RCCOLA

Dy rrugët e Haradinajt

/ 15 minuta lexim
Fundamenti

Nga Enver Robelli – Pas lirimit nga burgu Ramush Haradinaj para vetes i ka dy opsione. I pari është ky: të distancohet bindshëm nga e kaluara e tij e pasluftës, të mos pranojë një koalicion joparimor me grupin aktual sundues të PDK-së, t’ia bëjë të qartë bashkësisë ndërkombëtare se Kosova së pari duhet të ketë pushtet legjitim, pastaj të zhvillojë bisedime me Serbinë – dhe të punojë për të fituar besimin e votuesve, para të cilëve nuk ka dalë me vite. Opsioni i dytë është shumë i lehtë: Haradinaj mund të bëhet patericë e regjimit pothuaj plotësisht të diskredituar të Hashim Thaçit dhe të partisë së tij “pronto, pronto”!

1. Laku i lajkatarëve

Këto ditë ndoshta edhe vetë Ramush Haradinaj është duke u habitur se kush po i duartroket. Matrapazë e lajkatarë, grabitqarë të sprovuar dhe vjedhës xhepash e kanë rrethuar dhe po e përcjellin hap pas hapi. Të gjithë i kanë bërë llogaritë e tyre në stilin: vjen ky prej Hagës dhe me aureolën e heroit e merr pushtetin. Kjo në Kosovë domethënë në radhë të parë: (për)fitim personal për secilin lajkatar!

Një lajkatar e sheh veten ministër, tjetri këshilltar nga afërsia ose nga distanca, ndonjëri e ka projektuar veten drejtor apo anëtar bordi në ndërmarrje publike, madje llogaritë e tyre janë duke i bërë edhe disa që për turpin e dynjasë e quajnë veten gazetarë, por në fakt s’janë gjë tjetër veçse sahanlëpirës të pështirë dhe shërbëtorë për mbrapshti.

Në një shtet jo vetëm me ekonomi të varfër kjo vardisje për të kapur një copë pushtet mund të duket e kuptueshme, në shikim të parë. Por, nëse mendohet më gjatë, atëherë shihet se në luftën për pushtet e përfitime në Kosovë dominojnë instinktet e ulëta, pothuaj jonjerëzore. Është në duart e Ramush Haradinajt se a do të lëshojë pe ndaj këtij presioni joparimor që vjen nga një pjesë e partisë së tij; pastaj presioni vjen nga PDK-ja, një parti e dominuar nga një grup që e ka diskredituar veten me afera të njëpasnjëshme, dhe nga disa qarqe të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat duke e ditur se Hashim Thaçi është lehtësisht i shantazhueshëm, andaj as nuk mund të garantojë autonominë për serbët e veriut, si patericë të fortë tash e duan edhe Ramush Haradinajn.

Kështu mendohet të kontrabandohet defunksionalizimi definitiv i shtetit edhe ashtu tejet të dobët të Kosovës. Në partinë e Haradinajt janë kryesisht dy grupe që vrapojnë për t’u ulur në prehrin e Hashim Thaçit: spiunët e vegjël që gati përherë u kanë shërbyer strukturave nëntokësore të PDK-së dhe grupi i atyre që thonë se për arsye të rezonit shtetëror AAK “duhet të angazhohet në zgjidhjen e problemeve madhore”. Këto vlerësime janë qesharake, sepse asnjë parti serioze në Kosovë në rrethanat ekzistuese nuk do të hynte në koalicion për të fshirë bërllokun që e kanë bërë të tjerët, në këtë rast PDK, por do të kërkonte një mandat të ri nga populli për të çuar përpara agjendën e vet programore – me partnerë të tjerë politikë dhe pa PDK-në! Bërlloku dhe dëmi i shkaktuar nga PDK nuk mund të hiqet me PDK-në në pushtet. Fytyra e vërtetë e kësaj partie janë xhabirat e samilushtakët, ademgrabovcët dhe kamishoidët. Me ta nuk bëhet shteti, me ta varroset shteti. Aktualisht në radhët e PDK-së mbështetësit më të zhurmshëm të koalicionit me AAK-në janë ata që kur ishte bërë Haradinaj kryeministër në fund të vitit 2004 e prisnin me padurim e me gëzim aktakuzën nga Haga. Disa edhe patën festuar, njëjtë si pak muaj më vonë kur u dha lajmi se Ibrahim Rugova vuante nga kanceri.

