Dy ragbistë shqiptarë po bëjnë emër në Angli

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Prishtinë – Erjon Dollapi qysh si fëmijë ishte mjaft i fortë dhe i shpejtë. Ai kishte provuar disa sporte, por në asnjë nuk e kishte gjetur veten. Por, kur si 15-vjeçar provoi ragbin, ishte një lloj dashurie “në shikim të parë” me këtë sport.

Dhe, kjo dashuri po vazhdon, vetëm sa po rritet.

Katër vjet pasi nisi të merrej me të, ai ka arritur të bëhet pjesë e skuadrës së Superligës së Anglisë në ragbi London Broncos. Po i parashikohet një e ardhme e ndritshme dhe ka gjasa që pas disa viteve të arrijë edhe deri te Përfaqësuesja e Anglisë.

Mobi Casa

“Unë kam nisur të luaj ragbi në shkollë, si 15-vjeçar. Më ka parë mësuesi i edukatës fizike duke luajtur ragbi dhe më ka ftuar në skuadrën e shkollës. Qysh në ndeshjen e parë që luajta ragbi, më hyri në zemër ky sport. Më ka pëlqyer fort, pasi unë isha një i ri me takat dhe shpejtësi të madhe”, ka treguar Dollapi për “Kohën Ditore”.

Ai është me origjinë nga Malësia e Gjakovës, ndërsa ka 14 vjet që gjendet në Angli. Te skuadra London Broncos po ndihet edhe më komod, pasi për bashkëlojtar ka një shqiptar, Olsi Krasniqin (20). (Koha)