Dy vite nga ikja e Bahri Gogës, sa dy shekuj mall dhe mungesë
Gjilan – Kanë kaluar dy vite nga dita kur dr. Bahri Goga, bashkëshorti, kryefamiljari e prindi i mrekullueshëm u nda fizikisht nga kjo botë, por koha nuk ka arritur të zbusë dhimbjen, as të mbushë zbrazëtinë që la pas. Për ne, dy vite kanë peshën e dy shekujve ka shkruar bashkëshortja Miradije Goga.
Postimi i plotë:
Ikja jote na ka lënë boshllëqe të thella në familje, por njëkohësisht na ka mbushur me krenari të pafundme, sepse emri yt vazhdon të jetojë fuqishëm në çdo institucion shëndetësor, në çdo përkujtim të kolegëve e miqve, në çdo fjalë mirënjohjeje për kontributin tënd të pamohueshëm në shëndetësinë kosovare dhe atë ferizajase.
Sot, kur do të duhej të ishim së bashku rreth një sofre të madhe familjare, na mbeten kujtimet, malli dhe amaneti yt më i shtrenjtë, edukimi dhe shkollimi i fëmijëve. Me sakrifica të mëdha, me përkushtim e vizion, ia dole të ndërtosh një familje që sot numëron katër mjekë, secili duke ndjekur gjurmët e tua, secili duke dëshmuar se vlerat që ke mbjellë vazhdojnë të japin fryte.
Për ne nuk je larguar kurrë. Je këtu, në çdo ditëlindje e çdo përvjetor, në çdo bisedë familjare, në çdo kujtim që na rikthen buzëqeshjen dhe lotin njëkohësisht. Për bashkëshorten, për djemtë, vajzat, nipërit, rejat dhe gjithë farefisin që të njohu e të deshi, do të mbetesh përherë kryefamiljari i dashur e i sinqertë, prindi dhe gjyshi i kujdesshëm, njeriu që dinte të udhëhiqte me qetësi, mençuri dhe zemër të madhe.
Në profesion ishe fisnik. Një mjek i rrallë, human e solidar, shembëlltyrë e përkushtimit profesional dhe ndër të parët në Kosovë në fushën e neuropsikiatrisë. Vepra jote nuk është vetëm kujtim, por trashëgimi e pashlyeshme që do të mbetet ndër breza të ferizajasve dhe më gjerë.
Emri yt, Bahri Goga, mbetet emër emblematik i shëndetësisë kosovare, simbol i humanizmit, përgjegjësisë dhe ndershmërisë.
U ndave nga kjo botë vetëm fizikisht, sepse për figurën dhe shembullin tënd do të flasin breza e breza. Jeta jote ishte dëshmi se njeriu jeton vërtet aq sa jep për të tjerët. Ne vazhdojmë të jetojmë me motivin tënd: të ndihmojmë, të përkrahim dhe të edukojmë gjeneratat e reja, ashtu siç na mësove ti.
Pusho i qetë, Bahri Goga. Emblemë e familjes sonë dhe krenari e përjetshme e profesionit tënd. Mungesa jote dhe vepra jote do të ecin gjithmonë paralelisht në zemrat tona.
Bashkëshortja Miradie Goga me djemtë, vajzat, nipat e mbesat dhe i gjithë farefisi.