2. Njollat e së kaluarës dhe një shans

Në euforinë e përgjithshme zakonisht dominon shkëlqimi, sidomos ndër shqiptarë. Kështu ishte edhe këto ditë, me rastin e kthimit nga Haga të Haradinajt. Prokuroria, e cila me vite ishte drejtuar nga juristja tepër ambicioze zvicerane Carla del Ponte, nuk arriti të dëshmonte bindshëm asnjë nga krimet që supozohej t’i ketë kryer Haradinaj. Madje gjykatësi nga Afrika e Jugut, Bakone Justice Moloto, shprehimisht deklaroi se në një rast Haradinaj kishte kërkuar nga bashkëluftëtarët e tij që t’i trajtonin mirë të burgosurit, sepse çdo sjellje tjetër “do ta dëmtonte çështjen tonë”.

Kjo flet për një tipar që Haradinajn e dallon(te) nga jo pak komandantë të rrejshëm të UÇK-së. Ai ishte i vetëdijshëm se beteja fitohej edhe duke e bindur bashkësinë ndërkombëtare se lufta për çlirim nga zgjedha serbe ishte e drejtë. Kjo është edhe arsyeja pse shumë gazetarë të huaj gjatë dhe pas luftës më tepër kanë preferuar të bisedonin me Haradinajn, i cili së paku fliste kuptueshëm një gjuhë të huaj dhe në fund dilte diçka edhe për të cituar në gazetë, sesa të dëgjonin esperanton “demokratike” të Hashim Thaçit. Kjo është njëra anë e biografisë së Haradinajt.

Por, në euforinë e përgjithshme nuk duhet të injorohet ajo që thanë gjykatësit në Hagë dhe të cilët vetëm ndonjë i çmendur mund t’i shpallë të anshëm: ata konstatuan se Haradinaj dhe dy të akuzuarit e tjerë janë të pafajshëm, por po ashtu nënvizuan se UÇK ka kryer disa krime. Kjo njollë mbetet. Do të jetë shenjë pjekurie e shoqërisë së Kosovës, përfshirë edhe Haradinajn, nëse tash e tutje, për shembull, kërkohet që të zbulohen ata që e vranë, ta zëmë, Skënder Kuçin, i cili përmendej gjerësisht në aktakuzën e Hagës. Rrufeja s’e ka vrarë këtë njeri. Por, edhe vrasja e ndonjë pjesëtari të pakicave etnike të Kosovës nuk është dëshmi e fisnikërisë luftarake nga ana e UÇK-së. Këtu fjala është për civilë të burgosur, për pengje, jo për ata që janë vrarë në vijën e frontit.

Shoqëria e Kosovës duhet të shqetësohet për shkak se nga palët ndërluftuese në ish-Jugosllavi vetëm pjesëtarët e UÇK-së janë nxjerrë para gjyqit për torturim apo vrasje edhe të bashkëkombësve të tyre. Vitet në vijim mund ta ballafaqojnë shoqërinë e Kosovës me tronditje të mëdha, për shembull me ndonjë lajm se shumë heronj të Kosovës gjatë luftës janë vrarë nga krahu stalinist i UÇK-së, i cili në Shqipërinë e Veriut mbante edhe burgje për shqiptarë “të LDK-së dhe të Ibrahim Rugovës”. Sqarimi i këtyre anëve të errëta nuk e zbeh luftën e drejtë për liri, përkundrazi, ndihmon që të bëhet dallimi mes luftëtarëve të lirisë dhe mashtruesve ordinerë.

Në të kaluarën Ramush Haradinaj nganjëherë ka ditur të pranonte mëkatet e tij. Në një intervistë për gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”, e cila qe botuar më 23 gusht 2002, pra para një dekade, Haradinaj fliste edhe për akuzën që ia kishte ngritur atëbotë një prokuror i UNMIK-ut për shkak të rrezikimit të sigurisë publike. Bëhej fjalë për “rastin Musaj” dhe për plagosjen e Haradinajt.

Gjatë intervistës së lartpërmendur Haradinaj e kishte pranuar se kishte bërë gabim kur ishte futur natën në oborrin e familjes Musaj për të zgjidhur gjoja “një mosmarrëveshje”. Ky nuk është gabimi apo mëkati i vetëm i Haradinajt gjatë karrierës së tij të bujshme politike. Nga kjo e kaluar hiç e shndritshme e pasluftës ai duhet të shkëputet përgjithmonë. Dhe jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë në partinë e tij.

Gjithashtu Haradinaj duhet të jetë i vetëdijshëm se shpallja i pafajshëm në Hagë nuk ia përmirëson automatikisht imazhin te bashkësia ndërkombëtare. “I liruar, por jo i pastruar”, “i liruar për shkak të frikës së dëshmitarëve” – këto kanë qenë përgjithësisht komentet e dy gazetave më me ndikim në politikën e jashtme gjermane: “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “Neue Zürcher Zeitung”. Si mund ta ndryshojë këtë imazh Haradinaj? Së paku jo me militantë e lajkatarë përreth vetes, të cilët shpifjet ose kërcënimet ndaj gazetarëve i shohin si punën më normale në botë.

