhe këtu në Gjilan, që prej asaj kohe një numër i banorëve, e sidomos i të rinjve kanë mbetur pa dokumente identifikimi dhe pa kurrfarë shtetësie (as të Serbisë e as të Kosovës).

Pamundësia e pajisjes me dokumente identifikimi dhe me shtetësi, po krijon probleme të ndryshme te të rinjtë që kanë mbushur 18 e më shumë vjet, duke mos pasur mundësi të integrohen në shoqërinë kosovare. Pra, janë krijuar paqartësi gjatë regjistrimit në fakultete në Republikën e Kosovës si dhe shumë shqetësime tjera.

Aktivitete Humanitare

Për festat e fundvitit e pamë të arsyeshme, që së paku disa çaste, një numri të fëmijëve të qytetit tonë me gjendje të rëndë ekonomike, t’ia kthejmë buzëqeshjen dhe t’i bëjmë të ndihen mirë.

Fundamenti

Me këtë rast lindi idea e këtij projekti, e më pas realizuam, duke u dhuruar fëmijëve, gjegjësisht nxënësve të cilët nuk kanë mundësi që t’i blejnë gjërat e nevojshme për mësim. Nga ky projekt përfituan çanta dhe pajisje tjera shkollore, më se 200 nxënës me kushte të rënda ekonomike, nga të gjitha shkollat e Gjilanit.

Iniciativa e themelimit të rinisë u morr nga, Shkelzen Agajt, Kushtrim Kadriu dhe Fisnik Ibrahimi.
Ne si të rinj edhe pse në kushte të vështira financiare janë angazhuar në shumë fusha veprimi duke zhvilluar aktivitete humanitare, si koncerte humanitare në ndihmë të të sëmurëve, pastaj aktivitete kulturore, senzibilizuese, informuese, politike, integruese, vetëdijesimi, organizime të debateve etj.

Aksione Simbolike

Duke e vendosur këtë STOP të madh para Kuvendit të Republikës së Kosovës, “Vatra” sensibilizon dhe kërkon që Kosova të angazhohet vetë e të kërkojë nga Bashkësia Ndërkombëtare të zgjidhet çështja e pazgjidhur shqiptare e Kosovës Lindore.

Në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve në Kosovë Lindore

Më 13. 09. 2011 në mënyrë artistike, përkatësisht duke shpalosur vizatimet e pëllumbave, të rinjtë e “Vatrës” protestojnë para zyrës së përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për Kosovë në Prishtinë, Fernando Gentilini, përcjellin mesazhe Kosovës e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, pa kurrfarë arsye, pushteti i Serbisë, po u shkelë të drejtat kombëtare e njerëzore shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

Djegia e produkteve Serbe

Duke bërë thirrje që prodhimet ushqimore mos të konsumohen nga shqiptarët, “Vatra” në mënyrë simbolike bën djegien e prodhimeve bujqësore serbe, më 5. 8. 2011 në Gjilan.

Kërkuam lirimin e Grupit të Gjilanit

Gjithashtu më, 17. 12. 2011 aktivistë të shoqatës “Vatra” para Zyrës ndërlidhëse të komisionit evropian zhvilluan një aksion simbolik në Prishtinë, duke i kërkuar Bashkimit Evropian që të reagojë ashpër te qeveria e Serbisë për t’i liruar nëntë ish-ushtarët e UÇK-së dhe UÇPMB-së, të njohur si grupi i Gjilanit. Ata, nga Gjykata e Lartë e Beogradit, janë dënuar me të padrejtë, me akuza të fabrikuara me 101 vjet burg, nën akuzën se kanë kryer krime ndaj civilëve serbë gjatë vitit 1999 në rajonin e Gjilanit.

Në këtë kuadër në bashkëpunim me kryesinë e gjerë kemi organizuar peticionin për lirimin e Shemsi Nuhiut, ku janë grumbulluar rreth 14.000 nënshkrime për lirimin e tij. Gjithashtu kemi organizuar protestë para Ambasadës të Shtetit Zvicerran, e më vonë kishim një takim edhe me Ambasadoren e këtij shteti.

Kërkuam ndaljen e arrestimeve Politike në Kosovën Lindore

Më 3. 4. 2012, aktivistë të Shoqatës ”Vatra”, nëpërmjet një aksioni para Zyrës së Bashkimit Evropian, kërkuan ndaljen e arrestimeve politike nga ana e Serbisë dhe po ashtu kërkuan nga Bashkimi Evropian t’i ndalë favoret për shtetin kriminal serb, pasi që duke favorizuar këtë shtet, po favorizon destabilizimin e rajonit.
Ne do të vazhdojmë dhe më tutje me aktivitet dhe me një përkushtim ende më të theksuar do të vazhdojmë punën tonë në mbrojtjen e interesave tona kombëtare.
Në përvjetorin e dytë të themelimit të shoqatës, mbajtëm mbledhje të këshillit të përgjithshëm të Rinisë së”Vatrës” thuhet në një njoftim të riinisë së “Vatrës”./rajonipress/