Mobi Casa

3. E tashmja dhe e ardhmja

Në gjendjen aktuale a mund të përfytyrohet Ramush Haradinaj duke e nënshkruar marrëveshjen e koalicionit me Adem Grabovcin? Ky i fundit në vitin 2009, në një letër publike, e kishte akuzuar Haradinajn për të gjitha të zezat e pasluftës në Kosovë, përfshirë vjedhjen e pasurisë publike, plaçkitje të mëdha, dëmtim të imazhit të UÇK-së, blerje të shtëpive në Dubai e Monte Carlo.

Ky është një lloj kallëzimi penal që Grabovci ia ka bërë Haradinajt dhe në një vend normal me këtë “lëndë” do të duhej të merrej drejtësia. Ndoshta ndonjë eksponent i AAK-së, i zhveshur nga çdo moral politik, nuk ka problem me një koalicion të tillë, por pyetja është a paraqet problem për Ramush Haradinajn ulja në një tavolinë me grupin udhëheqës në PDK, i cili siç po shihet e dëgjohet këto ditë edhe nga përgjimet e fundit paskësh qenë larg më vulgar, më i dëmshëm dhe më i rrezikshëm se ç’është përshkruar dhe parashikuar në medie dhe nga oponentët e mirëfilltë politikë.

Në vend të aventurave politike, Haradinaj bashkë me partitë e tjera opozitare do të duhej të angazhoheshin që kjo qeveri të largohet nga pushteti menjëherë; të krijohet një qeveri teknike, e cila do ta drejtonte vendin deri në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të duhej të mbaheshin në gjysmën e parë të vitit 2013; ndërkohë Haradinaj do të kishte kohë ta konsolidonte partinë, por edhe ta spastronte nga militantët primitivë, të cilët aftësi të vetme politike e kanë vendosjen e fotografisë se tij në ekranin e celularit; qeveria teknike nuk mund të bëjë mrekulli në fusha të tjera, ajo duke qenë e përbërë nga disa parti do të duhej të përqendrohej në sigurimin e mekanizmave për mbrojtjen e votës; të sillet në Kosovë një numër rekord i vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët do të ishin të pranishëm në shumicën e vendvotimeve; të themelohet një trup i veçantë i përbërë nga gjykatës ndërkombëtarë dhe vendorë (nëse gjenden të tillë të pakorruptuar), të cilët do të trajtonin dhe sanksiononin me dënime drakonike çdo manipulim dhe vjedhje votash!

Qeveria teknike, po ashtu, do të duhej që urgjentisht t’i largonte nga policia zyrtarët e afërt me strukturat ilegale të spiunimit në shërbim të PDK-së. Zyrtarët e tillë të Policisë së Kosovës janë përgjegjës për fshehjen e krimeve dhe për mungesën e efikasitetit në luftimin e krimit.

Të gjitha këto Haradinaj nuk i arrin dot në një qeveri bashkë me udhëheqjen e tanishme të PDK-së, e cila, në fakt, siç e thonë edhe diplomatët e huaj, është një grup parapolitik që s’njeh asnjë parim demokratik, ligjor, moral dhe etik dhe qëllim të vetëm ka plaçkitjen e vendit. Përvoja modeste institucionale e Kosovës ka treguar se çdokush që ka lidhur koalicion apo i ka shërbyer partisë “pronto, pronto” të Hashim Thaçit është përvëluar jo vetëm politikisht. Doni shembuj? Qe disa: Fatmir Sejdiu! Edita Tahiri! Bujar Bukoshi! Astrit Salihu! Justina Shiroka-Pula! Flora Brovina! Behxhet Pacolli! Gjergj Dedaj! A do të jetë Haradinaj paterica e radhës? Në mesin e lajkatarëve të Haradinajt ka iluzione të marra se ardhja e tij në krye të Qeverisë mund të sjellë mrekulli, madje pa u ndërruar asgjë tjetër, përfshirë edhe Parlamentin e dalë me vota të vjedhura.

Kundër Haradinajt kryeministër në këto rrethana flet edhe fakti se partia e tij në Parlamentin me legjitimitet të cunguar është e katërta me numrin e votave. Sigurisht në këtë demokracinë e mjerë kosovare është e mundshme, që edhe si parti e katërt dhe me 10, 11 apo 12 deputetë në Parlament të marrësh pothuaj krejt pushtetin. Por, a është kjo udhë e mbarë dhe frymëzuese për zhvillimin e një shteti demokratik e funksional? Budallenjtë do të thoshin po.

4. Bisedimet me Serbinë

Në rrethanat aktuale, kur Kosova nuk ka pushtet me legjitimitet të plotë, është absurde të bisedohet me Serbinë. Kjo është thënë dhe elaboruar gjerësisht në shumë komente e analiza prej se kanë filluar bisedimet me Beogradin. Duhet urgjentisht një moratorium derisa Kosova të ketë qeveri legjitime. Gardianët pseudopublicistikë të Hashim Thaçit muajve të fundit me dëgjueshmërinë e tyre prej cofëtinash kanë vizatuar kulla në ajër, duke mbrojtur jo vetëm dialogun pa asnjë kornizë mes Prishtinës e Beogradit, por në mungesë argumentesh i kanë shpallur “antievropianë” dhe “antiamerikanë” të gjithë ata që kanë tërhequr vëmendjen se klasa sunduese politike ka rrëshqitur thellë në krim, andaj është lehtësisht e shantazhueshme nga çdo institucion ndërkombëtar. Publikimi i përgjimeve të fundit shkon përtej të gjitha parashikimeve të deritanishme për shtetin e rrezikuar nga ata që do të duhej ta mbronin.

Përgjimet janë një shuplakë e fortë ndaj kalemxhinjve të shtetit, që thoshin se “Thaçi s’është i shantazhueshëm”. Tash e kemi dëshminë skandaloze që kryeministri i vendit përgjohet nga misioni i BE-së në Kosovë dhe kjo flet shumë për reputacionin e tij në Bruksel: para kamerave ia rrahin supet, pas shpine e përgjojnë, sepse dyshojnë që gjendet në krye të një piramide të krimit. I tillë Thaçi nuk mund të mbrojë interesat e Kosovës as ndaj Serbisë, as në kuadër të BE-së. I tillë siç është, i zhveshur lakuriq, ai ka vetëm një prioritet: të shpëtojë disi politikisht. Kosova nuk duhet të paguajë më tutje çmimin e keqqeverisjes nga ana e Thaçit.

Kosova nuk i ka atij asnjë borxh, ndërsa ai i ka shumë borxhe këtij vendi për shkak të dashakeqësisë që ka demonstruar ndaj njerëzve të këtij vendi dhe dëmeve të pariparueshme që i ka shkaktuar. Vokabulari i përdorur në telefonatat e përgjuara e shpalos mendësinë sunduese të PDK-së, e shpalos edhe kulturën e munguar institucionale, edukatën joekzistente personale dhe më të gjerë. A thua si flasin këta njerëz kur ndihen të papërgjuar? Ose si kanë folur në përgjimet që ende nuk janë publikuar? Si kanë folur edhe për Ramush Haradinajn?

Me vite të tëra jo pak shqiptarë të Kosovës ngado nëpër botë, sidomos në Evropë, kanë luftuar pikëpamjet serbe, por edhe të shumë kundërshtarëve evropianë të pavarësisë së Kosovës, të cilët thoshin se po u bë Kosova shtet, atëherë nuk do të jetë shtet qytetarësh, por shtet i mafisë. Në prag të 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës jo pak shqiptarë me hidhërim duhet të shohin se me fajin e banditëve tanë po pakësohen argumentet për ta mbrojtur shtetin e Kosovës derisa ky është i tillë – i kidnapuar, i kriminalizuar dhe i plaçkitur.

Është në duart e Haradinajt të bëhet patericë e një regjimi gati krejtësisht antidemokratik ose të bashkohet me shumicën e votuesve shqiptarë, të cilët nuk e kanë votuar Thaçin dhe partinë e tij “pronto, pronto”! Por, është edhe në duart e shumë votuesve të ndershëm dhe naivë të PDK-së dhe të disa deputetëve të PDK-së që nuk e kanë shitur krejt dinjitetin që të mendojnë tani se a duan të hyjnë në histori si shtylla të këtij regjimi të marrë dhe të rrezikshëm apo janë të gatshëm të kërcejnë nga treni që furishëm po shkon në theqafje.

Gjykuar sipas paraqitjes së fundit televizive të Haradinajt, duket që ai është i gatshëm t’i kacavirret trenit të theqafjes. Për këtë veprim ai i ka të sigurta duartrokitjet e lajkatarëve, por jo të shoqërisë së gjerë të Kosovës. T’i japësh legjitimitet qeverisjes më të keqe dhe më të rrezikshme për interesat e vendit prej se Kosova është gjysmëpavarësuar, nuk është kurrfarë shkathtësie politike.